E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miqtë shqiptarë të Diverolit

Mentor Nazarko 

Lajmi i fundit që vjen nga SHBA në lidhje me përfundimin eventual të gjyqit të Efraim Diverolit, tregtarit aventurier të armëve, duket se kaluan pa asnjë lloj jehone në morinë e lajmeve të sajuara nga kuzhina politike, apo të atyre lajmeve të qëmtuara pafuqishëm ...nga ushtria e reporterëve vendorë. Praktikisht duket se procesi gjyqësor amerikan mbi shitblerjen me mashtrim të municionit kinez aleatit tonë më të madh, SHBA-ve, po merr një përfundim të qartë. Diveroli, (jo i vetëm) ka mashtruar autoritetet amerikane, Departamentin amerikan të Mbrojtjes dhe i ka shitur atyre municion kinez të blerë në Shqipëri. Pra, i ka shitur fishekë kinezë duke ia paraqitur si municion shqiptar. Diveroli, 24-vjeçar, e ka pranuar fajësinë e tij vetëm për këtë akuzë, në mënyrë që të shmangë disa dënime që mund t’i atribuoheshin mbi bazën e 84 akuzave nëse procesi do të vazhdonte gjatë. Nga ajo që arrijmë të kuptojmë prej lajmeve të mbërritura nga agjencitë e lajmeve apo dhe gazetat amerikane (Nju Jork Times u mor gjithashtu me zbulimin e vet), dëshmia kryesore e procesit rezulton ajo e Kosta Trebickës së ndjerë. Ishte ai i cili vuri në lëvizje gazetën më të madhe amerikane dhe NYT nga ana e vet mobilizoi institucionet e drejtësisë, që me shpejtësinë e duhur po i japin fund procesit në fjalë.
Përtej manovrave procesuale të avokatëve të Diverolit, që mund t’ia hedhë maksimumi me 5 vjet, përfundimi i këtij procesi me shpalljen e tij fajtor për mashtrim, shtron disa çështje që s’kanë lidhje aq shumë me Amerikën, por me Shqipërinë.
Nëse Diveroli provohet fajtor, a kishte ai bashkëpunëtorë shqiptarë? Nga një konsultë me juristë vendas, është e vështirë të gjenden përgjegjësira me karakter penal të bashkëpunëtorëve të tij shqiptarë, qoftë në SHBA, qoftë në Shqipëri. Në SHBA duket e vështirë, sepse referentët shqiptarë kanë bërë sikur i kanë dalë borxh palës amerikane, duke i thënë se “ne nuk kemi fishekë shqiptarë, por vetëm kinezë dhe po deshët merrni këta”. Ka dhe elementë të tjerë proceduralë që duket se e bëjnë të pamundur një ndjekje të tillë dhe e njëjta gjë vlen dhe për ndjekjen penale eventuale nga autoritetet shqiptare për shkeljen e embargos ndaj armatimit kinez. Nuk duket se në këtë këndvështrim të ngushtë - shitje municionesh kineze autoriteteve amerikane-, ka ligje shqiptarë të shkelur. Por nëse mund të flasim me thuajse siguri se nuk ka elementë vepre penale në dëm të ndonjë referenti shqiptar të Diverolit, a mund të flasim për përgjegjësi morale të tyre? Diveroli nuk i mashtroi i vetëm autoritetet amerikane. Për t’i dhënë një përgjigje pyetjes mbi përgjegjësit moralë, bashkëpunëtorë shqiptarë të Diverolit, le të bëjmë pak retrospektivë. Nëse do të ritransmetonim dhe njëherë dëshmitë e para të Kosta Trebickës, do të shquanim shumë elementë të një biznesi të madh me stoqet gjithfarëshe të armatimeve shqiptare në tregun botëror. Në këtë biznes nuk mund të futej kushdo, por vetëm ata që kishin lidhje me autoritetet përkatëse shqiptare, qoftë në MEICO, qoftë në Ministrinë e Mbrojtjes. Nga investigimet e bëra asokohe, por dhe nga rileximi i atyre dëshmive kurajoze të Trebickës, rezultonte se Shqipëria kishte stoqe fishekësh të prodhuar nga fabrikat vendase, por ato shkonin në Gërdec. Përse ato nuk i shkonin miqve amerikanë, por përfundonin gjetkë si stok i shitur më shtrenjtë sipas Trebickës, akoma nuk e kemi marrë vesh. Dhe mbi të gjitha, thuajse askush në media, por dhe në opozitën e kohës nuk i dha rëndësi dëshmive mediatike të një punëtori të Gërdecit, që ofronte elementë interesantë mbi lidhjet midis Gërdecit, trafikut të armëve dhe Diverolit. E mbyll këtu parantezën. Sot kur ky gjyq mbyllet, ne si miq të amerikanëve siç pretendojmë se jemi, nuk kemi arritur të gjejmë përgjegjësit moralë brenda institucioneve tona që mashtruan miqtë tanë nëpërmjet një kontrate jo të vogël, por 300 milionë dollarëshe. Përfundimi i procesit në SHBA e imponon kërkimin e këtyre përgjegjësve moralë, qoftë me rrugë politike, qoftë me rrugë mediatike. Opozita heshti dikur në emër të një detante me qeverinë që s’çoi asgjëkund, por sot ka detyrimin të vihet në lëvizje.
Çështja në fakt nuk ka vetëm degëzime morale të përgjegjësisë. Organet e prokurorisë, për arsyet e veta, ose me shkallën e dijenive që kishin, apo nën presionin politik, e ndanë çështjen e trafikut të armëve - çështja e fishekëve kinezë është thjesht një aneks i saj-, nga çështja e Gërdecit. Po çfarë është bërë deri më tani me hetimet shqiptare apo amerikane të kësaj çështjeje? A është pyetur Diveroli, a ka ndonjë bashkëpunim midis autoriteteve tona dhe atyre amerikane për këtë çështje? Po i shumë përmenduri Delijorgji, i cili nga politika zyrtare përflitet për përfshirjen e tij thellësisht të ligjshme në biznesin e ndërtimeve dhe jo në punët e armëve dhe të stoqeve të armëve ç’qëndrim ka rreth këtyre çështjeve? As për këtë nuk ka ndonjë informacion, dhe duket se presioni politik mbi prokurorinë, marrëveshjet e nëndheshme institucionale, nuk i kanë ndihur prokurorisë në punën e vet edhe në lidhje me to, ashtu si me çështjen e Gërdecit. Do të ishte tragjike që ajo punë e mirë që prokuroria nisi asokohe, të mbetet në mes dhe drejtësia të humbte dhe kësaj radhe në përballjen e saj me politikën.
Për fat të keq, dhe ky është përfundimi i këtij refleksioni pas lajmit mbi mbylljen e procesit gjyqësor në ngarkim të Diverolit në SHBA, mund të përjetojmë hyrjen në një koniunkturë aspak të favorshme për punën e institucioneve të drejtësisë në vend. Mbetja në pushtet e kësaj shumice të prekur nga hetimet në fjalë, mbarimi i mandateve të prokurores së përgjithshme, të presidentit, apo të individëve të tjerë në institucione të rëndësishme të drejtësisë në vend, do të gërryejë forcën e tyre. Ndryshimet kushtetuese të miratuara dhe me mbështetjen e opozitës kanë kontributin kryesor në këtë gërryerje të pritshme, në këtë dobësim cilësor të forcës së drejtësisë në përplasjet më të rëndësishme të saj me politikën në pushtet. Ky dobësim për fatin tonë të keq, mund të kalojë gjithashtu pa vëmendjen e medias, apo dhe të opozitës që po merret me problemet e saj të brendshme, ashtu siç ndodhi me lajmin e Diverolit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›