Përcillet për në banesën e fundit publicisti Ardian Klosi

Ministri i Kulturës, Bumçi: Klosi, aktivist i palodhur dhe zë intelektual
“Aktivist i palodhur dhe humbje të një prej zërave intelektualë”. Kështu e ka vlerësuar figurën e përkthyesit, publicistit e shkrimtarit, Ardian Klosi të ndarë nga jeta dy ditë më parë, ministri i Kulturës Turizmit Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi në përfundim të homazheve në Bibliotekën Kombëtare.
Vlerësime të larta ka marrë dhe nga kreu PDS-së, Paskal Milo, duke e konsideruar humbje të një vlere të madhe shpirtërore.
“Jam këtu për të shprehur atë dhimbje intelektuale për humbjen e një vlere të shquar kombëtare. Nga kjo botë ikin mjaft njerëz të cilët nuk i manifestojnë vlerat e tyre të vërteta, sepse janë njerëz të thjeshtë, që kërkojnë të rrojnë në botën e tyre shpirtërore dhe intelektuale që kanë. Dhe Ardiani ishte një vlerë e madhe shpirtërore, pa patur ambicien që të ekspozonte këto vlera. Ai do të rrojë në kujtesën tonë si një nga korifejtë e intelektualizmit shqiptarë.”- tha Milo.
I pranishëm në homazhe, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama e konsideroi humbjen e Klosit si humbje të një njeriu me dimensione të mëdha.
“Është një humbje e rëndë dhe e pazëvendësueshme për familjen dhe tërë opinionin. Humbja e një njeriu me dimensione të spikatura. Nderim dhe mirënjohje për gjithshka që ka bërë , sidomos në letrat shqipe. Të gjithë kemi se cfarë të gjejmë si referencë të vlerave në gjithë veprimtarinë e Klosit, për ta ruajtur si shembullin e qytetarit të vendit”- tha ai.
Ndërsa për bashkëpunëtorin e tij Remzi Lani, Klosi ishte një përkthyes i jashtëzakonshëm, publicist, një mendje e lirë dhe e hapur.
Homazhet u kryen në ambientet e Bibliotekës Kombëtare, ndërsa rreth orës 14:00 trupi i pajetë i Ardian Klosi, u përcoll drejt varrezave publike të Sharrës.
Publicisti i njohur Ardian Klosi i dha fund jetës përmes vetëvrasjes në banesën e tij, në afërsi të Liqenit Artificial në Tiranë mbrëmjen e 26 prillit.
Ndërkohë, Policia e Tiranës ka nisur një hetim procedurial për vetëvarjen e Ardian Klosit, ndërsa e shoqja e tij, shtetasja gjermane Jutta Benzenberg, i ka dhënë policisë një mesazh telefonik që ka marrë nga i shoqi pak çaste para vetëvrasjes.