Sqarimi zyrtar i Policisë së Shtetit: Policia nuk ushtroi dhunë, nuk ishte e aspak e nevojshme

Policia nuk ka ushtruar dhunë ndaj personave që kanë tubuar para selisë së Kuvendit, në mbështetje të 9 deputetëve të partive të vogla parlamentare që prej 4 ditësh po zhvillojnë një grevë në sallën e seancave plenare, në shenjë proteste ndaj Kodit të ri Zgjedhor. Burime zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë hedhur në këtë mënyrë poshtë spekulimet mediatike që flisnin për një dhunë të pashembullt të forcave të rendit ndaj manifestuesve. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit sqaruan se drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, me fillimin e grumbullimit të tubuesve në datat 10, 11, dhe 12 nëntor 2008, në rrugën “Xhorxh Bush”, ka marrë masat për sigurimin e rendit publik, duke bashkëpunuar me Gardën e Republikës. Sipas tyre, drejtues të Policisë së Tiranës janë takuar me organizatorët dhe drejtuesit e tubimit, duke i bërë me dije se ky tubim bie në kundërshtim me aktet ligjore. Personave pjesëmarrës në tubim, sqaron policia, u është kërkuar respektimi i ligjit “Për Tubimet”, por ata kanë vazhduar të qëndrojnë përballë hyrjes kryesore të Kuvendit të Shqipërisë, gjë që cenon rëndë sigurinë e këtij institucioni, i cili ruhet dhe sigurohet nga Forcat e Gardës së Republikës. Këto të fundit përveç ruajtjes së objektit, përgjigjen dhe për ruajtjen e sigurimin gjatë lëvizjes së personaliteteve të larta shtetërore. Më datën 12.11.2008, vijon burimi zyrtar, protestuesit kanë instaluar një çadër në ambientet ku zhvillojnë tubimin, duke bllokuar tërësisht dhe në mënyrë permanente lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të mjeteve. “Ndodhur në këto kushte, pas paralajmërimeve të herëpashershme dhe komunikimit me drejtuesit e protestës, rreth orës 23.30 të ditës së djeshme, policia ka ndërhyrë për të liruar ambientet publike, duke çmontuar çadrën e vendosur në rrugë”, u shprehën burimet zyrtare të Policisë së Shtetit, të cilat sqaruan se, “nuk është ushtruar dhunë ndaj protestuesve”. ...