Rusi, bota kritikon procesin “tradicional” të votimit
• Fitorja e Dmitry Medvdev në postin e presidentit të ri të Rusisë si pasues i Vladimir Putinit, u vlerësua nga vëzhguesit ndërkombëtarë si përfundim i një procesi jo të drejtë.“Ne mendojmë se në këto zgjedhje nuk kishte liri, nuk është e drejtë”, tha Andreas Gross, kreu i vëzhguesve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Ndërsa vazhdonte ende numërimi i votave, në orët e para të së hënës, Medvedev tha se do të vazhdonte kursin e pararendësit të tij (Putin) si në politikën e brendshme, ashtu dhe në atë të jashtme duke konfirmuar edhe mbetjen në pushtet të Putin, i cili do të zhvendoset nga Presidenca në Kryeministri. Dy zyrtarët pak pas mesnatës dolën para mbështetësve të tyre në Sheshin e Kuq dhe premtuan bashkëpunim me njëri-tjetrin. Vëzhguesit perëndimorë në këto zgjedhje ishin vetëm një grup prej 25 anëtarësh nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, dhe ata komentuan se mandati i Medvedev si president do të ishte solid, por se procesi, kishte pasur të meta, të cilat vinin në dyshim zgjedhjet demokratike në Rusi. Ndërkohë liderët e vendeve perëndimore dhe të Bashkimit Evropian i kanë uruar fitoren Dmitry Medvedevit në zgjedhjet presidenciale në Rusi. Presidenti i SHBA-së, Xhorxh Bush tha se ai “mezi pret” që të punojë me Medvedevin. Ndërsa kreu i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso tha se është i bindur se Brukseli dhe Moska mund të zhvillojnë partneritetin e tyre strategjik. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Christiane Hohmann tha se komisioni dëshiron ta përmirësojë dialogun me Rusinë. Kryeministri britanik Gordon Braun tha se ai do ta gjykojë administratën e re në bazë të veprimeve të saj ndërsa zyra e kancelares gjermane Anxhela Merkel tha se ajo ka shprehur keqardhje për parregullsitë që janë paraqitur gjatë votimit. Nga Franca, ministri i Jashtëm Bernard Kushner, tha se “zgjedhja është kryer në stilin rus, me fitore që dihej që më parë”.