E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hamzai mban Bylisin në krye Pogradeci, 1 pikë në Lushnjë

Bylisi ruan kreun e klasifikimit në Kategorinë e Parë edhe pas transfertës së vështirë në fushën e Skraparit. Ballshiotët triumfuan 1:0 falë golit të Hamzait në minutën e 40 të takimit, duke regjistruar fitoren e katërt në kampionat. Është ndarë pa fitues ajo që cilësohej si supersfida e javës së pestë, ku Lushnja priti në fushën e saj Luftëtarin. Liqenorët kaluan të parët në avantazh me golin e Pengut, vetëm pas 29 minutave lojë. Vendasit barazuan shifrat në minutat shtesë të pjesës së parë, me Pepan, ndërsa në 45 minutat e mbetura të takimit nuk arritën ta realizonin edhe golin e fitores. Elbasani nuk gabon në shtëpi: megjithëse me një skuadër të re përballë Kamzës me pretendime për t‘u ngjitur në elitë, verdheblutë fituan 2:1. Ramazani dhe Raboshta janë autorët e golave që i dhanë tri pikë elbasanasve, ndërsa për miqtë shënoi Tafaj. Partizani rikuperon energjitë pas shkatërrimit 5:0 në fushën e Adës dhe në kryeqytet shfaqet si një skuadër që nuk toleron. Të kuqtë e Zhupës morën tri pikë të rëndësishme me fitoren 2:0 kundër Besëlidhjes, falë rrjetave të Karapicit dhe Asllanit. Luftëtari vazhdon të jetë e vetmja skuadër që nuk njeh humbje. Gjirokastritët barazuan 1:1 në fushën e Burrelit dhe vazhdojnë të qëndrojnë mes kryesueseve. Golit të Tanushit në të 74-n për vendasit, i është përgjigjur Stoja vetëm 3 minuta më pas. Ada bie në fushën e Gramshit, ku vendimtar ka qenë goli i "veteranit" Stojku, në të 56-n. Fitore minimale edhe për Memaliajn dhe Bilisht Sportin, përkatësisht kundër Turbinës dhe Sopotit. Pas ndeshjeve të djeshme, Bylisi mbetet i vetëm në krye, ndërsa më pas vijnë Pogradeci, Luftëtari, Partizani, Elbasani e Lushnja.

E.K.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›