Përdhunoi 9-vjeçaren, lihet në burg autori i dyshuar

LUSHNJË/ Adoleshenti ka mohuar akuzën e ngritur ndaj tij. Ai ka dhënë dy variante të ndryshme lidhur me vendndodhjen në momentin që ka ndodhur ngjarja
LUSHNJË - Gjykata e Lushnjës vendosi masën e sigurisë "arrest me burg" për 17-vjeçarin F.H., të dyshuar si autor i përdhunimit të një 9-vjeçareje, ngjarje e ndodhur katër ditë më parë në Ardenicë.
Burime të gazetës bëjnë të ditur se gjatë zhvillimit të seancës nga ana e prokurorisë është paraqitur dëshmia e 9-vjeçares e cila ka identifikuar 17-vjeçarin si personin i cili kishte ushtruar mbi të dhunë seksuale. Ndërkohë vetë adoleshenti e ka mohuar autorësinë përpara gjykatës.
Mësohet se fillimisht ai ka deklaruar se ka qenë në shtëpi në periudhën që dyshohet të ketë ndodhur përdhunimi, ndërkohë që në një moment tjetër ka deklaruar se ka qenë me të atin jashtë shtëpisë.
Deklaratat e tij kontradiktore kanë bërë që të shtohen edhe më tepër dyshimet se ai është autori i ngjarjes së ndodhur në Ardenicë të Lushnjës.
Ndërkohë mësohet se nga ana e vajzës së mitur është bërë përshkrimi me detaje i personit i cili kishte ushtruar mbi të dhunë seksuale. 9-vjeçarja është marrë në pyetje nga oficerët e Policisë Gjyqësore në prani të psikologes dhe ajo ka treguar lidhur me individin qe e kishte dhunuar.
Pas dhënies së detajeve nga ana e së miturës, është bërë edhe ballafaqimi me foto i të pandehurit çka ka çuar më pas në arrestimin e tij. Mësohet se i riu në momentin e ndalimit kishte shenja në gjunjë e në krah, për të cilat u mësua se nuk kishin lidhje me skenën e krimit, pasi ishin bërë para se të ndodhte ngjarja.
Nga ana tjetër, mësohet se gjendja shëndetësore e së miturës është përmirësuar. Vajza është mjekuar nga bluzat e bardha në Tiranë, ndërkohë që do të trajtohet edhe me psikologë për shkak të traumës së rëndë që ajo ka kaluar.
Nga ana e prokurorisë pritet edhe marrja e përgjigjes nga mjekët-ligjorë për të vërtetuar përfundimisht nëse 17-vjeçari është njeri që ka ushtruar dhunë seksuale mbi të miturën.
Pas dëgjimit të të dyja palëve, nga ana e gjyqtares së gatshme është vendosur masa e sigurisë "arrest me burg" për 17-vjeçarin F.H. pritet që çështja të kalojë në Gjykatën e të Miturve në qytetin e Vlorës edhe për shkak se Gjykata e Lushnjës nuk ka kompetencë për gjykimin e çështjeve të tilla. Ndërkohë nga ana e familjarëve të adoleshentit ka vijuar protesta, duke u shprehur se djali i tyre është i pafajshëm.