Perez: Mou, trajner i Realit Klauzola, pengesë nga Interi
Zhoze Murinjo është trajneri i ri i Real Madridit. Lajmi është dhënë nga vetë Presidenti madrilen, Florentino Perez, në konferencën për shtyp që pasoi mbledhjen e juntës drejtuese të klubit spanjoll. Ai ka zyrtarizuar shkarkimin e Manuel Pelegrinit: “Jemi të bindur që ishte e domosdoshme të ndryshonim, cikli i tij u mbyll. Për Murinjon duhet vetëm të presim, të zgjidhë kontratën e tij me Interin, vazhdoi ai. Kam folur në telefon me Moratin, shpresoj që të zgjidhet sa më shpejt kjo situatë. është trajneri më fitues se të gjithë dhe ne kemi një projekt shumë ambicioz. Duam të përsërisim këtu atë që ka bërë me Interin”. Lajmi i Mourinjos ("Do të iki") menjëherë pas ndeshjes ka vënë në punë një mekanizëm të tmerrshëm mediatik, që tani ka kaluar në vend plan të dytë Championsin. Për këtë arsye, Masimo Morati është mërzitur. E ka me Realin, që është treguar aspak “fair play” me klubin zikaltër (siç ndodhi në 2002 me Ronaldon), dhe me Murinjon, që mundej ta menaxhonte më mirë daljen nga skena. Por dhe trajneri do të kishte arsyet e tij për keqardhje. “Special” thekson se kishte marrë nga Morati një premtim, se në rast të fitores së Champions League trajneri do të ishte i lirë të ikte diku tjetër dhe pa paguar të famshmen klauzolë prej 16 milionë eurosh. Prandaj Murinjo ka zhvilluar shumë shpejt tratativa me Realin dhe pas fitores së Champions-it është ndier i lirë nga çdo detyrim. Ndërsa Morati tani pretendon shlyerjen e klauzolës ("E ka ngrënë fjalën”, pëshpëritin nga Madridi) dhe çështja është komplikuar goxha. Sepse të martën, Interi dhe Reali (i përfaqësuar nga drejtuesi Angel Sanchez e Horge Mendes, menaxheri i Mou) kanë diskutuar për 16 milionët, pa gjetur një marrëveshje. është folur për lojtarët që mund të përfshihen në tratativa: Murinjo do të donte Maikon, Milito e Shnajder. Holandezi ka hedhur poshtë gjithçka. Edhe Interi nuk e lë të lirë. Maksimumi mund të shesë Kuarezmën, “pakon”, që Murinjo ia solli Interit dy sezone më parë dhe që do të largohet nga zikaltrit. Por situata është bllokuar, dhe nervozizmi rritet në të dy frontet. Murinjo vetë dje ka deklaruar përfundimisht: “Tani jam me pushime, më pas do të punoj në Spanjë”. Atyre që e pyesnin nëse kishte mundësi të qëndronte, ai u përgjigjet: “E pamundur, e pamundur”. Ai duhej të ishte që dje në Madrid, por ka shtyrë udhëtimin, edhe pse Reali nxiton ta mbyllë marrëveshjen. Të martën, trajneri ka boshatisur raftin e tij në dhomat e zhveshjes dhe skrivaninë në zyrën e tij, pas dy vitesh punë. është përshëndetur me të gjithë atë që punojnë në Pietina, edhe ata me të cilët nuk ka pasur kurrë marrëdhënie të mira në këto dy vite, por Morati shfaq humorin e tij jo të mirë, dhe deklaron: “Gjithçka e mbyllur? Posi, gjithçka... Praktikisht nuk kemi nisur ende të diskutojmë. Të themi shqetësimi për sjelljen e Murinjos është kaluar falë faktit se ai ka arritur objektivat që dëshironim. Shqetësimi real është tani, duhet të gjejmë një trajner të ri. Murinjon nuk do ta takoj sot (dje)”. Por nuk lë shpresa për një zgjidhje, ashtu siç pretendon Murinjo, pa paguar klauzolën 16 milionë euro.
#