E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po gaboni

Bylbyl Sokoli vazhdon ta konsiderojë të gabueshme rrugën që e ka zgjedhur Federata e Futbollit e Kosovës për t’u anëtarësuar në UEFA e FIFA. Sipas tij, duke kërkuar leje për të luajtur ndeshje miqësore, Kosova vetëm sa po i shton dyshimet negative për veten e saj në këto dy organizata. Ai i sugjeron Fadil Vokrrit që të kërkojë vetëm ndërkombëtarizim të plotë, qoftë edhe nëpërmjet Gjykatës së Arbitrazhit, ngase ka fakte të mjaftueshme për të triumfuar.

Trajnerit të njohur, Bylbyl Sokolit, i cili është anëtar i Këshillit Profesional në Federatën e Futbollit e Kosovës (FFK), asnjëherë nuk i ka pëlqyer mënyra se si FFK-ja ia ka mësyrë anëtarësimit në UEFA e FIFA.

Ai insiston se ajo rrugë nuk është më e shkurta që e çon te caku futbollin kosovar. E këtë bindje njohësi i mirë i futbollit e përforcoi edhe më shumë tash kur UEFA, për dallim prej Kosovës, lëshoi pe ndaj Gjibraltarit të 28 mijë banorëve, të cilin e pranoi, edhe pse ai territor kontestohet nga Spanja e Britania e Madhe.

Në fakt, shtëpia e futbollit evropian e pranoi Gjibraltarin me rekomandim të Gjykatës së Arbitrazhit, të cilit i ishte drejtuar ai vend, pas disa refuzimeve që ia kishte bërë UEFA. “Gjibraltari ka kërkuar anëtarësim të plotë, edhe pse nuk është shtet, por është sa një qytet i Kosovës”, thotë Sokoli.

“Kurse, Kosova është shtet me rreth 2 milionë banorë, me mbi 90 njohje, madje prej shteteve shumë të fuqishme, e mbi të gjitha shtet i shpallur legjitim nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Ne nuk po kërkojmë anëtarësim të plotë, çka është e drejtë shumë legjitime e jona, por po kërkojmë leje për të luajtur ndeshje miqësore. Kjo është e gabueshme”, thotë strategu kosovar.

Sipas tij, FFK-ja duhet të heqë dorë nga kërkesa për të luajtur ndeshje miqësore, dhe e cila as që po aprovohet nga FIFA e UEFA. Por, Sokoli thotë e Kosova duhet të kërkojë vetëm anëtarësim të plotë në këto dy organizata, dhe asgjë tjetër.

“Veprimin e parë që FFK-ja duhet ta bëjë është të heqë dorë nga kërkesa për të luajtur ndeshje miqësore. Me këtë kërkesë, duke mos kërkuar anëtarësim të plotë, ne po i rrisim dyshimet në UEFA e FIFA për Kosovën”, shtoi ai.

“Pra, duhet t’i hartojmë planet A, B, C, e kështu me radhë. Duhet të kërkojmë anëtarësim të plotë, normalisht duke e kërkuar ndihmën e shteteve të fuqishme që na kanë njohur, siç janë Italia, Anglia, Franca, Gjermania – shtete të atilla që kanë futboll të fortë e që kanë ndikim në UEFA e FIFA. Këtë FFK-ja duhet ta bëjë me njerëz të dijshëm të saj, dhe nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës”, potencoi Sokoli.

Sipas tij, një strategji e tillë do ta përshpejtonte dukshëm anëtarësimin e Kosovës në UEFA e FIFA. Por, nëse edhe atëherë këto dy asociacione do ta diskriminonin Kosovën, pastaj shteti i ri do të duhej që të drejtën e saj ta kërkonte nëpërmjet Gjykatës së Arbitrazhit, së cilës ia pa hairin Gjibraltari.

“Nëse do të vinte puna deri aty, që anëtarësimin në UEFA e FIFA ta kërkonim nëpërmjet Gjykatës së Arbitrazhit, faktet janë në anën tonë, dhe 100 për qind jam i sigurt se ne do të fitonim. Mos të harrojmë se Kosova është një shtet legjitim, i shpallur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, dhe ky fakt do të çonte peshë të madhe në Gjykatën e Arbitrazhit”, shpjegoi ai.

Krejt në fund, Sokoli pohoi se edhe nëse Gjykata e Arbitrazhit qëllimisht do ta diskriminonte Kosovën, atëherë FFK-ja do të duhej të insistonte për ta bashkuar futbollin kosovar me atë të Shqipërisë, dhe nga kjo mos të lëshonte pe – ide kjo që i fle në zemër e shpirt prej vitesh njërit prej trajnerëve më të njohur shqiptar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›