Punësimi në Kanada, dokumentet shtesë që duhen paraqitur me formularin
Për të siguruar të drejtën e punësimit në Kanada, pas plotësimit të formularit duhet që bashkëngjitur formularit të jenë edhe disa dokumente të domosdoshme. Këto dokumente janë taksative dhe paraqitja e tyre është pa kompromis, ndërsa sipas rastit, përveç këtyre dokumenteve, mund të paraqiten edhe disa të tjera shtesë, të cilat jepen vetëm në rastet kur kërkohen nga oficeri i Emigracionit. Paraqitja e dokumenteve u referohet kryesisht vërtetimeve noteriale që lidhen kryesisht me statusin civil të aplikantit, por edhe me marrëdhëniet e tij me punëdhënësin që ka dalë garant për të në Kanada. Të gjitha kërkesat për emigracion, të cilat i takojnë njërës dhe së njëjtës klasë emigrantësh (independent immigrants, family class, refugee claimants etj.), janë të programuara për intervista strikte sipas radhës së regjistrimit të tyre (on a “first – come”, “first served” basis). Megjithatë, ky rregull, aplikohet veçmas në nivelin e çdo konsullate dhe jo në nivelin e sistemit në përgjithësi. Për këtë gjë, dy kandidatë, të cilët kanë vendosur kërkesën e tyre në të njëjtën ditë, por në konsullata kanadeze të ndryshme, në më të shumtën e rasteve do të programohen për intervista në data të ndryshme, në varësi të ritmit të punës së çdonjërës prej të dyjave konsullatave. Në kuadrin e çdonjërës prej tyre radha aplikohet strikt dhe asnjeri, qoftë ai avokat apo funksionar i ambasadës, nuk do të mund të “rregullojë” dosjen e ndonjë kandidati në mënyrë që të “kalojë radhën“ mbi të tjerët.
Guida
Përveç kërkesës për dokumente shtesë një rëndësi të veçantë ka dhe mënyra e mbushjes së formularit. Për këtë procedurë ka një guidë të veçantë dhe shumë strikte, pasi çdo pasaktësi në mbushjen e formularit mund të kushtojë shtrenjtë. Për këtë arsye është e këshillueshme që secili aplikant që ka vendosur të plotësojë formularin e aplkikimit ta kryejë këtë procedurë nën konsulencën e ekspertëve të certifikuar në Shqipëri nga zyrat e Emigracionit kanadez.
Për të punuar në Kanada personalisht apo së bashku me familjen fillimisht plotësohet formulari, i cili i dërgohet më tej njërës prej ambasadave kanadeze në sektorin e zyrës së Emigracionit. Prioritet do të kenë të gjithë ata aplikantë të cilët bëjnë kërkesën e tyre të punësimit në bazë të një ”ftese” ose para-garancie të dhënë nga ndonjë punëdhënës apo kompani kanadeze. Kjo ndodh për vetë faktin se në rastin e vendeve ish-komuniste si Shqipëria, rregullat që kushtëzojnë pranimin e tyre janë më strikte. Kjo për vetë faktin se në këto vende është shumë i përhapur trafikimi i qenieve njerëzore, e për pasojë shteti kanadez ka vendosur që përveçse do të kenë prioritet punonjësit e ftuar nga firmat kanadeze, dhe kualifikimi i tyre arsimor duhet të jetë i kënaqshëm. Tashmë që në Kanada është formuar një komunitet i madh shqiptarësh, aplikimet për vende pune janë bërë më të kënaqshme dhe më të arritshme, pasi shqiptarët që janë ndërkohë në Kanada kanë në dorë që të mundësojnë garancitë për aspirantët që aplikojnë nga Shqipëria.
Pikët
Për të emigruar në Kanada duhet të marrësh një minimale prej 70 pikësh, të cilat
bazohen në faktorë të tillë si: mosha, aftësia në anglisht ose frëngjisht, niveli i arsimit, profesioni dhe vjetërsia në atë profesion. Pasi arrin kuotën e 70 pikëve procesi zgjat zakonisht 12-13 muaj. Për këtë proces paguhet money-order processing fee në shumën prej 500 dollarësh kanadezë në fillim dhe pas intervistës me një oficer Emigracioni kanadez, në qoftë se ju aprovojnë paguani dhe 975 dollarë të tjerë për Landed Immigrant dokument. Në qoftë se për çfarëdo arsye juve nuk aprovoheni, pagesa e parë prej 500 dollarësh nuk kthehet, ndërsa tjetra (në qoftë se do ta paguani që në fillim) ju kthehet. Oficeri i Emigracionit është i vetmi person në të gjithë këtë proces i cili vendos nëse do t'ju jepet dokumenti i përhershëm. Ai këtë e vendos duke u nisur para së gjithash në llogaritjen e pikëve që ju merrni, në bazë të të dhënave që keni dërguar në ambasadë. Arsyeja tjetër është Oficeri ka të drejtë t'ju japë apo t'ju heqë 10 pikë për SUITABILITY (përshtatshmëri). Ai këtë vendim e merr duke parë aftësitë tuaja për t’u adaptuar me jetën kanadeze, njohuritë tuaja në anglisht dhe planet tuaja se çfarë keni ndër mend të bëni në Kanada.
Dokumentet që i bashkëlidhen formularit të punës
*Aplikimi i kompletuar i ”Lejes për punë”
*Aplikimi i përfaqësuesit tuaj në Kanada
*Ftesa që ju është bërë për të punuar
*Të dhëna që vërtetojnë aftësinë tuaj për atë punë
*Pasaportë të vlefshme dhe leje udhëtimi
*Dy foto tuajat dhe të çdo anëtari të familjes
*Faturat e pagesës për koston e aplikimit
*Një vërtetim të ligjit zakonor për të martuarit
*Dokumente shtesë të kërkuara nga oficeri i Emigrimit
Aplikimi, ambasadat ku dërgohet formulari
Është e nevojshme të theksohet që me kriteret në fuqi janë të favorizuar ata që kanë diplomime universitare si inxhinierët, ekonomistët, përkthyesit, specialistë të bujqësisë dhe blegtorisë, shkencave sociale dhe natyrore, studiues të fushave të ndryshme etj., të cilët kanë të paktën një vit eksperiencë pune në fushën për të cilën janë diplomuar dhe janë të moshave 21-44 vjeç. Procesi i aplikimit kalon nëpërmjet një ambasade kanadeze, pavarësisht se ku. Është e drejtë e gjithsecilit të aplikojë atje ku ai dëshiron. Një pjesë e mirë e aplikantëve nga Shqipëria kanë zgjedhur si ambasadë atë në Romë, e cila i interviston aplikantët në Tiranë. Por jo pak janë ata që kanë aplikuar nëpërmjet Ambasadës Kanadeze në Varshavë, Ankara, Bukuresht e gjetkë. Aplikimi kalon nëpër disa faza, por më e rëndësishmja është intervista, në të cilën merret edhe vendimi për kualifikimin apo jo të kërkesës së aplikantit. Intervista zhvillohet në Ambasadën Kanadeze midis një oficeri të Emigracionit kanadez dhe aplikantit. Pas përfundimit me sukses të saj duhet që aplikanti të kryejë një kontroll mjekësor nga një mjek i njohur prej qeverisë kanadeze. Në Shqipëri është një i tillë. Ky kontroll duhet ta bindë ambasadën se personi në fjalë dhe anëtarët e familjes së tij nuk paraqesin problem për shëndetin publik kanadez me gjendjen e tyre shëndetësore. Disa ambasada, pas marrjes së rezultatit të analizave mjekësore, i kërkojnë aplikantit të transferojë fonde të mjaftueshme monetare në një llogari bankare në Kanada, të hapur në emër të tij. Nga ana tjetër, që ambasada të marrë vendimin përfundimtar, pra lëshimin e vizës, duhet që edhe Ministria e Brendshme Kanadeze të japë miratimin e saj pas shqyrtimit që ajo i bën të dhënave personale të aplikantit.
16 Maj 2008