E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporteri i BE: Heqja e vizave, tashmë nuk ka asnjë pengesë

Chountis, dënon ksenofobinë e bashkëatdhetarëve të tij, ndaj shqiptarëve


Raporteri për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian Z. Nikolaos Chuntis u prit sot në një takim të veçantë nga Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha. Chuntis u informua mbi progresin e Shqipërisë në fushën e sigurisë së kufijve, lëshimin e dokumentave të sigurta të identitetit, rezultatet e luftës kundër krimit të organizuar e trafiqeve të paligjshme, si dhe bashkëpunimin e shkëlqyer të strukturave ligjzbatuese të Shqipërisë me strukturat homologe të vendeve europiane, e posaçërisht me ato të vendeve fqinje. Në këtë kuadër, Basha njohu raporterin Chuntis edhe mbi marrëveshjet dhe protokollet e bashkëpunimit që Shqipëria ka nënshkruar me këto vende, e po ashtu mbi nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit me organizmat ndërkombëtarë që asistojnë dhe bashkëpunojnë me policinë shqiptare. Raporteri për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian Z. Nikolaos Chuntis vlerësoi arritjet e Shqipërisë në të gjitha fushat që kanë të bëjnë me përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe siguroi për mbështetjen e tij në këtë proces. Z. Chuntis theksoi se përderisa kriteret teknike janë përmbushur, vendet europiane duhet të shprehin besimin dhe të vlerësojnë progresin e Shqipërisë, e po ashtu të japin ndihmesën e tyre për integrimin e plotë të saj në Bashkimin Europian.


Chountis, dënon ksenofobinë e bashkëatdhetarëve të tij, ndaj shqiptarëve

Raporteri për Shqipërinë në Paramentin Evropian, Nikolaos Chountis dënoi sot qëndrimet dhe thirrjet antishqiptare të grekëve, demostruar nga një brigatë ushtarake në qendër të Athinës, gjatë një tubimi për ditën e pavarësisë. Në një takim të zhvilluar në mesditë me kryeparlamentaren Jozefina Topalli, Chountis, njëkohësisht eurodeputet i Greqisë, tha se “dënojmë aktet që pamë gjatë paradës ushtarake në Greqi”. “Ne duhet t’i evitojmë këto akte, pasi nuk ndihmojnë në miqësinë dhe marrëdhëniet mes dy vendeve dhe dy popujve. Grupi ynë në parlament ka bërë një kërkesë drejtuar qeverisë greke për gjetur fajtorët e për të marrë masat e duhura”, u shpreh ai.
Më tej, në vijim të takimit dypalësh, Chountis dhe Topalli u ndalën në ambicjen europiane të vendeve të Ballkanit, ku raporteri tha se beson në proceset integruese për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kurse lidhur me shqiptarët, Chountis theksoi se “angazhimin e tij personal, por edhe të grupit në Parlamentin Europian, për të përshpejtuar procedurat për heqjen e vizave për shqiptarët”, tha ai.
Ndërkaq Kryetarja e Kuvendit theksoi se mbështetja gjithnjë e më e fortë që vjen nga komisionerët e BE-së dhe eurodeputetët për heqjen e vizave është për Shqipërinë shumë inkurajuese.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›