Artistët: Sjellja e kuratorit, e ulët, vepra scenon fenë

Ardian Isufi
Pas heqjes së punës së Isufit në Venecia, reagojnë artistët.
Zv.ministri Hado premton se vepra e Isufit do të prezantohet vitin që vjen në Venecia.
Pas publikimit të lajmit për heqjen e projektit të artistit Ardian Isufi nga pavijoni shqiptar i arkitekturës në Bienalen e Venecias, pasi ishte instaluar dhe kishte nisur të thithte vizitorët e parë, reagon Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe dy kolegë të artistit. Sipas zv.ministrit të MTKRS-së, Abaz Hado, puna e Isufit është shumë kualitative dhe do të jetë një kartë e fortë për pavijonin e arteve pamore, vitin që vjen. Genc Përmeti, i cili ka qenë edhe në komisionin përzgjedhës të punëve që shkuan në Venecia, thotë se në asnjë mënyrë ajo nuk mund të ulte nivelin artistik të pavijonit, siç është shprehur kuratori Ilir Voci dhe se Isufi ishte një nga artistët më të kompletuar që përfaqësonin Shqipërinë atje. Ndërsa skulptori Genc Mulliqi e sheh tërësisht jo serioz veprimin e kuratorit, por Mulliqi e vendos të gjithë këtë në panoramën e përgjithshme shqiptare, ku artistët nuk respektohen. Ndoshta çështja do të kishte mbetur në heshtje, nëse organizatorët e pavijonit shqiptar të arkitekturës në Venecia nuk do të ishin treguar aq të pakujdesshëm sa të linin në broshurën e tyre edhe emrin e punën e një artisti, i cili ishte hequr nga pavijoni. Vetëm një ditë para hapjes zyrtare të pavijonit shqiptar në Bienalen e Venecias, projekti i artistit Ardian Isufi u hoq, me justifikimin që nuk i qëndronte konceptit kuratorial të përgjithshëm, pavarësisht se ai ishte një projekt i miratuar nga komisioni i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe fillimisht nga kuratori i pavijonit, Ilir Voci. Ky i fundit, i pyetur se përse puna e Ardian Isufit u hoq nga pavijoni, në kundërshti me veten, u përgjigj se nuk i qëndronte konceptit kuratorial edhe pse faktikisht projekti Objekte të paidentifikuara i Isufit i rrinte shumë mirë, dhe më tej u shpreh se puna e Isufit sillte bjerrje në nivelin artistik të pavijonit. Pas kësaj, erdhi reagimi i artistit Isufi, i cili shkakun e heqjes së punës së tij e sheh te fundamentalizmi fetar. Sipas Isufit, organizatorët i druheshin prezencës së një minareje në Venecia dhe i kishin kërkuar zëvendësimin e saj me një kullë kishe ortodokse. Unë u përballa me një mur religjioni, një mur fundamentalizmi i moderuar, të cilin nuk e shohim nga ata njerëz që kryejnë ritualin e tyre dhe duken qysh në pamje të parë që i përkasin një besimi të caktuar, por tek ata që në pamje të parë duken të moderuar, por në fakt janë shumë të vjetruar në mentalitetin e tyre, çka u reflektua edhe te mospranimi i punës sime, u shpreh Isufi për gazetën Panorama.
Abaz Hado: Provokim i fortë artistik
I pyetur në lidhje me heqjen e punës së Ardian Isufit nga pavijoni i Venecias, zv.ministri Abaz Hado, i cili ishte i pranishëm në hapjen zyrtare në Venecia, u shpreh se puna e Ardian Isufit është një provokim shumë i fortë artistik, të cilën unë personalisht dëshiroja shumë që të ishte pjesë e pavijonit. Pas zgjedhjes së 4 arkitektëve fitues, u hodh ideja që ky grup të plotësohej nga lista e pjesëmarrësve, punët e të cilëve ishin në një nivel të përafërt me fituesit, madje të përfshihej dhe një grup artistësh. Por, kur gjithçka mori formë, e kuptuam që ishte një vepër, një kartë e fortë që do të ishte shumë e vlefshme për Bienalen artistike të vitit që vjen. Ne tashmë jemi duke punuar për të dhe shpresojmë që ta realizojmë sërish në Palazzo Zorzi, e cila është një qendër shumë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore, ku është vendosur UNESCO. Ndërkaq, po përpiqemi që të kontaktojmë edhe me një kurator të një rangu botëror, që të kurojë pavijonin tonë. Hado u shpreh se provokimi artistik i Isufit do ti qëndrojë shumë mirë pavijonit të viti që vjen.Genc Përmeti: E pamundur që vepra e Isufit të ulë nivelin artistik
Artisti Genc Përmeti ishte i vetmi përfaqësues i arteve pamore në komisionin e përzgjedhjes së artistëve pjesëmarrës në pavijonin e arkitekturës në Bienalen e Venecias. Mund të them pa frikë që puna e Ardian Isufit ishte tejet e kompletuar, e investuar e serioze, dhe të gjithë ramë dakord që ajo të na përfaqësonte në Bienalen e Venecias. Sa i takon arsyes së largimit që jepet nga kuratori Voci, Përmeti shprehet: Ndër të gjithë artistët pjesëmarrës, Ardian Isufi është artisti më i kompletuar, me titull akademik, me një CV të pasur artistike, shumë aktiv dhe kualitativ në skenën e artit pamor shqiptar dhe në këtë kuptim, nuk mund ta pranoj që një punë e tij do ta ulte nivelin artistik të pavijonit tonë, përkundrazi. Sa i përket provokimit që sillte kjo vepër, qoftë në rrafshin fetar, kulturor dhe historik, Përmeti shprehet se një nga arsyet pse ajo punë më duket interesante është pikërisht provokimi, i cili paraqitet në disa aspekte. Oxhaku i fabrikës së qelqit është simbol i një revolucioni megaloman industrial në vitet 60, 70, 80 në Shqipëri. Tashmë kjo simbolikë ndryshon tërësisht destinacion, duke u kthyer në një objekt kulti. Pra, shohim sesi ka degraduar një revolucion. Dhe në këtë kuptim vepra ka brenda edhe simbolikën, edhe historinë, duke e bërë atë tejet të pjekur, tejet të menduar. Të mos harrojmë se Venecia ka qenë një nga vendet më të kërcënuara nga islamizmi, një nga vendet më të lakmuara nga Perandoria Osmane. Ka qenë një rrezik real, janë zhvilluar beteja reale dhe nëse në punën e Ardian Isufit minarja do zëvendësohej me një kullë ortodokse, budiste apo të çdo feje tjetër, atëherë nuk do të kishte asnjë kuptim. Tashmë flitet për një lloj tjetër invazioni, për një pushim kulturor, i cili po pushton vendin, përkundër atij pushtimi që i janë druajtur për shekuj me radhë.Genc Mulliqi: Sjellje e ulët e kuratorit, vepra angazhim serioz.
Për artistin Genc Mulliqi, mënyra se si e gjithë kjo situatë është menaxhuar nga ana e kuratorit të pavijonit shqiptar në Venecia, është joserioze, por jo e habitshme. Sjellja e kuratorit është tërësisht joserioze, pasi artisti bën një angazhim intelektual, punon për muaj për të sjellë në jetë një vepër dhe të sillesh në këtë mënyrë është e shëmtuar, e ulët, por normale për realitetin shqiptar. Nuk e shoh të çuditshme, pasi mentaliteti që sundon është i tillë. Nga ana e shtetit, i cili është i vetmi pasunar dhe investitor për kulturën, vihet re gjithnjë e më tepër një trajtim i ulët ndaj artistëve. I shohin ata si parazitë, sikur nuk bëjnë asgjë, sikur vijnë vërdallë kot. Dhe në këtë lloj sfondi, nuk është e çuditshme kjo që ka ndodhur. I pyetur nëse puna e Isufit është provokative apo cenon njërin apo tjetrin religjion, Mulliqi thotë se nuk e kuptoj ku qëndron rreziku fetar. Ajo është një vepër që nuk cenon askënd, që lidhet më shumë me tranzicionin shoqëror që po kalon Shqipëria, sesa atë fetar. Mund të ketë interpretime të ndryshme, por personalisht nuk shoh që kjo punë i kundërvihet fesë. Për mua është një angazhim serioz.
ALMA MILE