E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jorida Tabaku: Edi Rama kërkon të delegjitimojë procesin zgjedhor

21-06-2011 / Gazeta 55

“Partia Demokratike falënderon numëruesit e të dy palëve që po punojnë pranë KQZ-së për të bërë të mundur që ky proces të shkojë drejt një përfundimi”.
Kështu u shpreh dje në një deklaratë për shtyp, përfaqësuesja e selisë blu, Jorida Tabaku. Duke shtuar se ditët e fundit, ne kemi parë një përpjekje shqetësuese nga Partia Socialiste për të errësuar procesin, goditur institucionet e pavarura, dhe për të mbytur zërin e qytetarëve. “Të shtunën, Edi Rama kërcënoi se do të bojkotojë parlamentin nëse KQZ vazhdon procesin e urdhëruar nga Kolegji Zgjedhor, pas ankesës që bëri vetë Edi Rama.
Të dielën, Edi Rama tha që KQZ po vepron nën urdhrat e Berishës, ndërkohë që të gjithë e dinë se KQZ po vepron sipas urdhrit që dha Kolegji Zgjedhor, me kërkesën e bërë nga vetë Partia Socialiste. Sot, Edi Rama akuzoi KQZ-në për manipulim të procesit. Nuk ka manipulime. Përveç faktit se sot, siç e ka parë i gjithë publiku, një vëzhguese e Partisë Socialiste tentoi të manipulojë procesin duke thyer një kuti votimi”, u shpreh ajo.
Duke shtuar se çdo shqiptar ka pasur mundësinë ta shohë numërimin drejtpërdrejt në TV.
Dhe të gjithë shqiptarët janë duke pritur me qetësi dhe durim që procesi zgjedhor të mbyllet.
“Partia Demokratike bashkohet me durimin e qytetarëve dhe respekton vendimet e institucioneve të pavarura, ashtu siç kërkon edhe komuniteti ndërkombëtar.
Komuniteti ndërkombëtar po na kërkon të gjithëve që të sillemi me maturi dhe të presim përfundimin e procesit dhe respektimin e vendimeve të institucioneve. I vetmi që po kundërshton këtë, është Edi Rama. Ky proces, është më i rëndësishëm se sa, kush fiton apo kush humbet. Ky proces ka të bëjë me një standard themelor të zgjedhjeve të lira dhe dëgjimin e zërit të çdo qytetari. E çdo parti ka përgjegjësinë e saj të respektojë vendimet e institucioneve të pavarura dhe të heqë dorë nga presionet e shantazhet”, deklaroi më tej, këshilltarja demokrate në bashkinë e Tiranës, Jorida Tabaku.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›