E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përforcimet ‘gratis’

Në një periudhë krize, klubet evropiane të futbollit mund ta zgjedhin kursimin, para se të shpenzojnë para të majme, për të marrë lojtarë të rinj, por edhe me përvojë, të cilëve u skadon kontrata në vitin 2013. Huntelaar, Llorente, Kuzmanovic, Walcott, Sissoko etj, janë vetëm disa nga lojtarët e lirë, të cilët mund të kryenin punë në skuadra të ndryshme.

Në një kohë krize si kjo, kursimi është një fjalë që po gjen gjithnjë e më shumë vend te drejtuesit e klubeve evropiane. Kërkimet për transferime të lojtarëve pa paguar dëmshpërblim ka filluar muaj më parë dhe do të vazhdojë edhe në javët e ardhshme. Në shënjestër janë të rinjtë me një perspektivë të ndritshme, ose ata lojtarë që janë të lirë dhe pa kontrata.

Ndër ta ka lojtarë që u skadon kontrata në verën e vitit 2013 dhe klubet e interesuara mund t’i përvjelin mëngët qysh në janar, kur sipas rregullores, atyre u lejohet bisedimi me klube të ndryshme. Uebfaqja italiane calciomercato.com e ka publikuar listën e futbollistëve më interesantë të lirë, vend për vend.

Angli

Në Premierligë, emri më i rëndësishëm është ai i Theo Walcottit, sulmues krahu i Arsenalit dhe i përfaqësueses angleze, njëjtë si mbrojtësi i majtë i Chelseat, 32-vjeçari Ashley Cole. Ndërkohë, do të ishte një ‘goditje’ e mirë në qendër të mbrojtjes futbollisti i Manchester Cityt, Kolo Toure. Ndërsa, edhe Franck Lampard 34 vjeç, që do ta mbyllë kapitullin me Chelsean, do të ishte një zgjedhje ideale dhe një përforcim me një lojtar të njohur.

Spanjë

Ka eksperiencë të madhe 34-vjeçari i Real Madridit, Ricardo Carvalho, njëjtë si i riu me perspektivë, Muniesa, mbrojtës qendror i lindur në vitin 1992, që luan në Barcelonë. Javier Saviola i Malagës garanton gola, ndërsa në fund të sezonit i skadon kontrata edhe mesfushorit ofanziv të krahut, Joaquin. Pa dyshim, përforcimi më i madh do të ishte Fernando Llorente, i cili do të kryejë punë me Athletic Bilbaon gjatë verës së ardhshme, njëjtë si mbrojtësi i përfaqësueses spanjolle U19, Ramalho.

Gjermani

Edhe në Bundesligë, ka ‘rrush’ zgjedhjesh. Van Buyten e Pizarro të Bayern Munichut janë dy lojtarët e vjetruar, por që mund ta japin kontributin e tyre, kudo që shkojnë. Në sulm, Klaas-Jan Huntelaar i Schalkes do të ishte një përforcim i madh që shënon gola vazhdimisht, kurse Mike Hanke i Borussia Moenchengladbachut mund të jetë një zgjedhje e mençur, njëjtë si braziliani i natyralizuar në gjerman, Cacau, që luan në Stuttgart.

Në klubin e Mercedesit, me kujdes mund të ndiqet edhe mesfushori Kuzmanovic dhe një futbollist tjetër klasi i kësaj pozite, Lews Holtby, që aktualisht aktivizohet me Schalken.

Të tjerë lojtarë që mund të kryenin punë janë edhe Simon Rolfes, mesfushor i Bayer Leverkusenit, mesfushori ofanziv hungarez i Stutgartit, Hajnal dhe 21-vjeçari mesfushor ofanziv i Werder Bremenit, Felix Kroos, vëlla i të famshmit Toni, që luan në Bayern Munich.

Francë

Mapou Yanga-Mbiwa mbi të gjitha, nga Montpellier, është bërë objektiv i disa skuadrave, sidomos i Milanit, i cili gjatë verës së ardhshme mund ta marrë ‘gratis’. Pastaj sulmuesi John Utaka, që luan po ashtu në Montpellier, ndërsa nuk është për t’u hedhur poshtë as sulmuesi i Paris Saint-Germainit, Guillaume Hoarau. Në mesfushë pëlqehet nga gjysma e Evropës, mesfushori Moussa Sissoko, që luan në Toulouse, kurse ekipeve do t’u kryente punë edhe Jordan Ayew i Olympique Marseilles, vëlla i të njohurit André Ayew.

Portugali

Ka ende se çka të tregojë Pablito Aimar, mesfushor ofanziv i Benficës, ndërsa mund të kryente punë edhe mbrojtësi qendror i Sporting Lisbonës, Daniel Carriço. Ia vlen edhe angazhimi i mesfushorit të Sporting Bragës, Hugo Viana.

Holandë

Në Eredivisie, ish-përfaqësuesi holandez, Orlando Engelaar nga PSV-ja, mund të jetë i dobishëm, ndërsa e njëjta gjë vlen edhe për futbollistin shqiptar me pasaportë serbe, Miralem Sulejmani, që luan në Ajax.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›