E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ka rrjedhje kosovarësh në Kombëtare

• Gjashtë futbollistët kosovarë të Kombëtares shqiptare, sipas presidentit të FSHF-së, Armand Duka, do të luajnë për Shqipërinë deri në fund të karrierës së tyre.Pas takimit të djeshëm me homologun kosovar Fadil Vokrri, kreu i FSHF-së ka thënë se lojtarët kosovarë të Shqipërisë do të luajnë në shtatorin e ardhshëm sërish me këtë skuadër. “Është i sigurt fakti që këta futbollistë në shtator të këtij viti do të luajnë me Shqipërinë”, ka thënë Duka. Kjo do të thotë se edhe edicionin e ardhshëm, sipas kreut të FSHF-së ata do të luajnë me Shqipërinë. Drejtuesit e dy Federatave po punojnë intensivisht për të bërë të mundur anëtarësimin e FFK-së në FIFA dhe UEFA. Nëse kjo do të mund të realizohet në kongresin e 58-të të FIFA-s, i cili do të zhvillohet në Sidnei më 29 dhe 30 maj, atëherë do të thotë se lojtarët kosovarë pas kësaj date do të kenë mundësi të zgjedhin mes Shqipërisë dhe Kosovës. Nëse ata zgjedhin Shqipërinë dhe luajnë edicionin e ardhshëm me këtë skuadër ndërkohë që FFK-ja është e anëtarësuar në FIFA, atëherë do të thotë se ata do të mbeten përgjithnjë me Shqipërinë. Megjithatë gjithçka vendimin përfundimtar për këtë çështje e marrin vetë lojtarët, pasi çdo gjë varet nga vullneti i tyre. I vetmi prej gjashtë futbollistëve nga trojet e Kosovës që ka folur qartë në lidhje me këtë temë, ka qenë Debatik Curri, i cili ka thënë se do të luajë për Shqipërinë edhe edicionin e ardhshëm. Pas takimit të djeshëm dy drejtuesit e Federatave kanë premtuar bashkëpunim të ngushtë mes tyre. Federata Shqiptare e Futbollit, është e angazhuar për ta ndihmuar FFK-në në të gjitha drejtimet, deri sa ajo të arrijë të pranohet si anëtare me të drejta të plota në FIFA dhe UEFA. Është vendosur krijimi i një Komisioni Koordinues Bashkëpunimi, nën drejtimin e dy bashkëkryetarëve, që do të jenë sekretarët e përgjithshëm Arben Bici (FSHF) dhe Heroll Saliu (FFK) për të ndërtuar dhe ndjekur një strategji të përbashkët, në lidhje me anëtarësimin sa më të shpejtë të FFK-së në UEFA dhe FIFA si edhe në probleme të përmirësimit të statutit dhe të ndërtimit të strukturës së Federatës së Kosovës.                  j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›