E Diel, 1 Nëntor 2026

"Përfundimisht në Tiranë. Këtu gjej vetveten"

Flokët e verdha që i konturojnë fytyrën imcake, sytë bojëqielli në një reflektim brishtësie e më tej një buzëqeshje që vjen natyrshëm. Është portreti i pangatërrueshëm i Eva Alikajt. Ndodh që këto ditë ta hasësh në Tiranë. Në ecejake që më së shumti e çojnë në Teatrin Kombëtar. Në atë kalim pragu ka përsëritur vazhdimisht se gjen vetveten. Aktoren mbushur me ëndrra para se të largohej drejt Austrisë dhe aktoren e rikthyer që kërkon të sfidojë kohën. Ka shënuar kthime të herëpashershme në Tiranë. Dy vjet më parë, personazhi i Lola Blau, në të cilin gjeti paralele të jetës së saj, e ngjiti e vetme në skenë. Ardhjet e saj janë pritur përherë me kureshtje. Në një bisedë të atyre ditëve, Eva pranonte se ndihej e dyzuar mes Austrisë dhe Tiranës, qytetit ku hapi sytë në vitin 1961. Tashmë e ka vendosur. Është kthyer të jetojë në kryeqytetin shqiptar. Ftesa për rolin e Martës në shfaqjen "Kush ka frikë nga Virxhinia Wolf" të Eduart Olbit, nën regjinë e regjisorit të ri Kushtrim Bekteshi, duket se ka qenë shtysa përfundimtare. Më tej, një kontratë me një afat të përcaktuar në Teatrin Kombëtar, e ka bërë Alikajn pjesë të organikës së këtij institucioni. "Unë nuk i druhem idesë se çfarë do të më presë të nesërmen. E kam marrë vendimin. Gjithsesi edhe këtu më mungojnë shumë gjëra. Nuk jam mësuar të jetoj asnjëherë larg djalit tim, Xhino. Por unë jam aktore dhe në skenën e Teatrit Kombëtar mundem ta shpreh tërësisht veten", të thotë teksa po kalon ditë intensive me rolin e ri. Një grua posesive. Një personazh kompleks, gjithnjë në konflikt të vazhdueshëm me burrin e saj. Nuk është nga ato role që e gjen së brendshmi. Nuk përkon me natyrën e saj. Gjithsesi Eva është aktore. "Nuk ka përkime me natyrën apo me jetën time, por unë po punoj për ta gjetur këtë karakter. Me imagjinatë apo në kujtesë po përpiqem të qëmtoj tipa të tillë, modele që do të më ndihmojnë ta jap të plotë këtë personazh. Është një rol i vështirë, nga ato që ëndërrohen sot. Ndiej edhe pak frikë. Flasim për një nga ato karaktere që të japin dorë nëse realizohen në maksimumin e tyre. Në të kundërt, mund të ndodhë edhe të turpërohesh", shprehet Alikaj. Por shpërthimet që pamë të realizuara në "Lola Blau" të japin mundësi të besosh. Ajo e gëzon tashmë një profil të vetin si aktore, atë profil që publiku ka ngulitur në mendje nga filmat apo pjesët teatrore të luajtura para se të largohej. Janë disa të tilla. Eva Alikaj ishte vetëm 21 vjeçe kur fitoi kupën si aktorja më e mirë e Festivalit V të Filmit Artistik Shqiptar, me filmin "Njeriu i mirë" (1982). Një vit më pas, u diplomua për Aktore në Akademinë e Arteve të Tiranës dhe iu bashkua trupës së Teatrit Kombëtar. E ka pasur të pamundur t‘u shmanget kujtimeve të tilla edhe këto ditë. Ka mjaftuar një vizitë nga Akademia e Arteve (atëkohë kur ka studiuar atje quhej ende Instituti i Lartë i Arteve të Bukura). "Kalova nga pas godinës dhe po i shikoja me kureshtje të gjitha ambientet e saj. Nuk e di pse m‘u duk një godinë e tkurrur. Më dhembte në shpirt që e shihja në atë gjendje. Po mendoja që aty unë thurja ëndrrat e mia. Shkallët, sallat, çdo gjë më sillte vetëm kujtime. Ndërsa disa lista të afishuara për fituesit më sollën ndërmend atë ditë kur unë shoh emrin tim si fituese mes 10 emrave të tjerë. Ishte gjë e madhe atëkohë të ishe pjesë e Akademisë së Arteve. Nuk e di si ndodh sot". Nostalgjia është e qartë në ngjyrimin e zërit. Ndërsa kujtimet që vijnë dendur e bëjnë të thotë shumë gjëra përnjëherësh. Por është e bindur te magjia e skenës së Teatrit Kombëtar. "Aty ndihem me krahë", thotë teksa përpiqet të gjejë te vetja arsye të tjera. "Ndoshta ndodh edhe sepse jam mësuar të interpretoj që në fillim aty", shton. Janë disa role të saj që e kanë identifikuar. Në teatër e nisi me Xhulietën në tragjedinë shekspiriane "Romeo e Xhulieta", apo shumë e kujtojnë si Elsa të komedia "Pallati 176". Linda te "Shirat e vjeshtës" (1984), Etleva te "Treni niset në shtatë pa pesë" (1988), Drita në "Vendimi" (1984), Irena në "Hije që mbeten pas" (1985), Edlira në "Stolat në park" (1988), janë personazhet e filmit që u ka dhënë jetë. Nëse sërish do t‘i ofrohej një rol i përshtatshëm, nuk do të ngurronte t‘i kthehej as sheshit të xhirimit. "Është sërish aktrim. Nëse do të ishte një rol që ia vlente, do ta luaja", thotë Alikaj. Ndihet mirë në tryezën e provave. Do të ketë përkrah aktorin Viktor Zhusti (në rolin e bashkëshortit), Eftiola Laçkën dhe Helidon Finon. "Më pëlqen të punoj. Në këtë pjesë ndihem mirë, sepse nuk kam të njëjtat përgjegjësi sikundër te "Lola Blau", ku duhej të mendoja edhe për organizimin e pjesës. S‘është në natyrën time gjithë ai angazhim", tregon më tej Alikaj, që tashmë do të jetë më e pranishme për publikun shqiptar. Nuk do të flitet më për rikthime. Në hapat drejt teatrit, gjithnjë në një jetë të dyfishtë me personazhin, Alikaj ngulmon të rigjejë veten.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›