E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shnajder bën hap mbrapa: Do të qëndroj me Interin

Mesfushori Holandezi synon të vazhdojë aventurën me zikaltërit, për të mbrojtur titujt

Ashtu si ndodhi me Diego Militon, i cili bëri hap mbrapa rreth deklaratave që e linin në pikëpyetje të ardhmen e tij tek Interi pas triumfit në Champions, e njëjta histori përsëritet edhe me Uesli Shnajder. Të martën, holandezi deklaroi se gjithçka mbetet e hapur rreth rikthimit te Reali i Madridit, por ai nuk humbi kohë të nënvijëzonte se dëshiron të qëndrojë në Milano: “Do të qëndroj me Interin, nuk largohem prej këtej”, deklaroi 26-vjeçari për televizionin holandez, “Nos”. “Përjetova një vit fantastik, gjatë të cilit fitova tre trofe. Interi duhet t’i mbrojë këta tituj dhe këtë do ta bëjë edhe nëpërmjet kontributit tim”. Ai shtoi: “Vitin e ardhshëm kemi shansin të fitojmë edhe tre trofe të tjerë dhe unë dua të jem aty për të luftuar. Ndoshta gjithçka mund të ndryshojë pas sezonit të ardhshëm, por është e sigurt që unë do të luaj me fanellën zikaltër edhe për një edicion”.

Me fjalë të tjera, Shnajder nuk do ta braktisë Masimo Moratin. Fantazisti bëri një pohim të nxituar, reflektoi gjatë natës për fjalët që tha dhe menjëherë përgënjeshtroi vetveten. Ose më saktë, interpretimin që mediat i bënë deklaratës së tij. Ai nuk e kishte parashikuar për asnjë moment se batuta do të bënte kaq shumë bujë. Dëshira për të vazhduar aventurën me zikaltërit e ka një logjikë: Duke luajtur në Milano, me Interin, Shnajder rilindi. Kjo edhe për faktin se trajtimi për holandezin ka qenë i jashtëzakonshëm, e skuadra, klubi, por edhe tifozët e kanë mbajtur në pëllëmbë të dorës. Me fjalë, ai është adhuruar nga të gjithë. Uesli Shnajder nuk ka asnjë arsye për të menduar transferimin. Madje, as për t’u kthyer në Madrid, skuadër nga e cila e larguan si të panevojshëm. Nëse gjithçka do të shkojë sipas parashikimeve, Interi dhe Shnajder do të vazhdojnë bashkëpunimin. Zhoze Murinjo, i cili e kërkon me patjetër te Reali, duhet të zgjedhë një tjetër organizator. “Me trajnerin nuk kemi folur kurrë për këtë çështje”, shtoi lojtari. Tifozët zikaltër mund të flenë të qetë. “Eksodi” i yjeve pas triumfit në aktivitetin më prestigjioz për klube në Europë, të paktën deri më tani duket se është evituar.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›