E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Shitja e mineraleve, shpërdorim i pasurisë

Financat nuk heqin dorë nga rritja e rentës minerare

Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka lëshuar replika të ashpra ndaj dikasterit të Ekonomisë mbi shitjen e mineraleve. Numri një i Financave e ka cilësuar shpërdorim të pasurisë kombëtare shitjen e mijëra tonë mineraleve, në një kohë që të ardhurat që shkojnë në arkën e shtetit janë shumë të ulëta. Deklarata e kreut të Financave gjatë analizës së tatimeve hedh përfundimisht poshtë kërkesën e ministrit të Ekonomisë, Genc Rulit, për mosrritjen e taksës së shitjes së mineraleve. Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ka kundërshtuar rritjen në masën 8 për qind të taksës së mineraleve, pasi në përcaktimin e saj nuk janë marrë parasysh mjaft kritere. Aktualisht renta minerare (taksa që paguhet për çdo transaksion të shitjes së mineraleve) është 2 për qind, por nga 1 janari 2009 kjo taksë do të shkojë në nivelin 10 për qind. Por kërkesa e ministrit të Ekonomisë nuk ka bindur kreun e Financave, madje ky i fundit është shprehur se rritja e kësaj takse nuk do të lejojë më shpërdorimin e pasurive të vendit. Përveç kësaj, ministri i Financave ka deklaruar se të ardhurat që arkëtohen nga shitjet janë mjaft të ulëta, në një kohë që eksportet janë në nivele të larta. “Jemi duke reflektuar e parë mundësinë e përmirësimit të sistemit fiskal në atë të rivlerësimit të të gjithë pasurisë kombëtare që ka Shqipëria dhe moslejimin e shpërdorimit të këtyre pasurive kombëtare, për shkak të mungesës së vëmendjes që ndodh me ose pa dashje edhe nga dikastere të tjerë. Bëhet fjalë pikërisht për rentën minerare, ku në një vit, konkretisht viti 2007, janë arkëtuar vetëm 90 milionë lekë rentë minerare, kur nga Shqipëria dalin me mijëra tonë krom, hekur, naftë dhe minerale të tjera të rralla, dhe ne bëjmë sehir dhe askush nuk merr përsipër të evidentojë vlerën e vërtetë të këtyre eksporteve, por pranojmë të na thonë se nafta në eksport është me 30 euro, kur në bursën ndërkombëtare ka shkuar me 130 dollarë”, tha Bode. Pak ditë më parë, Ministria e Financave hartoi projektligjin për ndryshimet në taksat kombëtare, e cila parashikonte rritjen e rentës minerare në 8 për qind. Kjo është kundërshtuar nga ministri i Ekonomisë, i cili në një letër dërguar Financave argumentonte se ky vendim bie ndesh me dispozitat e ligjit minerar në fuqi. Përveç kësaj, ministri i Ekonomisë në argumentet e tij ka veçuar që renta minerare nuk mund të jetë konstante për të gjitha llojet e mineraleve. Pra, gjatë që studimit që Ministria e Ekonomisë ka kryer me Bankën Botërore dhe eksperiencën e vendeve të huaja, kjo taksë nuk mund të jetë konstante, por ndryshon në bazë të tipit të mineralit çmimit të tij në tregun botëror dhe sasinë e prodhimit. Madje, në kërkesën e saj Ministria e Ekonomisë ka thënë se ligji i ri me Bankën Botërore përfundon në dhjetor të vitit 2008 dhe ky ligj do të përcaktojë në mënyrë të qartë vlerën e rentës së pasurisë minerare. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›