E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur letërsia takohet me pikturën dhe fotografinë

Për gjatë gjithë jetës Claude Simon është konsideruar si një i mbijetuar. Duhej të kishte ndërruar jetë qysh në majin e vitit 1940, në moshën 27-vjeçare kur i gjithë regjimenti i tij u shfaros nga Rommel në Mosa. Vetëm ai mbijetoi: "Gjithnjë më ka përndjekur fati", kështu thoshte. E megjithatë, Claude Simon kapet dhe trajtohet si i burgosur, por ai arrin të arratiset prej kampit të përqendrimit. "Gjithnjë fati im!", i përsëriste me mjaft modesti Nathalie Sarraute, shkrimtares me të cilën ai, në agim të viteve ‘50-të, kishte ndarë së bashku edhe me Robbe-Grillet e Butor, aventurën e të ashtuquajturit "nouveau roman", (roman i ri). "Gjysma e të keqes, të paktën dikush deklarohet me fat", shpotiste gjithë dyshim Sarraute. Realiteti i jetës dhe i kujtesës është fragmentar dhe për këtë në dhomën e gjerë të shtëpisë së vjetër katalanase në Salses, në Pirenej, mbizotëron një ekran i madh i montuar nga vetë Simon. Edhe tavolina e ulët e sallonit është një vepër e tij. Në të njëjtën mënyrë i vinte dorësh edhe të shkruante. Për romanin "La Route des Flandres", botuar në vitin 1960 dhe që flet mbi përvojën e tij në luftë, ai kishte vetëm disa fragmente të shkruara. Për t‘i montuar provoi që secilën temë ta përshtaste me një ngjyrë të caktuar. Në murin e studios së tij vari fletëzat e bardha dhe vlerësoi se cili do të ishte efekti. Iu duk në një çast se diku mungonte një njollë jeshile, te një fletë tjetër iu duk sikur mungonte e kuqja. Nëse në njërën prej fletëve kishte nevojë për ndonjë sfumaturë rozë, atëherë ai niste të shkruante pasazhin e nevojshëm, dhe ngjyrat kështu iu dukën të nevojshme për narrativën. Montazhi kromatik ishte labirinti i përsosur për të përçuar indiferencën anarkike të botës. Edhe kujtesa është një mozaik i njëllojtë; rendi i saj nuk është i renditur në mënyrë kronologjike e as në mënyrë logjike, avancon në bazë të goditjeve dhe lidhjeve të çastit. Autobiografinë të cilën e botoi në vitin 1997, e titulloi "Le Jardin des Plantes". Bëhet fjalë për parkun ku shëtiste çdo ditë kur qëndronte në Paris. I dukej sikur bollëku i natyrës detyrohej të zbutej prej botanikës ashtu si edhe tepria e pasioneve në letërsi. Kështu, libri është i ndarë në shumë pjesë që përcjellin pikërisht episodet kyç të jetës së tij edhe pse janë pjesë që duken sikur nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Ai sjell kujtimet e fëmijërisë, vdekjen e nënës, luftën e Spanjës, trafikimin e armëve në krah të Republikanëve; jeta prej bohemi në Paris dhe kurset e pikturës, tuberkulozi; bordelloja e paraluftës, udhëtimet në Azi, Japoni, Indi, Romë; takimet me Picasso-n dhe Dora Maar; leximet e zgjedhura të autorëve Proust, Dostoevskij, Flaubert. Nëpërmjet një titulli ironik, Simon riprodhon edhe disa pasazhe të një bashkëbisedimi në Cerisy-la-Salle, në vitet ‘70-të që kanë kur ndjekësit e "nouveau roman", e akuzonin për "natyralizëm vulgar" pasi krijimtarisë së tij i pat shtuar edhe dokumente, letra, fotografi, madje edhe bileta banke. Këtu Simon citon ditarët e Rommel, ashtu si më parë në "Bataille de Pharsale" (1969) pat cituar pasazhe nga Proust, apo nga autorë latinë e grekë, si dhe përshkrime tablosh të Poussin, Durer, Brueghel. Për Simon, termi "Histoire", titulli i romanit të vitit 1967 me të cilin fitoi çmimin "Médicis", është dyfish qesharak: historia si rrëfim është një model artificial dhe i përfunduar, Historia si shkencë është një pretekst iluzor. Në vitet ‘70-të vijon të distancohet më tej nga kujtimet e tregimit tradicional. Në romanin "Triptyque" frazat komplekse, të gjera dhe të hollësishme, përçojnë detaje me anë të një hir të mbetur pezull si një natyrë e vdekur baroke; por ato detaje marrin shpirt, nga një element piktoresk, - manifesti i një cirku, një kartolinë, imazhi i një fletoreje - jeta; tre vende, qyteti, deti, fshati shkëmbejnë ngjyrat dhe mbiemrat duke u bërë kështu të pazëvendësueshëm për njëri-tjetrin. Romani monumental "Les Géorgiques", në fillim të viteve ‘80, bën të rishfaqen edhe një herë elementet subjektive dhe historike. Aty kryqëzohen tri epoka - lufta napoleonike, lufta civile spanjolle dhe Lufta e Dytë Botërore. Në ato vite ai kthehet me misterin e një stili i cili kombinon objektin me një përpikmëri të madhe dhe me një dukje të mrekullueshme e duke mbetur gjithnjë i paparashikueshëm dhe sekret. Me rastin e dorëzimit të çmimit "Nobel", me të cilin u vlerësua më 17 tetor të vitit 1985, diskutimet mbi stilin e tij dolën në një përfundim: peizazhi i vetëm i Simon ishte gjuha. Tri mendimet dominuese të tij ishin: si të nisë një frazë, si të vijojë dhe si ta përfundojë atë. "Tashmë jam një plak dhe ashtu siç ndodh edhe për shumë qytetarë të tjerë të Europës sonë Plakë, pjesa e parë e jetës sime ka qenë disi e lëvizshme: kam qenë dëshmitar i një revolucioni, kam luftuar në kushte brutale (i përkisja njërit prej atyre regjimenteve që shtetet e mëdha i sakrifikojnë me pa e menduar dy herë, dhe nga i cili në tetë ditë, nuk mbeti më asgjë), kam qenë i burgosur, kam njohur urinë, lodhjen fizike deri në të fikët, jam arratisur, jam sëmurur rëndë dhe kam qenë më shumë se një herë pranë vdekjes dhe kjo ka qenë e dhunshme ose natyrale, e kam gjetur veten në krah të njerëzve të ndryshëm, priftërinj dhe zjarrvënës të kishave, borgjezë të qetë apo anarkistë, filozofë apo analfabetë, kam ndarë bukën me lypësit, dhe në fund kam udhëtuar pak ngado nëpër botë... e megjithatë ende edhe pse jam në moshën 72-vjeçare nuk e kam gjetur kuptimin e jetës, përveçse siç thoshte, besoj Barthes duke cituar Shakespeare - "nëse bota do të thotë diçka, është që nuk do të thotë asgjë", përveçse që ajo ekziston", ky është fjalimi që Simon mbajti me rastin e dhënies së çmimit "Nobel". E megjithatë, në romanet e fundit edhe një herë ai iu kthye jetës së vet, duke ngritur pyetje mbi prindërit e tij dhe periudhën e panjohur mbi ta para se ai të lindte, vijon sërish me luftën, po atë të viteve ‘14-të, kur edhe ndërroi jetë i ati. Claude Simon ishte një shkrimtar që në rininë e tij ishte i bindur që do të bëhej piktor e më tej edhe fotograf. Tepër i interesuar ndaj këtyre dy gjinive, Simon i ka kushtuar një vëmendje të veçantë problemeve të perceptimit. Në librat e tij lexuesi nuk gjen diçka për të treguar apo një mesazh, por përballet me një fluks imazhesh dhe ndjesish. Shkrimtari francez, Claude Simon, lindi më 10 tetor 1913 dhe ndërroi jetë në Paris më 6 korrik 2005.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›