Rikonfirmohet vullneti për thellimin e bashkëpunimit

Vizita e Ilir Metës në Kroaci
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, në kuadër të një vizite zyrtare që po zhvillon në Kroaci, është pritur në takime të veçanta nga homologu i tij Gordan Jandrokoviç, Presidentin kroat, Ivo Josipoviç dhe Kryetari i Parlamentit, Luka Bebiç.
çështje të bashkëpunimit dypalësh dhe të rolit të dy vendeve tona si faktor stabiliteti në rajon ishin në qendër të takimit që Ilir Meta pati me Presidentin e Republikës së Kroacisë, Ivo Josipoviç.
Meta pasi e urojë Josipoviç për detyrën si president i vendit, shprehu bindjen se marrëdhëniet mes të vendeve do të vazhdojnë të thellohen në fusha me interes të ndërsjellë, si, ekonomi, energji, infrastrukturë, arsim, kulturë, etj.
Një takim të veçantë e miqësor rezervoi për Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme Ilir Meta edhe Kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Kosor, e cila pasi i vlerësoi të shkëlqyera marrëdhëniet politike mes të dy vendeve, theksoi se është e rëndësishme që të dy vendet tona të krijojnë modelin e bashkëpunimit dhe partneritetit në rajon. Kryeministrja kroate siguroi Meta se në funksion të këtij bashkëpunimi si dhe për të diskutuar çështje me interes të përbashkët, kam kënaqësinë t’ju konfirmoj se së shpejti do të vij për vizitë në Tiranë.
Në vazhdën e takimeve me autoritetet më të larta kroate, Meta u prit në një takim të veçantë nga Kryetari i Parlamentit, Luka Bebiç. Gjatë këtyre takimeve u vlerësua niveli shumë i mirë i bashkëpunimit dypalësh dhe u vlerësua roli i veçantë i diplomacisë parlamentare në bashkëpunimin dypalësh dhe në tërë proceset integruese të vendeve tona dhe të rajonit.
Një takim Meta pati edhe në Ministrinë e Jashtme kroate, ku Meta u prit dhe zhvilloi bisedime me Ministrin Jandrokoviç. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta vlerësoi se ekzistenca e regjimit të vizave për shqiptarët që kërkojnë të shkojnë në Kroaci dhe mungesa e fluturimeve direkt mes Tiranës dhe Zagrebit krijojnë vështirësi për nxitjen e bashkëpunimit mes të dy vendeve, veçanërisht në fushën ekonomiko-tregtare dhe për afrimin mes popujve tanë. Në këtë kontekst Meta u sigurua nga Ministri Jandrokoviç se pala kroate do të angazhohet seriozisht për të gjetur një zgjidhje për të hequr regjimin e vizave me shqiptarët, duke konsideruar si shumë pozitiv progresin e bërë nga Shqipëria në procesin e liberalizimit të vizave me BE.
Gjithashtu, Ministri Jandrokoviç theksoi se edhe për Kroacinë është i rëndësishëm bashkëpunimi i gjithanshëm dhe prioritar me Shqipërinë. Në fund të bisedimeve u nënshkrua edhe Protokolli i Bashkëpunimit midis Akademive Diplomatike.
Gjatë qëndrimit të tij në Zagreb, Meta u takua edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar që punon e jeton në Kroaci, si dhe mbajti një fjalë në Fakultetin e Shkencave Politike të Zagrebit lidhur me proceset e integrimit të Shqipërisë në BE.
...