Statusi i të verbrit, kategoritë që e përfitojnë
Emanuela Sako
Të verbrit trajtohen në një mënyrë të veçantë për shkak të problemeve që kanë dhe pamundësisë për të jetuar të vetëm apo të papunë. Për këtë shteti shqiptar ka vendosur disa rregulla, me një ligj të veçantë, për të përfituar statusin e të verbrit. Në bazë të paraqitjes së dokumentacionit dhe vizitës mjekësore, të gjithë personat trajtohen në mënyrë të veçantë, duke përfituar një shumë lekësh në formën e pagës mujore në varësi të pagës minimale që është vendosur në vend. Shuma varion sipas kategorive të përcaktuara me ligj, ashtu dhe për kujdestarin, nëse personi është i paaftë për t’u kujdesur për veten.
Kështu, masa e përfitimit për shkak të verbërisë është përcaktuar 8000 lekë në muaj. Po kështu edhe masa e përfitimit për kujdestarinë është e njëjtë, 8.000 lekë në muaj. Ndërsa, nxënësit e verbër që vazhdojnë shkollat e mesme ose kurse kualifikimi përfitojnë dyfishin e pagesës 16.500 lekë në muaj. Ndërsa, kur personat që janë pjesë e statusit të të verbrit dhe që ndjekin arsimin e lartë apo kurse kualifikimi përfitojnë 24.800 lekë në muaj. Studentët e verbër që përfshihen në studimet pasuniversitare si dhe kanë mbrojtur gradën “Doktor i shkencave” përfitojnë trefishin e pagesës për shkak të verbërisë të përcaktuar në pikën 4 të VKM Nr 277 datë 18.06.1997 dhe pikërisht 24.800 lekë në muaj. Për përfitimin e pagesës për shkak të verbërisë, të verbrit që vazhdojnë shkollat e mesme dhe të larta me dhe pa shkëputje nga puna, kur cikli normal shkollor është 4 vjet dhe i verbëri përsërit një vit shkollor, ai ka të drejtë tw marr pagesën e verbërisë vetëm njw vit më shumë se kohëzgjatja e ciklit normal, që do të thotë 5 vjet. Të gjithë personat e verbër që kanë punuar në ndërmarrje shtetërore ose kooperativë bujqësore para janarit të vitit 1991 dhe humbasin vendin e punës pas janarit 1991, përfitojnë 150 % të vlerës së përcaktuar në pikën 4 të V K M Nr 277 datë 18.06.1997 (kur këtë e vërtetojnë me paraqitjen e librezës së punës të fotokopjuar dhe të noterizuar, ose (vërtetim nga arshiva kur të verbrit kane punuar ne kooperative bujqësore) përfitojnë 12.000 lekë në muaj .
Kryerja e pagesës
Të verbrit përcaktohen sipas shkallëve të verbërisë dhe në bazë të saj vendoset pagesa dhe kujdestaria. Nëse i verbri nuk është i aftë të përkujdeset për veten, atëherë atij i vendoset kujdestari për të qenë pranë tij. Kujdestari mund të jetë një pjesëtar i familjes apo edhe një person jashtë saj. Edhe kujdestari duhet të jetë i pajisur me dokumentacion, që e klasifikon atë si kujdestar dhe merr pagë të veçantë. Pagesa e përfitimit për shkak të verbërisë si dhe ajo e përfitimit të kujdestarisë bëhet çdo muaj. Tërheqja e parave mund të bëhet nga vetë i verbëri, apo kujdestari me dokument identiteti ose certifikatë me fotografi. Kur i verbëri dhe kujdestari i tij mungon atëherë pagesa mund të tërhiqet nga një pjesëtar tjetër i familjes i pajisur me prokurë.
Dokumentet për përfitim
Për përfitimin e pagesës për shkak të verbërisë, të verbrit që vazhdojnë shkollat e mesme dhe të larta me dhe pa shkëputje nga puna, duhet të paraqesin disa dokumente. Në këto dokumente përfshihet, vërtetim të firmosur nga titullari dhe sekretari i shkollës i cili të përmbaje, emrin e për fituesit, llojin e arsimit që ndjek, vitin shkollor nëse është cikël normal me korrespondencë apo i përsëritur.
Po kështu, duhet të ketë vërtetim të firmosur nga titullari dhe sekretari i shkollës për frekuentimin e shkollës nga përfituesi për çdo 3-muaj. Ndërsa për të verbrit që vazhdojnë shkollën me korrespondencë duhet të pajiset me një vërtetim që tregon se ka shlyer detyrimet para çdo sezoni. Po kështu, duhet të jenë të pajisur me kopjen e noterizuar të dëftesës së shkollës të çdo viti për shkollën e mesme dhe kopjen e noterizuar të diplomës në mbarim të shkollës së lartë. Për përfitimin e pagesës për shkak të verbërisë, të verbrit që ndjekin kurset e kualifikimit duhet të paraqesin këto dokumente:
vërtetim nga institucioni që organizon kursin, ku të jetë përcaktuar emri i kursantit, lloji i kursit dhe kohëzgjatja e tij. Vërtetim për frekuentimin e kursit, kur ai zgjat mbi 6-muaj, vërtetimi paraqitet çdo 3-muaj, si dhe kopja e noterizuar e dëshmisë së kursit në mbarim të tij. Për përfitimin e pagesës për shkak të verbërisë, të verbrit që kanë fituar gradën “Doktor i Shkencave” duhet të paraqesin si dokument shtesë origjinalin ose kopjen e noterizuar të dokumentit që vërteton dhënien e gradës shkencore.
Falsifikimi
Për rastet kur i verbëri kryen veprime të qëllimshme për të përfituar verbërinë si, në rastet e falsifikimit të dokumenteve të verbërisë, dëshmive pa dëftesa, refuzim i punësimit, refuzim i kualifikimit, mosparaqitja e dëshmive pas mbarimit të dy kurseve të kualifikimit, merren masa ndaj tyre. Në këto raste, personi i verbër përjashtohet nga skema e përfitimit për shkak të verbërisë, i merret libreza e verbërisë për një periudhë deri në 3 vjet dhe i nënshtrohet disa sanksioneve të përcaktuara. Kur personi i verbër merr pagesë të padrejtë me mungesë të plotë ose të pjesshme dokumentacioni, veçanërisht të librezës së verbërisë që përsëritet çdo vit, administratori shoqëror mban përgjegjësi, për shkelje të disiplinës së punës dhe asaj financiare. Fondet e pagesave të pensioneve të invaliditetit të atyre personave që përfitojnë nga ligji 8098 datë 28.03.1996 “Për Statusin e të Verbrit” mbulohen nga sigurimet shoqërore, ndërsa fondet e pagesave të verbërisë dhe kujdestarisë të personave që përfitojnë nga ky ligj akordohen nga Shërbimi Social Shtetëror.
Dokumentacioni
Kërkesë për trajtim si i verbër
Certifikatë personale me fotografi.
Vendimin mjekësor të lëshuar nga KMCAP ku të jetë përcaktuar
Shkalla e paaftësisë (grupi i parë ose i dytë)
Përqindja e shikimit
Nevoja për kujdestar.
Kopje të Librezës së verbërisë, e lëshuar nga “Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë, e cila noterizohet sa herë që personi i verbër komisionohet. Kur vendimi i KMCAP është një herë e përgjithmonë, libreza noterohet në fillim, pastaj paraqitet çdo vit e fotokopjuar, por e panoteruar.
Kopjen e Librezës së punës të noteruar ose vërtetimin e arkivit, kur ai ka qenë në marrëdhënie pune me kooperativën bujqësore.
Deklaratën noteriale mes të verbrit dhe kujdestarit si dhe adresën e kujdestarit.
Certifikatën familjare, kur kujdestari i të verbrit është pjesëtar i familjes.
Certifikatë të kujdestarit me fotografi, kur kujdestari është i zgjedhur jashtë familjes.
Paga
Me statusin i verbër 8000 lekë
Me gradën “Doktor i shkencave” 24.800 lekë
Nxënësit e verbër 16.500 lekë
Nxënësit që ndjekin kurse 16.500 lekë
16 Maj 2008