Përfundon takimi në Dragodan, rezultati pritet nesër
(E plotësuar) Ka përfunduar takimi ndërmjet Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në Ambasadën amerikane.
Nuk dihet ende nëse është arritur ndonjë marrëveshje për tejkalimin e krizës, mirëpo pritet që nesër të kuptohet se cili është rezultati i bisedimeve, nikoqir i të cilave ishte vet Ambasadori amerikan, Christopher Dell.
Maratonë bisedimesh në Dragodan
Në ambasadën amerikane në Prishtinë janë duke vazhduar bisedimet ndërmjet Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, nikoqir i të cilave është Ambasadori amerikan, Christopher Dell.
Sipas burimeve të Expressit, takimi, i cili ka filluar gjatë paradites së sotme, është duke vazhduar edhe në orët e vona, me qëllim që të gjindet një zgjidhje për krizën politike, të krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se zgjedhja e Presidentit Behgjet Pacolli ishte jo-kushtetuese.
Dell takon krerët politikë për presidentin
Ambasadori amerikan, Christopher Dell, ka pritur sot në takime kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, si dhe liderin e dorëhequr të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, për të biseduar për gjetjen e një zgjidhje për krizën politike në vend.
Nga ky takim mediat, i cili ka filluar në orën 11 e 30 minuta, nuk janë lejuar as të marrin pamje nga afër objektit, ndërkohë që mësohet se liderët e dy partive më të mëdha në vend dhe Behgjet Pacolli, kanë zhvilluar biseda në përpjekje për të gjetur një konsensus të përbashkët për daljen nga kriza që ka shkaktuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e presidentit të vendit, raporton KosovaPress.
Ndërkohë, sipas informacioneve, edhe shefi i ICO-së, Pieter Feith është bërë nikoqir i një takimi të përbashkët të Thaçit, Mustafës dhe Pacollit.
Është bërë e ditur se veturat e dy liderëve të subjekteve më të mëdha politike në vend, nga Ambasada Amerikane, janë drejtuar për tek ndërtesa e ICO-së në të njëjtën lagje. Mirëpo as nga ky takim, nuk janë dhënë detaje.
Takimet nuk janë konfirmuar as nga PDK-ja e LDK-ja, as nga dy institucionet ndërkombëtare.
Opozita në Kosovë ka kushtëzuar pjesëmarrjen e saj në seancën e zgjedhjes së presidentit, me gjetjen e një personaliteti konsensual për president dhe me organizimin e zgjedhjeve pas një viti, mirëpo me kushte të tilla nuk pajtohen partnerët e koalicionit, të cilët tashmë janë pajtuar me rikandidimin e Behgjet Pacollit për të parin e vendit, por po ashtu kanë dhënë shenja pajtueshmërie për ndryshimin e Ligjit zgjedhor dhe nenit 86 të Kushtetutës, e cila përcakton zgjedhjen e presidentit.
Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë ka shprehur besimin e saj se vetëm përmes komunikimeve konstruktive ndërmjet të gjitha palëve, Kosova do të mund të dalë nga situata politike e krijuar pas aktvendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Kurse ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka paralajmëruar se nga dita e nesërme do të nisë takimet me subjektet politike për të biseduar për gjetjen e zgjidhjes së krizës politike në vend.