E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton ligjin për financimin nga buxheti i shtetit të bashkësive fetare

Këshilli i Ministrave miratoi dje, ligjin “Për financimin nga buxheti i shtetit të bashkësive fetare që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave”. Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kryeministri Berisha vlerësoi rëndësinë e këtij ligji, i cili sipas tij “është shumë i rëndësishëm për infrastrukturën shpirtërore të kombit”. Duke e konsideruar laicizmin si trashëgiminë dhe traditën më të shkëlqyer të shtetit, Kreu i Qeverisë vlerësoi se “nga ana tjetër, besimet fetare janë gurrat e mëdha të cilat ushqejnë shpirtrat e shqiptarëve”. “Bashkësitë fetare kanë dhënë një kontribut të madh në rindërtimin e vlerave të cenuara nga një regjim barbar. Institucionet e kultit, drejtuesit lokal dhe qendror të besimeve fetare dhe besimtarët shqiptarë me përkushtim të madh ndaj vlerave dhe Zotit e rikthyen gradualisht Shqipërinë e ateizmit të imponuar në Shqipërinë e vlerave njerëzore dhe hyjnore”, u shpreh Kryeministri Berisha. Miratimi i këtij ligji, sipas Kryeministrit Berisha “është një obligacion dhe detyrim madhor i vendit dhe shtetit për të njohur kontributin e madh, si dhe për t’u mundësuar atyre të ushtrojnë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga doktrinat fetare të bashkuara të gjitha tek Zoti”.
Qeveria do të paguajë shpenzimet e studentëve që do të pranohen në 10 universitetet më të mira të botës
Shpenzimet e të gjithë studentët shqiptarë që do të pranohen në 10 universitetet më të mira të botës, do të paguhen nga Qeveria. Ishte ky vendimi që u miratua dje nga Këshilli i Ministrave. Ky vendim merret në kuadër të fondit të ekselencës për të mbështetur studentët shqiptarë me rezultate të shkëlqyera, që arrijnë të pranohen në universitetet më të mira të Europës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në të gjitha nivelet e studimit, diplomë e nivelit të parë, master dhe doktoraturë. Studentët që do të përfitojnë nga kjo nismë e qeverisë shqiptare, do të kenë detyrimin të kontribuojnë në Shqipëri për një periudhë 7 vjeçare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›