E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perënditë e njerëzit përmes miteve

Çfarë kishte kur ende nuk ekzistonte diçka, kur nuk kishte asgjë? Kësaj pyetjeje grekët i janë përgjigjur me rrëfenja dhe mite. Botimet IDK sjellin në shqip librin Gjithësia, perënditë, njerëzit të Jean-Pierre Vernant, një ndër dijetarët më të famshëm të mitologjisë greke, i cili në këtë ritregim magjepsës të miteve greke kombinon njohuritë e tij të thella me një stil rrëfimi krejt origjinal. Duke e filluar me krijimin e Tokës nga Kaosi, rrëfimi i tij vazhdon me tredhjen e Uranit, luftën e Titanëve, perënditë e Olimpit, dredhitë e Prometeut e të Zeusit dhe krijimin e Pandorës, gruas së parë. Rrëfenja e tij i çon lexuesit nga lufta e Trojës te udhëtimet e Odiseut, nga historia e Dionisit te fati i tmerrshëm i Edipit, deri në përballjen e Perseut me Gorgonat. Një libër për këdo që dëshiron të dijë diçka më shumë për një ndër trashëgimitë më të rëndësishme të njerëzimit. Jean Pierre Vernant ia ka kushtuar gjithë jetën studimit të mitologjisë greke. Duke na ritreguar këto rrëfenja, ai na zbulon domethënien e tyre të shumëfishtë dhe sjell në jetë figurat e dashura të legjendave, ku i ka rrënjët e origjinës qytetërimi ynë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›