Vrau gruan në shtëpi, autori: Ajo u soll keq me vjehrrin

Policia në vendin ku u vra Servete Karoshi
Tiranë, gjykata dënon Haki Karoshin 7 vjet më pak se kërkesa e akuzës.
Gjykata e Tiranës dënoi me shtatë vjet burg më pak sesa kërkesa e Prokurorisë një person të akuzuar për vrasjen e gruas së tij në vitin 2011. Ngjarja ka ndodhur më 13 shtator 2011, kur pasi e kishte keqtrajtuar për vite me radhë, Haki Karoshi vrau me sqepar bashkëshorten e tij, Servete Karoshin. Krimi ndodhi në banesën e autorit dhe viktimës në një zonë periferike të Tiranës. Pak ditë më parë ai u deklarua fajtor për këtë ngjarje nga Gjykata e kryeqytetit dhe u dënua me 15 vjet burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij u ul në 10 vjet burg. Para trupës gjykuese, Karoshi deklaroi se nuk kishte pasur qëllim të vriste bashkëshorten, por sipas tij ajo ishte sjellë keq me familjarët e tij. Në kohën kur ndodhi ngjarja, Karoshi ishte në zhvillim e sipër të procedurave gjyqësore të divorcit me bashkëshorten. E ndjera jetonte veçmas në një dhomë të banesës, në zbatim të një urdhri mbrojtjeje të lëshuar nga Gjykata e Tiranës, ku ajo ishte drejtuar pas dhunës sistematike të ushtruar ndaj saj nga bashkëshorti. Në të njëjtën kohë, Haki Karoshi kishte filluar një lidhje me një grua tjetër, e cila jetonte me të në banesë. Gjykata e Tiranës e deklaroi të fajshëm të pandehurin Karoshi për akuzën e vrasjes me dashje në dëm të bashkëshortes së tij, Servete Karoshi dhe për pengim për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës. Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale i ulet një e treta e dënimit dhe përfundimisht i pandehuri Haki Karoshi dënohet me 10 vjet burgim, thuhet në vendimin e gjykatës. Aplikimi i gjykimit të shkurtuar, sipas ligjit, automatikisht i jep të drejtën të pandehurit për uljen e 1/3 të dënimit, megjithëse sipas disa vendimeve të fundit të Gjykatës Kushtetuese, gjykatat duhet të bëjnë kujdes dhe të analizojnë mirë rastet kur mund të aplikojnë procedurën e gjyqit të shkurtuar.
Gjykimi
Në fazën e konkluzioneve përfundimtare, Prokuroria kërkoi deklarimin e fajshëm të të pandehurit dhe dënimin e tij me 17 vjet burg. Avokati mbrojtës i tij kërkoi një masë dënimi më të butë. I pandehuri Haki Karoshi deklaron se është dakord me avokatin dhe se nuk ka pasur qëllim të vrasë bashkëshorten e tij, por sjelljen e saj të keqe ndaj babait e kishte parë me sytë e tij, citon gjykata. Haki Karoshi u arrestua më 13 shtator 2011, pak orë pasi qëlloi disa herë me sqepar mbi bashkëshorten e tij, Servete Karoshi. Ngjarja ndodh në banesën e tyre, e cila ndodhej në Lanabregas, në një zonë mes Linzës dhe Shkozës në Tiranë. Ai u vetëdorëzua në polici, ku edhe pranoi autorësinë e krimit. Sipas Policisë, ngjarja ndodhi për motive xhelozie. Karoshi kishte tre vjet që jetonte i ndarë nga bashkëshortja e tij dhe ai ishte bërë xheloz kur ka gjetur një letër në çantën e saj. Para ngjarjes që i mori jetën, e ndjera Servete Karoshi i ishte drejtuar tri herë Gjykatës së Tiranës për kërkesa për urdhër mbrojtjeje. Për herë të parë ajo ka trokitur për ndihmë në korrik të vitit 2009, ndërsa urdhri i fundit i mbrojtjes nga gjykata, që ishte ende në fuqi kur ndodhi vrasja, ishte lëshuar më 15 dhjetor 2010. Sipas vendimit të gjykatës, Servete Karoshi pretendonte se dhuna fizike dhe psikologjike ndaj saj ka qenë e vazhdueshme gjatë gjithë jetesës bashkëshortore dhe se shkak për këtë dhunë kanë qenë familjarët e të paditurit, të cilët ndërhynin në jetën e çiftit, duke shkaktuar konflikte në familje.
Kontradiktat
Ndryshe nga deklarimet e dhëna në procesin gjyqësor në Gjykatën e Tiranës, gjatë thënieve në polici pas arrestimit, Haki Karoshi mësohet se ka dhënë fakte kontradiktore. Ai ka thënë se ishte ndarë nga viktima e cila duhej të jetonte në një dhomë të banesës. Gjithashtu autori i krimit e ka fajësuar viktimën se qëndronte në banesë vazhdimisht dhe e acaronte herë pas here, veçanërisht në raport me marrëdhënien që ai kishte me gruan tjetër, partneren aktuale të tij. Sipas hetimeve, nuk është arritur të provohet një sfond xhelozie për krimin.
ARMAND BAJRAMI