Turi Shqiperia po Ndryshon, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli takohet me banore te Rreshenit
Kryetarja e Kuvendit , Jozefina Topalli në vijim të turit “Shqipëria po ndryshon”, është takuar dje me banorë të Rrëshenit, takime këto që kanë përfshirë gjithë komunat e vendit nga Veriu në Jug. Gjatë fjalës së saj përpara banorëve Topalli tha se “Nuk është vetëm infrastruktura dhe rritja e rrogave, nuk është vetëm rritja e pensioneve dhe rritja e buxhetit, nuk është vetëm dyfishimi i të ardhurave. Është rritja e turizmit. Është rritja e eksporteve. Është dixhitalizimi. Është ulja e vjedhjes, e korrupsionit. Është rritja e imazhit, zbukurimi i imazhit tonë, zbukurimi i imazhit të shqiptarëve”. Duke folur për doktrinën ekonomike, e cila rriti ndjeshëm nivelin e jetesës së shqiptarëve, Topalli tha se “Doktrina ekonomike ishte një doktrinë, në radhë të parë në luftë kundër korrupsionit, në luftë kundër krimit të organizuar. Ishte një doktrinë e rritjes ekonomike, e rritjes së të ardhurave, e rritjes së rrogave, e rritjes së pensioneve, e uljes së taksave. Ishte një doktrinë e thithjes së investimeve”. Duke vijuar më tej, Kryetarja e Kuvendit, tha se “Ne, kemi treguar se kur e themi fjalën, e mbajmë atë. Këto 4 vite kanë qenë konfirmimi i fjalës së mbajtur, këto 4 vite kanë qenë konfirmimi i premtimeve të mbajtura”. Edhe gjatë këtij takimi me banorët e Rrëshenit, Topalli nuk la pa stigmatizuar kreun e opozitës, duke deklaruar se “Ne nuk jemi si bashkia e Tiranës që proteston kur Shqipëria hyri në NATO. Jemi dy botë krejt të ndryshme. Ne nuk jemi si bashkia e Tiranës që hedh baltë mbi rrugën që po e bën jetën më të mirë. Ne nuk jemi si bashkia e Tiranës që hedh helm çdo ditë, çdo orë, çdo sekondë mbi rrugët që bashkojnë shqiptarët”. Duke vënë në dyshim identitetin e zbehur Partisë Socialsite, nga kreu aktual i saj, Topalli tha se “Nuk është më Partia Socialiste. Është partia e betonit. Nuk është Partia Socialiste, është partia e lejeve të ndërtimit. Nuk është Partia Socialiste, është partia e 15 përqindshit. Është partia që hedh baltë mbi çdo vepër. Mbi veprat e jugut, mbi veprat e veriut. Mbi veprat e integrimit, mbi rritjen e pensioneve, mbi ndërtimin e shkollave”. Sërish në këtë linjë Topalli tha se “Nuk është Partia Socialiste. Është vetëm trusti i ndërtimit, trusti i betonit, trusti i 15 përqindshit, trusti i klientelizmit”.
...