Përfundon numërimi i votave në njësinë nr.7, Lulzim Basha kryeson me 71 vota më shumë

Procesi po shkon drejt fazës finale, teksa kanë mbetur për t’u numëruar votat e vetëm 4 njësive bashkiake të kryeqytetit, në mënyrë të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të miratojë tabelën përfundimtare për rezultatin zgjedhor në bashkinë e Tiranës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfundoi sot pasdite numërimin e votave të hedhura në kutinë e gabuar, të Qendrave të Votimit në njësitë bashkiake 6 dhe 7 të KZAZ-ve 50 dhe 51. Në përfundim të tyre, kandidati i Partisë Demokratike Lulzim Basha u rendit 71 vota para rivalit të tij, Edi Rama, kur kanë mbetur dhe kutitë e votimit të 4 njësive bashkiake. Nga votat e numëruara në 195 kuti votimi të njësisë bashkiake nr. 7 që i takon KZAZ-së 51, 20 vota i kanë shkuar kandidatit të PD-së, Basha dhe 23 vota kandidatit socialist, Rama. Seanca e radhës së KQZ-së është sot në orën 10:00 ku do të vijohet me kutitë e njësisë nr. 8 dhe njësinë nr.9 të KZAZ-ve 52 dhe 53.
Mbledhja e kësaj pasdite ka vijuar e qetë dhe nuk ka pasur shumë kontestime. Të vetmet debate kanë qenë për kodin e 5-të, por këto debate janë anashkaluar me mirëkuptim, për shkak se një pretendim i tillë është absurd po të marrim parasysh se nuk ka tepricë apo mangësi të votave të hedhura gabim.
Kësisoj, me këto ritme, 8 grupet e numërimit pritet të finalizojnë brenda ditës së nesërme 2 njësitë e tjera bashkiake, 8-ën dhe 9-ën, për të vijuar të enjten me 10-ën dhe 11-ën.
Njësia bashkiake nr.11, që i takon KZAZ-së 55, shënon edhe fundin e procesit të numërimit të votave të hedhura në kutinë e gabuar. Pra, të enjten Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton tabelën përfundimtare të rezultatit zgjedhor për Tiranën.
...