Përdorimi i detergjenteve, probleme me aparatin e frymëmarrjes te fëmijët
• Detergjentet për shtëpinë duhet të përdoren me kujdes, sidomos nëse jeni shtatzënë. Të paktën kështu pretendojnë një ekip shkencëtarësh britanikë në numrin e fundit të “European Respiratory Journal”. Sipas shkencëtarëve të Universitetit të Bristolit, fëmijët që ekspozohen përpara lindjes me produkte që përdoren për pastrimin e shtëpisë, hasin më shpesh probleme respiratore. Dizinfektantët, produktet që përdoren për pastrimin e xhamave, insekticidet, zbutësit e rrobave: janë disa nga produktet që mund të rrisin në mënyrë të ndjeshme rrezikun që i vogli të vuajë nga probleme të aparatit të frymëmarrjes, në moshën 7-vjeçare. Në studim janë analizuar rastet e 7.162 fëmijëve britanikë që janë ndjekur që nga shtatzënia. Nënave të tyre u është kërkuar të plotësojnë një pyetësor, ku duhet të përpilonin përgjigjet që do të ndihmonin për të vlerësuar frekuencën me të cilën përdoreshin detergjentet: përgjigjet e mundshme varjonin nga “çdo ditë” deri në “asnjëherë”. Pas lindjes së fëmijës, nënave u është kërkuar të referonin nëse fëmijët e tyre shfaqnin probleme respiratore, si vështirësi në frymëmarrje apo astmë. Rezultatet kanë treguar se risku për të shfaqur probleme me aparatin e frymëmarrjes, përkonte me atë të shpeshtësisë me të cilën përdoreshin detergjentet. “Rezultatet e studimit, nuk flasin për një lidhje përfundimtare mes përdorimit të tepërt të detergjenteve dhe problemeve pulmonare, ashtu si hidhet hipoteza se më tepër se ekspozimi ndaj këtyre produkteve në jetën intrauterine, është ajo gjatë viteve të para të jetës përgjegjësja e vetme e shtimit të riskut”, sqaron përgjegjësja e studimit, John Henderson. Studiuesit kanë deklaruar se faktorë të shumtë mund të ndikojnë në shpërthimin e problemeve respiratore te të vegjlit, si: p.sh një prind duhanpirës apo prania e kafshëve shtëpiake, por tashmë s’ka dyshim se dhe produktet që përdoren për pastrim janë të rrezikshëm.