E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria e sigurt, brenda 6-muajve përfundon asgjësimi i municioneve të tepërta”

03-12-2012 / Gazeta 55

Me një shpërthim simbolik përfundon demontimi në poligonet e hapura

Në Poligonin Kombëtar të Bizës u zhvillua dje ceremonia e përfundimit të projektit të demontimit të municioneve të tepërta të Forcave të Armatosura në poligonet e hapura. Në këtë ceremoni mori pjesë ministri i Mbrojtjes Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, ministri i Mbrojtjes Ekrem Spahiu, zëvendësambasadori amerikan në Tiranë Landry Gay, ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth, atashe ushtarakë të vendeve të huaja të akredituar në vendin tonë, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor.
Në përshëndetjen e tij, gjeneralmajor Gjunkshi, duke bërë një bilanc të procesit të asgjësimit të municioneve të tepërta, evidentoi punën dhe kontributin e të gjithë atyre që janë përfshirë në këtë proces. 
“Por ky proces, sa i vështirë, por edhe masiv ka pasur edhe sakrifica sublime ndaj me respektin dhe mirënjohjen më të thellë ne kujtojmë të rënët: tetar Namik Gjolena, tetar Sadik Basha dhe rreshter Agim Makollari. Ata sakrifikuan edhe jetën për ta bërë këtë vend më të sigurt për gjithë shoqërinë dhe ndaj ne do tu jemi përjetë mirënjohës”, është shprehur gjeneralmajor Gjunkshi.
Gjithashtu në këtë ceremoni ka përshëndetur edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahiu, i cili që nga viti 2009 ka qenë në krye të këtij procesi sa të rëndësishëm aq edhe të vështirë. Zëvendësministri Ekrem Spahiu ka evidentuar disa shifra dhe arritje që janë shënuar nga vit në vit për realizimin e kësaj detyre shumë të rëndësishme. Sipas tij, gjatë vitit 2009 janë asgjësuar gjithsej 6 540 ton municione, ndërsa në vitin 2010 u asgjësuan 20.653 ton municione gjithsej. Viti 2011 ka qenë viti i ritmeve më të larta për sa i përket shifrave të tonazhit të municioneve të asgjësuara dhe në këtë vit u asgjësuan gjithsej 26.613 ton municione. Për vitin 2012, deri në nëntor janë asgjësuar 22 943 ton municione. Për periudhën 2009 - nëntor 2012 janë asgjësuar 76 749 ton municione, nga të cilat në poligone janë asgjësuar 26 940 ton municione ose 36 për qind e kësaj sasie.
Më pas zëvendësministri Spahiu ka theksuar se ka përfunduar asgjësimi i municioneve në poligonet e hapura dhe se po vazhdon pastrimi, rehabilitimi dhe certifikimi i tyre për t’ia kaluar më pas organeve të pushtetit vendor.
Gjatë kësaj ceremonie u bënë vlerësime dhe dekorime për ushtarakë.
Brigadës Logjistike iu akordua nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani,  “Medalja e Artë e Shqiponjës”. Kjo dekoratë e lartë iu dorëzua komandantit të kësaj brigade, gjeneral brigade Syrja Gjoka.
Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka dekoruar zëvendësministrin e Mbrojtjes Ekrem Spahiu me medaljen “Për Shërbime të veçanta”.
Gjithashtu nga ministri i Mbrojtjes Imami u dekoruan edhe nënkolonel Shkëlzen Mëhilli, major Luan Shaba dhe kapiten Artan Azizi, të cilët kanë drejtuar dhe organizuar me përkushtim procesin e demontimit të municioneve në poligone.
Në fund të ceremonisë, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami ka shtypur butonin për realizimin e një shpërthimi simbolik të një sasie të municioneve, duke shënuar kështu përfundimin e projektit të demontimit të municioneve të tepërta të FA në poligonet e hapura natyrore. Tashmë puna për demontimin e municioneve të tepërta është e përqendruar në rrugë industriale dhe brenda 6-mujorit të parë të vitit 2013 do të mbyllet përfundimisht procesi i asgjësimit të municioneve të tepërta, duke shënuar edhe realizimin e këtij objektivi madhor për Forcat tona të Armatosura.

Sot, përurohet anija e tretë ushtarake “Lisus”/ Sot në orën 11 në kantierin detar në Pashaliman, Vlorë, do të zhvillohet ceremonia e përfundimit të ndërtimit dhe të lëshimit në ujë të anijes “Lisus”.
Kjo është anija e tretë, pas anijes “Iliria” dhe “Oriku” që janë ndërtuar në bashkëpunim me Hollandën. Në këtë ceremoni do të marrin pjesë ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, gjeneralë, drejtorë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe Forcave të Armatosura.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›