E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon hartimi i planit rregullues të QSUT-së

Në bazë të planit rregullues, ndërhyrja e parë do të jetë ajo e sistemimit të hapësirave për parkimet e vizitorëve, të personelit dhe vendqëndrimet e taksive. Sipas drejtorit të kësaj qendre spitalore, Ilir Dashi, parashikohen tre vend-parkime me kapacitete të mëdha për pacientët dhe familjarët e tyre.

Në to, do të parashikohen edhe vende për parkimin e mjeteve të invalidëve, për vendosjen e motoçikletave dhe të biçikletave, si dhe për makinat e personelit mjekësor të QSUT. Por, sipas Dashit, do të kihet kujdes në ruajtjen e gjelbërimit ekzistues. Më tej, do t'i kushtohet vëmendje rritjes së cilësisë së rrethimit, duke restauruar murin ekzistues nëpërmjet mbylljeve të të gjitha çarjeve që ka.

Në bazë të këtij plani, QSUT do të ketë tre porta hyrëse dhe në pikën e kalimit pranë çdo porte do të parashikohet hapësira e nevojshme për këmbësorët. Pranë çdo porte hyrëse do të jenë pikat e informacionit dhe tabelat orientuese në territorin e spitalit për të ndihmuar dhe orientuar pacientët. Po kështu, parashikohet një skemë e re për sistemimin e mbledhjes se mbeturinave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›