Çiklistët e 1990,fotografia e re e Gjergj Xhuvanit
• Quhet Ilo. Është afro të 50-ve. Një nga trajnerët më të njohur të çiklizmit.ANILA MEMATrajnon pesë çiklistët e rinj dhe për ta mban gjithë barrën e vështirësive, përgatitjes së tyre, rrugëtimit të gjatë, lindje-perëndim-lindje. Interpretohet nga Ndriçim Xhepa, aktori i njohur i skenës dhe ekranit shqiptar, që ndonëse për të renditet ndër dhjetëra të tjerë, është i veçantë, emocionues, një profil i panjohur dhe i paprekur më parë, çka i jep mundësi aktorit të mos përsërisë vetveten. Tregon se ndihet mirë dhe mbi të gjitha bashkëpunimet e tij me Gjergjin, nuk kanë qenë dy herë njësoj. Kësaj here, Xhepa, ka ç’të tregojë për filmin, për aktorët, rolin e regjisorin, ndonëse edhe përmes telefonit. Ndodhet në Shkup prej disa javësh, sot ka premierën e “Xhaxha Vanjës” së vënë në skenë nga Unkovski. Pas saj e pret Tirana, skena e Teatrit Kombëtar, ku do të vërë të njëjtën shfaqje, Prishtina gjithashtu javën e ardhshme, e më në fund sheshxhirimi në Tiranë, i cili do të nisë në fundmars, pranë ambienteve të hotel “Sheraton” në kryeqytet. Rreth tre vjet më parë, në bashkëpunimin tuaj me Gjergj Xhuvanin, ishit një tregtar në filmin “I dashur armik”, sot një trajner në “Lindje, perëndim, lindje”. Cili është kostumi i këtij trajneri që do të vishni së shpejti?Trajneri është Ilo. Njeriu që titullohet trajner i ekipit të kombëtares. Brenda kësaj linje të sportit, çiklizmit, trajneri është një personazh i vërtetë, që ka jetuar vitet e fundit të diktaturës, fillimin e viteve ’90. Mënyra e të vepruarit, të menduarit, janë atribuuar asaj kohe, pavarësisht se nuk evokohet me përcaktueshmëri. Njeriu, i cili vetë ka qenë dikur çiklist, vetë kampion dhe tani trashëgues i vlerave të sportit, paraqitet duke grumbulluar çiklistët me psikologji të ndryshme, me vendndodhje të ndryshme brenda territorit shqiptar, Fieri, Durrësi, Tirana, Shkodra, por padyshim më të mirët, ajkën e këtij lloj sporti. Këta djem trajtohen me veçantitë e tyre, specifikat e veta në karaktere, madje diku-diku me elemente simpatikë krahinor, për t’i dhënë ngjyra interesante. Por gjithmonë tek ky personazh do të jetë parësor pasioni deri në maniakëri për këtë lloj sporti. Ç’rrugë përshkon ky film? Ky film mbart tri linja kryesore. E para dhe kryesorja është linja e marrëdhënies shumë të afërt të trajnerit me ekipin, një lidhje pasionale me të, me trajnimin e tyre, me përgatitjen, me punën fizike. Linja e dytë që përshkon ky film është edhe më problematike dhe e sikletshme, ajo burokratike, që duhet zgjidhur në këtë rast për ekipet sportive kombëtare dhe përgatitjet e tyre për të ikur jashtë shtetit, përgatitjet e dokumentacioneve, që arrin deri në maniakëri burokratike dhe gjithë kësaj procedure tepër të sikletshme i shtohen kontaktet me ministritë, drejtuesit, ambasadat... Një linjë tjetër është aspekti familjar që ky trajner dhe ekipi gjithashtu ka me bashkëshorten. Familja ka një gjeografi tjetër në këtë film, ku brenda shtëpisë shtrihen fije të tjera që përshkojnë personazhet. Lindje-perëndim-lindje. Ç’fsheh brenda?Ky film është një grupim njerëzish të apasionuar, që ia kanë dhënë jetën çiklizmit, janë të mbarsur me ëndrra, marrin pjesë në aktivitete që përfaqësojnë shtetin dhe bien në situata të tjetra, përballë emocionesh, të papriturash, standardesh që kanë qenë në ëndrrën e tyre, në vizionet e tyre imagjinare të paprekura nga kjo lindje e mbyllur, deri diku në një perëndim. Ndihet kontrasti lindje-perëndim. Dhe në të tilla raporte personazhet bien në të papritura, pësojnë incidente, që përcjellin herë dhimbje, humor, spontanitet në këtë lloj zhgënjimi. Pra, është cirkuiti që krijon biçikleta, elementi nëpërmjet të cilit ekipi me trajnerin në krye bëjnë këtë rrugëtim të gjatë, nga lindja në perëndim dhe po prapë në lindje. Nga dikush është quajtur film nacionalist, nga dikush tjetër një vizatim historik i një epoke të caktuar... Ju si do ta cilësonit këtë film të ri që pritet të nisë së shpejti xhirimet?Edhe në këtë film Gjergji vazhdon të ndjekë të njëjtën linjë, gati-gati në të njëjtën ajër konceptimi, zbërthimi dhe dëshire për të dhënë nesër një film në trajtat regjisoriale të treguarit të ngjarjes, të mosmbajturit qëndrim ndaj gjërave, nuk tenton të marrë poza si regjisor, por të rrëfejë jetë njerëzish, jetë personazhesh, jetë rrethanash të ndryshme, që spektatori të shohë jetën e tij. Nëpërmjet elementëve të veçantë, detajesh të veçantë, gjetje e simbolikash të veçanta, i tregojnë njerëzve të djeshëm të vërtetën, tablonë e jetës dhe shikuesi krijon kthimin e imazheve të dhimbshëm. Ndërsa spektatori i ri, një brezi që nuk i ka përjetuar ato momente, sot i sheh në formë komike, të tjetërsuara. Ç’të veçantë përmban Ilo, ky personazh i ri, që do të renditet në vazhdimësinë e roleve tuaja?Është i panjohur për mua dhe kjo është dhe e veçanta kryesore e këtij roli. Me të tillë profil, me portretizimin e njeriut të sportit, kaloj dashje pa dashje në situata komplet të tjera, nga personazhet që unë kam interpretuar deri tani. Nga vende xhirimi të reja, i shoqëruar nga persona të tjerë, qoftë deri në aspektin vizual të jashtëm, një trajner që udhëton me tricikël, që ndjek ekipin gjatë garave, kostumografia dhe gjithë detajet e konfiguracionit apo psikofizikës sjellin një portret ndryshe për mua. Ritmika, sporti, çiklizmi, i gjithë ky është lëvizje, është ritëm. Kam përshtypjen se ky film do të vijë në tonusin, si trajtesë e filmit “Parullat”.Lulzim Zeqja: Filmiështë dhe aventura imeXhimondi. Eshtë pjesë e aventurës, sikurse djemtë e tjerë çiklistë. Si gjithë të tjerët, ndodhet mes të papriturave herë pas here, mes ëndrrës dhe zhgënjimit. Një personazh që personifikohet në këtë film nga aktori Lulzim Zeqja. Është çiklist, sikurse të tjerët në film, gjë që në jetë Luli e ka ndjekur për vite me radhë, deri para pak kohësh, kur biçikletën e ndërroi me një motorino. “Kontakti i parë ka qenë shumë i mirë për mua me këtë rol, sepse unë kam pasur shumë qejf të futesha tek ëndrrat, dhe te një aventurë e imja, në pjesën me Gjergj Xhuvanin. Jam i sigurt, për se duhet bërë një përpjekje maksimale për të qenë dinjitozë në këtë film, që deri tani ndihem komod dhe shpresoj të kemi fat”, shprehet Zeqja, i njohur për interpretimin e tij te filmi “Natë pa hënë”. Tregon se çiklistët në film janë aventurierët e dy epokave të ndryshme. Ka qenë i vogël në vitet ’90, dhe për të pjesëmarrja në këtë film është një sfidë. “Emocionin e këtyre njerëzve i kam parë në televizor dhe kjo është sfida ime, duke riprodhuar këto emocione. Këto nuk janë për mua vitet ‘90 të vështira, siç kanë qenë të tilla edhe në jetesë, edhe në sfera të ndryshme, si në sport, art. Ka një paradoks të veçantë, që është paradoksi kohë, te njerëz të padalë, dëshira e madhe e të cilëve është për të parë botën e përtejme, për të parë se çfarë ndodh”, tregon Zeqja. Shton se për të do të jetë një eksperiencë shumë e mirë, pasi në realizimin e këtij filmi marrin pjesë aktorë shumë të mirë dhe është një staf të cilin ai e quan të mrekullueshëm. Sipas Lulit, itinerari që përshkojnë këto ditë intensive para xhirimeve është intensiv. “Lokali i Ervinit është vendi ku ne mblidhemi, diskutojmë për rolet, marrim biçikletat dhe nisim një ditë të jashtëzakonshme. Stërvitja është muaji i fundit që do jetë vendimtar dhe kjo bëhet për një përpjekje të mirë të fizikut që duhet të kemi në sheshxhirim, sepse filmi mendohet të jetë i vështirë. Shpresojmë që filmi të jetë pozitiv, të ketë një lloj suksesi dhe një lloj mesazhi”, thekson ai.“Lindje, perëndim, lindje”, historia e pesë çiklistëveRruga e çiklistëve nuk është edhe aq e thjeshtë. Këto ditë intensive, aktorët shqiptarë, Gentian Hazizi, Helidon Fino, Lulzim Zeqja dhe Ervin Bejleri, i nisin, me kafenë e mëngjesit, që pinë nxitimthi në lokalin e këtij të fundit, në fund të rrugës “Myslym Shyri”. Rrëmbejnë biçikletat, me të cilat kanë mëse gjashtë muaj, që stërviten drejtohen për nga Kodrat e Liqenit, rrugëtojnë malores së fshati “SOS”, përgjatë Pallatit të Brigadave, në Fark te helikopterët, pas një pushimi të shkurtër nisin të kthehen në vendnisje. Është një itinerar që e përshkojnë çdo ditë, e më shumë. Vetëm pak ditë i ndan nga prova e parë në sheshxhirimim e filmit “Lindje, perëndim, lindje”, që për ta do të thotë emocion. Pak ditë më vonë do t’u bashkohet në këtë rrugëtim edhe aktori i njohur Ndriçim Xhepa, veç jo me biçikletë, por me një triçikël. Janë përgatitjet e fundit që po bëjnë për filmin më të ri të regjisorit të njohur Gjergj Xhuvani. Nëse realizimet e tij të mëparshme, kanë qenë “Parullat”, një film që përcjell një panoramë të asaj çfarë ishte komunizmi, dhe i “I dashur armik”, i cili tregon Shqipërinë e 1944 deri në kohën e komunizmit. Filmi i fundit, “Lindje, Perëndim, Lindje” pasqyron një tjetër moment historik të Shqipërisë, kohën kur hapen ambasadat, ndodhin eksodet e para, dëshira për të dalë jashtë, për të parë botën. Një subjekt i shkruar dhe i rishkruar për gjashtë herë nga tre autorë, skenaristi dhe shkrimtari i njohur Dhimitër Xhuvani në bashkëpunim me Jani Duron dhe vetë regjisorin, Gjergjin. Perëndimi për ne, mbetej përherë i panjohur, një ëndërr, që shumica e shqiptarëve mundën ta zbulojnë pas rënies së komunizmit. Autorët këtë kanë ngjizur në skenarin e filmit që do të nisë xhirimet së shpejti.” Kur ra Muri i Berlinit, sikur fryu një erë e re në Shqipëri dhe disa ftesa që vinin herë pas here për aktivitete sportive, kulturore mbaheshin në sirtar nga nëpunësit dhe në këtë situatë marrim edhe neve pjesë”, shpjegon në një intervistë të mëparshme skenaristi Dhimitër Xhuvani. Sipas tij, në film trajtohet historia e pesë çiklistëve që nisen për një aktivitet jashtë Shqipërisë, pesë shqiptarë që kanë ëndrrat e tyre, kanë dëshira, të cilat shemben njëra pas tjetrës. “Ata nisen, arrijnë në Trieste në atë kohë kur shoqëria pothuajse u bllokua me eksodet e mëdha, ambasadat u shembën, humbën kontakte, paratë iu mbaruan, anija që i solli nuk kthehej më, ishte e bllokuar në mol dhe ata vendosin të ktheheshin me biçikletat që kishin. Këtu fillojnë peripecitë. Hapja për Shqipërinë në atë kohë qe një zhgënjim, qe një dhimbje, një tragjedi”, shpjegon Xhuvani. Ndërkohë vendet që janë piketuar për xhirimet e këtij filmi, që do të nisin në fundmars, në Tiranë, janë edhe Pogradeci, Përmeti, Maqedonia dhe Trieste. Ndaj ky film do të jetë një bashkëpunim shqiptaro-italian, por do të ketë dhe partnerë francezë. Ndërkohë piktori i këtij filmi do të jetë Durim Neziri, i shoqëruar në këtë film edhe nga fotografja Soela Zani. Ky film do të zbërthejë si të thuash botën, njerëzit që ndeshen me lirinë. Është ballafaqimi i këtyre djemve të rinj me perëndimin, pasi gjithë historia fillon në ëndrrat e tyre, që do dalin jashtë, aty ku nuk ka më Shqipëri, sepse kjo e fundit nuk ka shtet. Është kjo një histori që kush më shumë e kush më pak nga aktorët e njohin mirë. Disa e kanë përjetuar dhe rolet i kanë pothuajse autobiografikë, të tjerë i kanë përjetuar por në rol i shohin me syrin e spektatorit, ka dhe nga ata që vetëm i kanë dëgjuar, i kanë parë nëpërmjet televizorit, i kanë ëndërruar... Janë këto momente për të cilët aktorët që kemi intervistuar për gazetën “Panorama” të parën herë rrëfenjë emocionet, të vërteta, përjetim e tyre, të fillim viteve ’90, lidhjet me biçikletat dhe lidhjen me botën jashtë. Të gjithë e kanë me pasion dhe përkushtimi i tyre ndihet në çdo fjalë, në çdo gjest, e detaj. Nëse do t’u lini takim, padyshim do t’ju vijnë me biçikleta, me kostume e kaska si çiklistë të vërtetë. Ervin Bejleri ngre zërin e thotë: pasi të mbaroj duhet ta shihni sepse ju duhet, sepse ju shërben!Ervin Bejleri: Ishte koha për një film të tillë Ervin Bejleri, apo ndryshe Tafa në film, një djalosh çiklist, është ai që ju servir çdo mëngjes kafenë aktorëve që marrin pjesë në film. Më pas nisin rrugëtimin e tyre. Personazhi që interpreton në “Lindje, perëndim, lindje”, përveç biçikletës, ka një pasion të veçantë për televizorët. “Duke ditur që në atë kohë shqiptarët kanë qenë shumë të privuar nga elementët e përparuar, siç ishte televizori, që ishte mjeti i komunikimit më i përparuar në botë që krijon lidhjet midis njerëzve, Tafa pikërisht aty është i fokusuar. Mundohet të bëjë gjithçka për të arritur atë anën perëndimore të këtij hobi që ka, i vë filtra televizorit, merret me antenën dhe i vë kanoçe të famshme. Tafa nëpërmjet hobit të tij, televizorit, sheh ndryshimin, kontrastin”, shpjegon Bejleri personazhin e tij, të cilin e ka pritur prej kohësh. “Ftesën e Gjergjit, me të cilin kam pasur një tjetër eksperiencë për një rol episodik, në filmin “I dashur armik”, e kam pritur mjaft mirë, shumë i emocionuar, sepse e doja një gjë të tillë në këto momente. Një film të tillë, nga një regjisor i tillë. Ishte diçka që e kërkoja dhe më erdhi”, thotë ai. Ndërkohë si çdo djalë i ri, edhe në jetë hobi i tij ka qenë biçikleta. Tregon se që i vogël i ka bërë modifikime, është munduar të ecë sa më shpejt dhe me biçikletën lidh një pjesë të mirë të jetës së tij.“Gjëja më e shtrenjtë e njeriut, kthimi në origjinë”Emrin e ka Agim. Punon postier, biçikleta është mikja më e mirë. Ëndrra për të parë botën jashtë kufijve shqiptarë, për të mësuar më shumë, për të prekur dhe bërë qoftë dhurata të “rralla”, përfshin dhe personazhin që do të interpretohet në film nga aktori Helidon Fino. Ja si e tregon aktori postierin që do të interpretojë së shpejti në “Lindje, perëndim, lindje”. Personazhi i Gimit, një individ që biçikleta është pjesë e tij. Oferta është e paimagjinueshme, për të marrë pjesë në ekipin që do të përfaqësojë Shqipërinë jashtë. Nga një jetë fshati, jetë e mbyllur, të ofrohej një mundësi të dilje jashtë, ishte ëndrra e çdokujt, ashtu sikurse dhe e Gimit. Ç’mesazh përcjell ky film?Mesazhi nuk mund të jetë një, por disa. Personalisht e kam të vështirë të përcaktoj mesazhin, ose të gjej një e ta përcaktoj. Ajo që është e rëndësishme po të nisemi nga titulli “Lindje, perëndim, lindje”, gjëja më e shtrenjtë, ose gjëja më parimore e njeriut është të kthehet tek origjina, tek familja, individualiteti i tij, në çdo lloj epoke, kthese, mënyre, qoftë edhe për një ngjarje të caktuar kryesore. Kjo është esenca dhe sentenca e “Lindje, perëndim, lindje”. Vetë filmi ka një kolazh karakteresh, ngjarjesh dhe epokash, ka kthesa të vërteta dhe mjaft realiste, gati-gati hiper realiste. Do ta quaja një vizatim historik të një epoke të caktuar të vlerave të vërteta të kombit.Sa e njohur vjen për ju kjo ngjarje që trajtohet në film? Vitet ’90, eksodi, ëndrra për të dalë jashtë Shqipërisë...Për paralelizëm të ngjarjes do të vendosesha gati 90% pothuajse me ngjarjen dhe personazhin e Agimit. Në ‘91 jam nisur për në Itali me anije. Kam qenë në vit të parë në shkollë të lartë, në Akademinë e Arteve. Kam ndenjur një javë në stadium. Ajo që e bën më të ngjashme është fakti se në një ditë të bukur që kishte shumë diell, vijnë disa autobusë për të na marrë dhe për të na sistemuar gjoja në kampet e tyre për refugjatët. Në një moment arrita ta kuptoj se po na kthenin në avion, dhe nuk u shmanga, i hipa autobusit. Një komisar policie, i veshur civil, e kuptoi këtë, më pa dhe më thirri. Donte të më zbriste, por nuk preferova të zbrisja, por të kthehesha, nuk e di pse. “I kam përjetuar vetë ngjarjet e eksodit”Rrema! Do të pyesni kush është Rrema?! Është një 25-vjeçar, një çiklist i zoti, që së bashku me çiklistët e tjerë të drejtuar nga trajneri i tyre nisin rrugën e gjatë nga lindja, për të shkuar në perëndim e për t’u kthyer sërish në lindje. Për aktorin Gentian Hazizi është hera e parë bashkëpunimi me regjisorin e njohur Gjergj Xhuvani, por për të cilën ka bindjen se do të jetë një bashkëpunim i frytshëm dhe tepër komod. Rrema, për Hazizin, është ana tjetër e asaj ç’ka përjetuar 18 vite të shkuara në të vërtetë. Në 1991 ka qenë një nga ata që u nisën me anije drejt Italisë, ku ndenji deri në vitin 1998. Më pas është kthyer dhe larguar sërish. E ka jetuar atë kohë, ato ngjarje, ato momente... Tashmë, si Rrema, ai nuk është më pjesë e eksodit, por një spektator që i sheh ngjarjet nga jashtë, nga larg. “Më pëlqen ky lloj kontrasti, sepse tani e shoh me tjetër sy atë kohë. Eshtë e kundërta e asaj ç’kam përjetuar”, shprehet Hazizi për gazetën, sipas të cilit filmi nuk bën pjesë në ata filmi që “nxijnë” Shqipërinë, por nxjerr një anë pozitive të saj, dhe është një film nacionalist, trajtuar me dashamirësi. “Rrema më ka pëlqyer që në fillim si personazh, sepse ai është i fiksuar pas biçikletës dhe çdo personazh ka specifikën e vet. Eshtë maniak të merret me detaje të vogla të saj. Biçikleta është një nga shpikjet më të mëdha, rrota, është personazh në lëvizje”, tregon aktori, i cili në rrëfimin e tij të shkurtër nuk dëshiron të harrojë pa përmendur dy nga njerëzit me të cilët po punon këto kohë, Shyqyri Tjegllën, trajnerin e çiklizmit, me të cilin po stërviten këto kohë si dhe Pavlo Mihalin, i cili po merret me përgatitjen fizike të tij në palestër. “Gjëja që më pëlqen më tepër te ky film është ndryshe nga filmat e tjerë ku unë kam marrë pjesë, të njihesh shumë kohë para me skenarin dhe të kesh mundësi të punosh kaq shumë kohë me personazhin. Kemi që në tetor që kemi marrë biçikletat dhe që mundohemi të kuptojmë ç’është një çiklist. Kam njohur dhe çiklistë që kanë qenë kampionë, përveç trajnerit, i kam pyetur për çdo detaj se si kanë qenë, se si visheshin, çfarë ëndrrash kishin. Më kanë treguar histori interesante, që nëse i lidh me skenarin e filmit janë pak a shumë të njëjtat histori”, thotë Genti, duke shtuar se filmi këto kohë i ka sjellë në formë nga ana fizike.Beqir Meta braktis MuzeunBeqir Meta braktis Muzeun Historik Kombëtar. Prej më shumë se një vit në krye të këtij institucioni kulturor, drejtori i MHK-së bën me dije largimin e tij nga ky post dhe emërimin e tij si nëndrejtor i Instituti të Albanologjisë dhe drejtor i Institutit të Historisë. I pyetur nga gazeta “Panorama” Meta thotë se, largimi i tij ka qenë pa asnjë ofertë të bërë për këtë post, ku sipas tij ka investuar më tepër. Megjithatë zëra të tjerë bëjnë me dije se largimi i Metës është bërë nga vetë ministri Ylli Pango. Në të vërtetë gjatë një interviste të mëparshme për gazetën Pango nuk ka qenë dakord me ngjarjet që po përjetonte kohët e fundit Muzeu Historik Kombëtar. “Për muzeun jo më vonë se dy muaj pasi kam nisur punën si ministër, i kam treguar drejtorit fare qartë konceptim tim dhe ku konsistonte. Të kemi pavijonin arkeologjik, që përfaqëson vërtetë se çfarë prejardhje kemi dhe çfarë qytetërimi të lashtë. Duke u marrë me këtë thelb, ndryshim konceptual të muzeut, ne do të jepnim një muze që përfaqëson identitetin kombëtar dhe pastaj le të diskutohej dhe fasada. Më kini dëgjuar të prononcohem për fasadën. Jo! Sepse kam tjetër koncept për muzeun”, është shprehur Pango në intervistë. Por nga ana tjetër dje drejtori i Muzeut, Meta tregon keqardhje për largimin e tij nga ky post, për faktin se është në përfundim e sipër puna për pavijonin e etnografisë dhe arkeologjisë. “Më vjen keq që po largohem në këtë kohë që është në përfundim pavijoni për etnografinë dhe arkeologjinë, por unë do të shkoj atje ku kam investuar më shumë për vite me radhë”, thotë ai. Ndërkaq, tregon se është ende në pozicionin e drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar deri në momentin që nga ministria të emërohet një tjetër drejtor që do ta zëvendësojë.