E Shtunë, 31 Tetor 2026

Venecia, Anija e ëmbël merr çmimin Pasinetti

Historia e dhimbshme e eksodit shqiptar, shfaqur në datën 3 shtator në Festivalin e Filmit në Venecia, përmes dokumentarit La nave dolce, u vlerësua dje me çmimin Francesco Pasinetti. Sipas gazetarëve të kinemasë (SNGCI), të pranishëm në Venecia, dokumentari më i mirë i Festivalit të Venecias 2012 është La nave dolce, me regji të Daniele Vicarit, një bashkëprodhim shqiptaro-italian i Indigo Film dhe Apulia Film Commission, prodhuar me Rai Cinema në bashkëpunim me Ska-Ndal Production (përfaqësuar nga Ilir Butka dhe Genc Përmeti) dhe Telenorba. Sipas të gjitha mediave të huaja, që nuk i kursyen hapësirat e tyre për të prezantuar filmin e Vicarit dhe të producentëve italo-shqiptarë, dokumentari i cili u shfaq jashtë konkurrimit, u prit me një sukses të madh nga publiku dhe kritika. Anija e ëmbël, e cila mori këtë emër për shkak të anijes që mbartte sheqer, tregon zbarkimin në brigjet italiane të mbi 20 mijë shqiptarëve më 7 gusht të vitit 1991. Një histori dhimbjeje dhe shprese, e treguar mjeshtërisht dhe në mënyrë fare të sinqertë përmes vetë heronjve të kësaj ngjarjeje të 21 viteve më parë. Janë njerëz të cilët jetuan ferrin dhe parajsën e largimit nga një vend komunist drejt shpresës, e cila gjithsesi nuk ishte ajo që kishin ëndërruar. Disa prej tyre gjithsesi ia dolën, të tjerë… Atë çfarë ndodhi atë verë mbi anijen Vlora e tregojnë Halim Milaqi (komandanti i Vlorës), Eva Karafili, Agron Sula, Kledi Kadiu, Robert Budina, Nicola Montano, Domenico Stea, Fortunata DellOrzo, Luca Turi, Raffaele Nigro, Maria Brescia etj. Dhjetë vjet më parë e mora këtë çmim për filmin tim të parë artistik. Këtë radhë, çmimi Pasinetti shkon për një dokumentar e kjo është shumë e rëndësishme për kinemanë dokumentaristike, është shprehur dje gjatë ceremonisë së dorëzimit të çmimit regjisori Daniele Vicari. Mësohet se kjo është hera e parë që SNGCI ka vendosur tia japë çmimin Pasineti një filmi jashtë konkurrimit, duke e kthyer fokusin e vet drejt një tjetër kinemaje, që premton të tjera këndvështrime dhe breza të rinj kineastësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›