E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon Reforma Zgjedhore, arrihet konsensusi për KQZ-në

Me hyrjen në fuqi të Kodit të ri Zgjedhor, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të votohet me sistemin proporcional, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që tashmë nuk është më institucion kushtetues do të përbëhet nga 7 anëtarë, sipas skemës, 2 nga Partia Demokratike, 2 nga Partia Socialiste, 1 nga partitë e vogla të majta, 1 nga partitë e vogla të djathta dhe një anëtar propozohet nga parlamenti.

Pas disa muajsh diskutimesh dhe debatesh Komisioni i posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore ka votuar dje pasdite pa asnjë ndryshim draftin për Kodin e ri Zgjedhor, i cili do të përdoret për zgjedhjet e pritshme të qershorit të vitit 2009.
Zyra e shtypit pranë Kuvendit bëri me dije se drafti i kodit u miratua me konsensusin e të gjitha forcave politike të pranishme në mbledhjen e Komisionit dhe përbën bazën ligjore në të cilën do të zhvillohen zgjedhjet e reja të përgjithshme dhe vendore, pas miratimit të ndryshimeve të sistemit zgjedhor në Kushtetutë. Bashkëkryetari socialist i Komisionit Fatmir Xhafa, ka shpjeguar disa nga risitë që sjell Kodi i ri Zgjedhor.
“Sot nuk kemi më një sistem mazhoritar, por një sistem proporcional rajonal. Së dyti ka të bëjë me thjeshtëzimin e administrimit. Së treti ka të bëj me numërimin, i cili është një nga elementet më të rëndësishme”, deklaroi ai.
Më tej bashkëkryetari socialist shtoi se ky rregullim ligjor që është kryer garanton një transparencë të gjerë të krejt procesi. Sipas tij financimi dhe media në të cilat janë bërë thjeshtëzime shumë të rëndësishme që e bëjnë Kodin më të thjeshtë dhe më praktik.
“Por ajo që është shumë e rëndësishme është eliminimi i disa dukurive negative të shfaqura historikisht në proceset e mëparshme zgjedhore”, deklaroi Xhafa.
Për sa i përket grevës së urisë së 11 deputetëve që kontestojnë këto ndryshime, bashkëkryetari socialist u tregua i rezervuar në komentin e tij duke lënë të kuptohet se në draft nuk ka ndryshuar asgjë por duke ja lënë vendimin nëse do të ketë ndryshim, sallës së Kuvendit.
“Komisioni i reformës ka pasur për detyrë të përgatisë projektin që do të paraqitet në Kuvend. Komisioni e konsideron të përfunduar detyrën e tij”, përfundoi ai.
Me hyrjen në fuqi të Kodit të ri Zgjedhor, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të votohet me sistemin proporcional, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që tashmë nuk është më institucion kushtetues do të përbëhet nga 7 anëtarë, sipas skemës, 2 nga Partia Demokratike, 2 nga Partia Socialiste, 1 nga partitë e vogla të majta, 1 nga partitë e vogla të djathta dhe një anëtar propozohet nga parlamenti. Lidhur me menaxhimin e procesit zgjedhor Komisionet Zonale Zgjedhore reduktohen nga 13 në 7 anëtarë, ndërkohë që ligji i ri që është në përgatitje e sipër nga qeveria vendos rregullat e reja për financimin e partive.
Në bazë të këtyre rregullave asnjë parti apo biznes që ka përfituar projekte nga fondet publike nuk do të lejohet të financojë partitë politike për zgjedhje. Por elementi më i rëndësishëm i Kodit që lidhet me sistemin është përllogaritja e mandateve të deputetëve që një parti apo koalicion zgjedhorë fitojnë në Kuvendin e tyre. Për këtë u ra dakord për dy formula, njëra quhet “De Honti” dhe tjetra “Sant Lege”. Të gjitha këto ndryshime në Kodin Zgjedhor do ti nënshtrohen votimi të deputetëve të kësaj legjislatura gjatë javës së ardhshme.
Komisioni për Kodin Zgjedhor, i ngritur me një vendim të posaçëm të Kuvendit të Shqipërisë ka qëllim realizimin e ligjit zgjedhor, në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR, të pasqyruara në raportet e publikuara prej tyre, ku jepet problematika e proceseve të fundit zgjedhore në Shqipëri.

Ndryshimet kryesor në Kodin Zgjedhor

Sistemi zgjedhor - Shqipëria do të ketë tashmë një sistem zgjedhor proporcional rajonal i modelit spanjoll. Elementi më i rëndësishëm në këtë ndryshim sistemi është përllogaritja e mandateve të deputetëve që një parti apo koalicion zgjedhorë fitojnë në Kuvendin e tyre. Për këtë u ra dakord për dy formula, njëra quhet “De Honti” dhe tjetra “Sant Lege”, ku pragu do të varet edhe nga numri i deputetëve që do të dalin nga secili prej 12 qarqesh.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve - KQZ do të përbëhet nga 7 dhe jo më nga 9 anëtarë. Mandati i çdo anëtari të KQZ-së nga 7 vjet do të bëhet 4 vjeçar. Anëtarët e KQZ do të zgjidhen nga vetë parlamenti. Kryetari i KQZ-së zgjidhet në Kuvend me një procedurë të veçantë nga anëtarët e tjerë dhe do t’i përkasë mazhorancës, ndërsa nënkryetari zgjidhet në KQZ dhe do t’i përkasë opozitës.

Komisionet e dyta dhe të treta - Komisionet e Qendrave të Numërimit dhe Komisionet e Zonave të Administrimit të Zgjedhjeve do të kenë në përbërjen e tyre shtatë anëtarë. Dy prej tyre do t’i përkasin Partisë Socialiste dhe po aq Partisë Demokratike. Një anëtar do t’i përkasë forcës së dytë më të madhe të mazhorancës dhe një forcës së dytë më të madhe të opozitës. Anëtari i 7 do të zgjidhet me short mes PD e PS.

Femra, 30 për qind e listës zgjedhore - Lista e partisë me kandidatët për zgjedhje duhet të përmbajë minimalisht 30 për qind femra. Renditja e kandidatëve në listë përcaktohet nga vetë subjekti zgjedhor, që e paraqet atë, me kusht që në çdo grup prej 6 kandidatësh të ketë jo më pak se dy kandidatë nga secila gjini. Në rast se subjektet politike nuk plotësojnë kriteret e paraqitura, atëherë, KQZ-ja nuk do të regjistrojë subjektin në fjalë për të marrë pjesë në procesin zgjedhor.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›