E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon Pyetësori i Bashkimit Evropian, Qeveria miraton draftin me 2284 pyetje

Shqipëria finalizon në kohë rekord Pyetësorin e Bashkimit Evropian, duke konfirmuar kështu një vlerësim të pritshëm pozitiv, për këtë dokument, përsa i takon akordimit të statusit të vendit kandidat në BE. Këshilli i Ministrave i dha fund dje përgjigjeve të Pyetësorit të Bashkimit Evropian. Pas 3 muaj e 15 ditë, Komiteti Ndërministror i Integrimit, finalizon në kohën e duhur të gjithë kapitujt e Pyetësorit.
Kryeministri Berisha u shpreh para anëtarëve të kabinetit qeveritar, në mbledhjen e Komitetit Ndërministror, të angazhuar në plotësimin e përgjigjeve të Pyetësorit, se është bërë një punë e jashtëzakonshme dhe voluminoze nga administrata, duke i dhënë përgjigje më përgjegjësi të madhe, pyetjeve.
“Sot, pas një periudhe prej tre muaj e pesëmbëdhjetë ditë, finalizojmë procesin e përgjigjeve të pyetjeve. Administrata shqiptare tregoi përkushtim dhe përgjegjësi të paprecedentë në shqyrtimin pyetje për pyetje, nënpyetje për nënpyetje të të gjithë problematikës së gjerë, e cila mbulon çdo fushë të veprimtarisë shtetërore, shoqërore, politike, ekonomike, sociale dhe të gjithanshme. Në trajtimin e pyetjeve u angazhuan me përgjegjësi të madhe rreth 1200 punonjës të administratës, zyrtarë të të gjitha niveleve, nga specialisti i thjeshtë deri tek titullari i institucionit apo agjencisë, u angazhuan mbi 27 ekspertë të vendeve mike dhe institucioneve ndërkombëtare, u konsultuan dhjetëra agjenci dhe institucione të vendeve mike dhe ndërkombëtare, në mënyrë që përgjigjet të ishin sa më të përshtatshme, sa më reale, por të paraqitej gjithashtu, edhe vizioni i kësaj qeverisjeje; Në total kanë qenë 2284 pyetje, rreth 2000 nënpyetje, të shpërndara në 35 kapituj”, u shpreh kryeministri Berisha.
Shefi i ekzekutivit e cilësoi përfundimin e përgjigjeve të Pytësorit të BE-së edhe si një test për të gjitha institucionet dhe një shenjë e qartë e riformatirit të punës së kabinetit qeveritar.
“Qeveria, mazhoranca e merr këtë si procesin më serioz dhe më kompleks në tërë historikun e përpjekjes sonë për integrim në Bashkimin Europian. Në mënyrë të përsëritur, ditën e parë e më pas, kam theksuar se kjo përbën një lloj provimi për të gjithë institucionet e vendit dhe punonjësit e tyre. Përbën gjithashtu, një mundësi të madhe për të riformatuar të gjithë punën tonë dhe aty, ku lipset, edhe strukturat tona në funksion të kësaj përballjeje, në funksion të kësaj tematike dhe këtyre çështjeve, me të cilat ne, në tërësi, do të kemi të bëjmë gjatë udhëtimit tonë për anëtarësimin e plotë në BE. E kam theksuar dhe e theksoj përsëri se në të gjithë këtë proces, qeveria është e vendosur t’i qëndrojë parimit, një proces i bazuar në performancën dhe meritën, çka do të thotë që ne duhet të punojmë me përgjegjësinë më të madhe, të ndërmarrim tërësinë e reformave që ndryshojnë çdo ditë standardet, praktikat, kriteret e funksionimit jo vetëm të administratës shtetërore, e shërbimeve ndaj qytetarëve, por edhe e funksionimit të shoqërisë në tërësi, si një shoqëri demokratike e lirë”, deklaroi në vijim, kreu i qeverisë.
Duke e konsideruar përfundimin e përgjigjeve të Pyetësorit si fundin e një maratone shumë të fuqishme dhe të një pune intensive, Berisha tha se materiali i përfunduar do të dorëzohet në javët e para të muajit prill në Komisionin Europian, duke shprehur bindjen që ky është një proces i parikthyeshëm, në të cilin qeveria ka vullnetin e hekurt për të ndërmarrë të gjitha reformat dhe promovuar ato, gjithnjë sa më shpejt e sa më parë.
“Javët e para të prillit, qeveria do ta dorëzojë materialin e përfunduar në Komisionin Evropian. Në këtë Komision qeveria ka një bashkëpunim thellësisht transparent. Unë jam i bindur se me gjithë përpjekjet tona të jashtëzakonshme për të bërë më të mirën, sërish në procesin e dialogut në KE do të ketë jo pyetje shtesë, por pyetje për të qartësuar përgjigjet që kemi dhënë dhe kjo është një praktikë normale”, tha më tej Berisha.
Pyetësori i Bashkimit Evropian ka qenë në tërësi i ndërtuar nga 2284 pyetje, rreth 2000 nënpyetje, të shpërndara këto në 35 kapituj. Për realizimin e tij, u angazhuan me përgjegjësi të madhe rreth 1200 punonjës të administratës shtetërore.

Përgjigjet e 5 kapitujve të fundit të pyetësorit:
Kapitulli – Kriteri politik, koordinuar nga Ministria e Drejtësisë;
Kapitulli – Kriteri Ekonomik, koordinuar nga Ministria e Financës;
Kapitulli 22 - Politikat rajonale, koordinuar nga Ministria e Integrimit;
Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore, koordinuar nga Ministria e Drejtësisë;
Kapitulli 24 - Drejtësia, liria dhe siguria, koordinuar nga Ministria e Brendshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›