E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka: Spitalet pa standarde, do të kthehen në poliklinika

• “Spitalet, që nuk ofrojnë shërbimin e kërkuar, do të kthehen në poliklinika”, këtë deklaroi dje ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, gjatë konferencës kombëtare “Performanca spitalore në Shqipëri”.Sakaq organizatori i kësaj konference njëkohësisht edhe drejtori i Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit, Isuf Kalo, u shpreh se aktualisht standardet nuk plotësohen nga asnjë prej spitaleve të vendit. Këtë e dëshmojnë edhe rezultatet e monitorimit të performancës së 12 qendrave spitalore, sipas së cilave vihen re mangësi në ofrimin e shërbimit ndaj pacientëve. “Të zbatuara në praktikë treguesit e standardeve identifikojnë nevojën për ndryshime organizative dhe menaxheriale në nivel spitalor dhe qendror, e duke bërë një hap përpara drejt akreditimit të spitaleve, kjo gjë do të mundësojë informacionin e nevojshëm, për t’i lënë të drejtë qytetarëve që përpara për përzgjedhjen e spitalit ku do të trajtohen”, tha Kalo. Sipas tij, rezultatet e vlerësimit të cilësisë dhe performancës në 12 spitalet më të mëdha të vendit treguan se, këto institucione kanë përgjithësisht të njëjtat probleme në arritjen e standardeve. “Nisma ka të bëjë me orientimin e pacientëve drejt shërbimit më të mirë. Risia e këtij vlerësimi nuk është kontrolli, por në fillim ne u kemi dhënë kohën që spitalet të vetëvlerësojnë veten, duke pikëzuar vetë mënyrën e ofrimit të shërbimeve mjekësore”, u shpreh Kalo. Ministri Ndoka theksoi se, po punohet për prodhimin e mjeteve për vlerësimin e performancës spitalore, si një kusht i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimit. “Kjo, pasi spitalet, përveçse qendra diagnostikuese kurative, duhet të jenë njëkohësisht qendra  krijuese të metodologjisë së kujdesit mjekësor, qendra edukuese e formuese të stafit, qendra kërkimore shkencore, të promovimit të shëndetit dhe faktor i rëndësishëm social në territorin ku ato ndodhen dhe operojnë”, theksoi Ndoka. Spitalet janë qendrat më të mëdha të ofrimit të kujdesit shëndetësor ndaj popullatës. Në to  punojnë afro 3/4 e numrit të përgjithshëm të mjekëve dhe  investohen rreth 70 % e burimeve totale financiare, në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›