E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon projekti për nxënësit e shkollave profesionale



Shkolla e mesme ekonomike dhe e Hoteleri-Turizmit në Tiranë kanë qenë të parat nga shkollat profesionale, mësuesit e së cilës hartuan vetë kurrikulat e gjuhës angleze duke “përkthyer” dhe përshtatur terminologjinë e përdorur në lëndët e profesionit në një anglishte të botës së punës. Ministria e Arsimit nënshkroi (më 3 korrik 2007) një Memorandum Mirëkuptimi me “British Council” për arsimin profesional “Anglishtja për Botën e Punës”, “English for Ëork” dhe “Skills at Work”, me anën e së cilit synohet që nxënësit e Arsimit Profesional të jenë të aftë ta përdorin mirë këtë gjuhë, në fushën ku ata operojnë, pra në profesionin e tyre. Përmes këtij projekti synohet gjithashtu: Përafrimi i programeve mësimore me tregun e punës. Ky përmirësim dhe mësimi i gjuhës së huaj anglisht për botën e punës do të bëjë që shkollat të jenë më efektive dhe më pranë praktikës; Trajnimin e mësuesve, të cilët duhet të njihen me kërkesat e tregut për tipin e shkollës që ata mbulojnë dhe të përgatisin materialet gjuhësore sipas këtyre kërkesave; Zhvillimin e aftësive të nxënësve për të punuar në skuadër dhe për të komunikuar në gjuhën e biznesit të tyre. Në përfundim të këtij projekti 1-vjeçar mësuesit dhe nxënësit u certifikuan për aftësitë e tyre të reja në anglisht, tashmë në zhargonin e ekonomistëve dhe hotelierëve. Përqasja që u përdor në këtë projekt ishte metoda “nga poshtë–lart”, ku shkollat dhe mësuesit hartuan vetë projekt-veprimtaritë, që do të përmirësojnë formimin e aftësive dhe kapaciteteve të tyre. Mësimi cilësor i gjuhës angleze dhe sa më pranë nevojave të tregut të punës është një domosdoshmëri për shkollat profesionale. Lëvizja e lirë, punësimi dhe studimet në vende të tjera kërkojnë njohës dhe përdorues të gjuhëve të huaja. Të rinjtë shqiptarë duke njohur më shumë gjuhë të huaja do të sigurojnë më shumë mundësi pune dhe shkollimi në Shqipëri dhe në Evropë. J.Tashi

16 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›