E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Performanca ekonomike e Shqipërisë, avantazh për marrjen e statusit kandidat”

03-12-2012 / Gazeta 55

Flet eurodeputeti Elmar Brok

Bashkimi Europian mbështet në parim statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, por në kohë të vështira të krizës ekonomike dhe financiare, vendi mund të marrë përkrahjen e duhur vetëm me një përgatitje shembullore.
Kështu u shpreh eurodeputeti Elmar Brok, lidhur me procesin integrues të vendit tonë.
“Ka një mundësi të mirë për Shqipërinë. Kushtet janë përmbushur. Por mund të jetë që nuk është momenti i përshtatshëm për vendet anëtare, pasi shqetësimi kryesor në çdo front të politikës së tyre është kriza ekonomike. Por mendoj, se është koha që Shqipëria të marrë këtë status, pasi problemet e saj të brendshme kanë marrë zgjidhjen e duhur. Ndaj shpresojmë, që statusi i kandidatit të mund të arrihet, në mënyrë që Shqipëria të eci përpara me programin e saj të reformave”, vlerësoi ai.
Statusi i vendit kandidat nuk do të thotë hapje negociatash dhe nëse Shqipëria tregon vullnetin e duhur politik, ky hap mund të arrihet brenda marsit.
“Nuk është se ne po ndryshojmë politikën e zgjerimit. Statusi i vendit kandidat nuk do të thotë që po hapim negociatat me Shqipërinë. Ne i kemi premtuar vendeve të Ballkanit në samitin e Selanikut perspektivën e anëtarësimit, duke thënë dera është hapur nëse përmbushen kushtet. Kjo strategji duhet të vazhdojë”, sqaroi Brok.
Djegia e afatit të marsit mund të hapë një kapitull shumë të kushtueshëm në rrugën e integrimit, pasi afati tjetër në axhendën europiane është qershori, muaj ku zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme të Shqipërisë. Në këtë rast, para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve përpjekjet e forcave politike shkojnë tërësisht për fitoren e tyre dhe krijimin e një mazhorance të qëndrueshme me një program të ri. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›