Zjarret, 4 në pranga, 34 ha pyje shkrumb

TIRANË - Flakët e zjarrit të dy ditëve më parë kanë qenë të qëllimshme. Lajmi bëhet e ditur përmes një njoftimi për shtyp të Policisë së Shtetit, e cila bëri publikë edhe katër emrat e personave të arrestuar si zjarrvënës. Sidoqoftë, edhe gjatë ditës së djeshme pati sërish flakë që shkrumbuan e bënë hi zona të ndryshme. Sipas burimeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Zjarrfikësve, gjatë ditës së djeshme pati zjarre në zonën e Semanit, ku ishin edhe dëmet më të mëdha, pasi u dogjën 34 hektarë pyje, në Vlorë, në Lushnjë, në kodrat e Fierit, si dhe në Pukë, Kurbin dhe Korçë.
Të arrestuarit
Dy banorë të qytetit të Vlorës dhe dy të Fierit kanë rënë në pranga dhe sipas ligjit, ata rrezikojnë deri në 10 vjet burg për konsumim të veprës penale të “shkatërrimit të pronës me zjarr”. Forcat policore të Vlorës arrestuan 72-vjeçarin Qerim Çeloaliaj, lindur e banues në fshatin Dukat, dhe Jorgo Gjikoka, 70 vjeç, lindur në fshatin Dukat e banues në lagjen “Partizani”. Shkak për prangosjen e Celoaliajt u bë ngjarja e djeshme, kur rreth orës 10:00, në vendin e quajtur “Qafa e Derrit”, Dukat Fushë, ka djegur kashtën në një parcelë të tijën. Zjarri mori përmasa të mëdha, duke djegur më pas pjesërisht fabrikën e ujit “Dukat”, dy banesa, si dhe ullinj e pemë frutore. Ndërkohë që Gjikoka, rreth orës 08:45, në vendin e quajtur “Qafa e Luarit” në Orikum, ka djegur disa ferra e mbeturina. Më pas flakët e zjarrit janë përhapur me shpejtësi, duke djegur një sipërfaqe të madhe me ullinj, si dhe një stallë bagëtish. Ndërsa policia e Fierit arrestoi Fiqiret Murrizin, 48 vjeç dhe Dine Abazajn, 58 vjeç. Murrizi mësohet t’i ketë vënë zjarrin një ngastre me barishte dhe ferra në fshatin Shëneprente, ku pasi zjarri ka dalë jashtë kontrollit, është djegur një sipërfaqe toke me 35 rrënjë ullinj, si dhe janë rrezikuar disa shtëpi. Ndërkohë që Abazaj është kapur në flagrancë nga në orën 14:00 në vendin quajtur Abazaj të fshatit Rriban të Mallakastrës, duke djegur një sipërfaqe me pisha prej 12 mijë metrash katrorë. Me arrestimet ka nisur edhe ndjekje penale në gjendje të lirë për punonjësit e Shërbimit Pyjor të Drejtorisë Pyjore Mallakastër, për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, pasi këta punonjës, megjithëse ishin njoftuar për zjarrin në fjalë, kanë shkuar dy orë me vonesë në vendin e ngjarjes, duke neglizhuar maksimalisht kryerjen e detyrës nga ana e tyre.
Zjarret
Gjuhët e flakëve kanë përpirë në 24 orët e fundit shumë zona të qyteteve shqiptarë, duke përfshirë këtu edhe ato turistike. Situata e krijuar nga zjarret vazhdon të jetë kritike në dy zonat turistike të Fierit, Seman dhe Darëzezë. Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Tomë Therçaj, dy nga katër vatrat e zjarrit që u regjistruan një ditë më parë në këto zona, vazhdojnë të jenë aktive. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar vatra zjarri edhe në rrethet e Korçës, Kavajës, Shkodrës, Mallakastrës dhe Kurbinit, por janë shuar plotësisht dhe situata është nën kontroll. Sipas Therçajt, një avion “Canader” i sjellë nga Italia, po vepron nga ajri për shuarjen e vatrave të mbetura aktive në dy zonat e Fierit. Ky avion mban 6 mijë litra ujë për çdo fluturim dhe mund të furnizohet në det, liqen apo vende të tjera ku thellësia duhet të jetë 1 metër. Ndërsa zjarri që ra dje në ekonominë pyjore Kërrabë-Bushat të rrethit të Pukës në orën 15:30, u vu nën kontroll në orët e mbrëmjes nga shërbimi pyjor, të cilët u ndihmuan edhe nga reshjet e shiut. Është vënë nën kontroll gjithashtu edhe zjarri që ra në një sipërfaqe pyjore të Malit të Çikës, mbi Palasë të Vlorës. Shumë forca të shërbimit pyjor janë vënë në gatishmëri në këtë zonë, me qëllim moslejimin e përhapjes së flakëve drejt Parkut Kombëtar.