E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfundon takimi i grupit të PS-së

Ka përfunduar mbledhja prej një 2 orë e 30 min i grupit të Partisë Socialiste, e drejtuar nga Gramoz Ruçi. Në qendër të bisedimeve të kësaj mbledhje ka qenë unifikimi i grupit të PS-së në mënyrë që të mos ketë rrjedhje të votave në lidhje me votimin e kandidaturës së Bujar Leskajt si kryetar i KLSH-së. Krahas kësaj, pjesë e diskutimeve mësohet të ketë qenë edhe buxheti 2012.
Më herët përgjatë mbledhjes kreu i selisë rozë Edi Rama ka deklaruar se deputetët e majtë nuk do ta votojnë kandidaturën e Bujar Leskajt.
Sipas Ramës, PS-ja është për një figurë jo politike në krye të KLSH-së dhe Bujar Leskaj nuk i përmbush kushtet e propozuara nga kjo forcë politike në paktin prej 10 pikash.
"Ndërkohë që ka një traditë që kryetarin e KLSH-së nuk e merr qeveria dhe nuk propozohet asnjë figurë politike, Bujar Leskaj jo vetëm vjen nga partia në pushtet por nuk përmbush asnjë kusht për tu votuar prej nesh” ka theksuar Rama.
Gjithashtu Rama theksoi se nëse dekreti i presidentit Topi kalon në Kuvend atëherë ky institucion nuk do të quhet më Kontrolli i Lartë i Shtetit por kontrolli i pushtetit.
Një ditë më parë, deputeti i PD-së, Edi Paloka shprehu vlerësimin pozitiv për kandidaturën e Bujar Leskajt, duke shtuar se gjithsesi për të do të merret një vendim i grupit parlamentar të PD-së.
Dekreti i Topit vjen pas rrëzimit të kandidaturës së parë zgjedhur prej tij për kreun e KLSH-së, Sali Shehun, rrëzuar nga maxhoranca si kandidaturë e papranueshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›