E Shtunë, 31 Tetor 2026

Westerwelle: Kosova do të njihet nga të gjitha vendet e BE

Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Gjermani, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Guido Westerwelle.
Në këtë takim është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. Gjatë takimit të dy ministrat kanë rënë dakort që të ketë më shumë investime gjermane në Kosovë.
 

Në një konferencë për mediat Hoxhaj dhe Westerwelle janë pajtuar që në muajin mars të organizohet një Forum Ekonomik në Berlin, ku Kosova para investitorëve gjermaën do të prezantojë mundësitë e investimeve.
Ndërsa duke folur për bashkëpunimin bilateral, Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle ka theksuar se Gjermania mbështet integritetin dhe sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës.
 

“Ne ishim ndër shtetet e para që e kemi njohur pavarësinë e Kosovës. Ne do ta mbështesim Kosovën edhe në të ardhmen”, ka deklaruar Ministri gjerman.
Nga ana tjetër, Ministri Hoxhaj ka falënderuar homologun e tij për ndihmën që shteti gjerman ka dhënë në rindërtimin e Kosovës dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike në Kosovë.
“Berlini për ne mbetet një adresë e rëndësishme politike në Evropë. Gjermania me politikën e saj, ka kontribuar në sigurimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkan. Ka ndihmuar Republikën e Kosovës në periudha të ndryshme, për çfarë do të jemi gjithmonë falënderues”, ka theksuar Ministri Hoxhaj.
 

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka marrë mbështetje nga shteti gjerman edhe për perspektivën evropiane të Kosovës.
Në këtë kontekst Ministri gjerman Westerwelle ka thënë se Gjermania mbështet perspektivën evropiane të Kosovës.
“Ne do ta mbështesim Kosovën edhe rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian. Gjermania do t`i shfrytëzoj të gjitha mundësitë diplomatike për të bindur 5 shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë”, ka thënë Westerwelle, pas takimit me Ministrin Hoxhaj.
 

Ndërkaq, Ministri Hoxhaj ka theksuar se Kosova nuk do të mbetet i vetmi vend në Evropë që nuk e gëzon lirinë e lëvizjes pa viza.
“Viti 2012 është viti i Kosovës evropiane. Ne kemi përmbushur shumicën e kritereve për procesin e liberalizimit të vizave”, ka thënë Ministri Hoxhaj.
 

Gjatë qëndrimit në Berlin, Ministri Hoxhaj ka kërkuar ndihmën e shtetit gjerman edhe sa i përket përmbylljes së procesit të njohjeve dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Nesër ministri Hoxhaj do të vazhdojë vizitën zyrtare në Gjermani, ku do të zhvillojë takime me shumë deputetë gjermanë dhe personalitete të tjera të jetës politike dhe publike gjermane.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›