Përdorni prezervativët!

Katolikët e rinj që marrin pjesë në festimet e Ditës Botërore të Rinisë në Sidnei, mund ta gjejnë veten “të pushtuar” nga ofertat për prezervativë falas, pasi tashmë aktivistët mund ta kryejnë “misionin e tyre” pa pasur frikë nga gjobat marramendëse apo arrestimet e policisë. Një gjykatë australiane rrëzoi dje vendimin, i cili u jepte forcave të rendit të drejtën për të arrestuar këdo që “bezdis” pelegrinët. Aktivistët iu kundërvunë qëndrimit të kishës kundër kontraceptivëve dhe abortit, duke apeluar në mënyrë të suksesshme kundër ligjeve të miratuar nga qeveria e Wellsit Jugor të Ri. Anëtarët e koalicionit “Jo Papës” argumentuan gjatë një sfide ligjore në gjykatë, se rregullat për mosbezdisjen e pelegrinëve katolikë, të cilat përfshijnë gjoba deri në 5 mijë dollarë, ishin të pavlefshme dhe kundër lirive civile të individit. Tre gjykatës ranë dakord, duke thënë se masat e marra fillimisht për të ndihmuar policinë të ruajë rendin gjatë festimeve 6-ditore, nuk duhen interpretuar si kufizime ndaj individit. Studentët Rachel Evans dhe Amber Pike, që sfiduan legjislacionin, thanë se ato dhe aktivistët e tjerë do t’u shpërndajnë tani prezervativë falas dhe pamflete pelegrinëve. Ata thanë se do të përpiqen të tërheqin vëmendjen e pjesëmarrësve edhe ndaj problemit të abortit. Veç kësaj, Evans tha se protestues me bluza ku shkruhet “Papa e ka gabim, vendosni prezervativët”, do të marshojnë përgjatë qytetit të shtunën. “Tani kemi më shumë besim që të dalim në rrugë dhe të bëjmë fushatën tonë kundër dënimit të prezervativëve, homoseksualitetit dhe abortit”, - tha ajo, duke shtuar se aktivistët nuk po përpiqen të bindin askënd, por thjesht duan t’u tregojnë njerëzve mbi qëndrimin e Papës ndaj këtyre çështjeve. Kisha Katolike nuk ka bërë ende komente mbi vendimin, i cili u bë publik pikërisht në ditën zyrtare të fillimit të festimeve të këtij evenimenti. Por koordinatori i Ditës Botërore të Rinisë, peshkopi Anthony Fisher, pati deklaruar më parë, se njerëzit janë të lirë të protestojnë në mënyrë paqësore. Sa i përket shpërndarjes së prezervativëve, ai u shpreh se kjo gjë ka ndodhur edhe më parë në vende të tjera, por pelegrinët e injorojnë një gjë të tillë, duke i hedhur në tokë ato. Gjithsesi, vendimi i ka zbehur paksa festimet për evenimentin gjigant që bazohet tek feja, i mbiquajtur si Festivali i Paqes, Dashurisë dhe Krishterimit, ku vetëm këtë vit pritet të marrin pjesë 500 mijë vetë. Dhjetëra-mijëra pelegrinë morën pjesë në meshën e hapjes në portin e Sidneit, dje në mbrëmje, ku u mirëpritën nga vetë kryeministri australian, Kevin Rudd. Ndërsa Papa Benedikti, i cili udhëtoi që nga Roma, në udhëtimin më të gjatë në tre vjet të papatit të tij do të marrë në dorë drejtimin e evenimentit nesër, kur pritet të bëjë edhe një apologji për viktimat e abuzimeve seksuale nga priftërinjtë katolikë të Australisë.