E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duro: Ja kategoritë që do të përfitojnë nga ndryshimi i skemës ekonomike

Skema e ndihmës ekonomike do të përfshijë shumë shpejt edhe kategori të tjera familjesh në nevojë. Përfitimi i kësaj skeme nuk do të ketë më vetëm kriterin ekonomik. Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro, shprehet se “ndryshimet e propozuara në skemë do të zgjerojnë kategoritë e përfituesve, kjo pasi në praktikë u vërejt se kishte lindur nevoja e garantimit të përfshirjes së disa grupeve të papërfshira në skemë”. Këto kategori, sipas Duros, do të përjashtohen nga llogaritja e të ardhurave, kur familjet në nevojë kanë si kryefamiljar njërin nga fëmijët për arsye të vdekjes së prindërve, ose kur njëri prej prindërve është dënuar, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton. Po ashtu, parashikohet të përfshihen ato familje që kanë si kryefamiljar një person me aftësi të kufizuara fizike e mendore, paraplegjik dhe tetralegjik ose invalid pune, familjet që kanë si kryefamiljare nënën, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton; si kryefamiljar një individ që është mbi moshë pune dhe që nuk përfiton pension, si dhe kur anëtarët e familjes së tij janë mbi dhe nën moshe pune, të cilët nuk përfitojnë pension. Tre muaj më parë, me urdhër të Kryeministrit Berisha, filloi nga puna grupi ndërministror, drejtuar nga ministri i Punës, për të marrë në shqyrtim dhe për të propozuar ndryshimet përkatëse në Ligjin “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, me qëllim reflektimin e nevojës për garantimin e përfshirjes së disa grupeve si përfitues të ndihmës ekonomike. Grupi ndërministror është mbledhur disa herë dhe tashmë ka përfunduar draftin paraprak për ndryshimet e ligjit. Drafti, pas konsultimit me ministritë e linjës, është paraqitur për miratim në Këshillin e Ministrave.
Ekzaminimet e shtrenjta- Personat e siguruar paguajnë vetëm 10% të kostos reale
Të gjithë personat e siguruar përfitojnë ekzaminimet unikale terciare në shërbimin shëndetësor publik me rimbursim në masën 90%. Personat e siguruar paguajnë vetëm 10% të çmimit të ekzaminimeve të shtrenjta pranë Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, ndërsa përfitojnë falas fëmijët 0-12 muajsh, invalidët e plotë, invalidët e luftës, veteranët, si dhe të sëmurët me TBC dhe CA. Ndërkohë, këto shërbime shëndetësore nuk përfitohen me këto lehtësira në spitalet private. Sipas zv/ministrit të Shëndetësisë, Arben Ivanaj, aktualisht po punohet në këtë drejtim, për krijimin e infrastrukturës ligjore të nevojshme për të ndërmarrë këtë hap. Si pjesë e reformës së ndërmarrë këtë vit në sistemin shëndetësor spitalor, krahas spitaleve publike, në skemën e sigurimeve shëndetësore do të përfshihen gradualisht dhe ato private. Në ekzaminimet e shtrenjta, 11 të tilla, përfshihen rezonanca magnetike pa kontrast, kostoja reale e të cilës është 20.000 lekë, rezonanca magnetike me kontrast, me vlerë reale 35.000 lekë, CT Scann, 12.500 lekë, CT Scann koke, kolonë me kontrast, 12.500 lekë, etj. Të gjithë personat e siguruar paguajnë vetëm 10% të kostos së këtyre shërbimeve. Ndërkohë, përsa i përket listës së barnave të rimbursueshme, të gjithë personat e siguruar përfitojnë kundrejt paraqitjes së recetës së lëshuar nga mjeku i përgjithshëm i familjes, pranë farmacive që kanë kontratë me Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shëndetësore. Bazuar në të dhënat, rreth 85% e farmacive që operojnë në vend kanë kontratë me DRSKSH-të në rrethe. Vitin e kaluar rreth 750 farmaci dhe 100 depo (nga të cilat 40 importuese dhe 60 distributore) kishin kontrata me Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Barnat e listës së rimbursuar jepen falas për fëmijët 0-12 muajsh, invalidët e plotë, pensionistët, të verbrit dhe jetimët, për veteranët me sëmundje kronike dhe invalidët e luftës, si dhe për të sëmurët me tumor, transplant të veshkës, skleroze multiple, talasemia major.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›