Rrogat në konto

Ministria e Financave ka proceduar listat me pagat e shërbyesve civilë për muajin mars të punonjësve të sektorit publik, ashtu siç u ishte premtuar në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës. Pagat me rritje kanë dalë nëpër kontot e qytetarëve të martën. Këtë e ka konfirmuar për Express ministri i Financave, Bedri Hamza.
“Vendimi për pagat është ekzekutuar. Besoj se ato do të dalin që sot”, ka thënë Hamza. Sipas tij, pagat për sektorin publik janë ekzekutuar sipas vendimit të mëhershëm të Qeverisë. Gjithashtu bëhet e ditur se diferenca e pagave me rritje për muajt janar e shkurt do të bëhet ndaras nga pagesa e rrogave të marsit. Ministria e Administratës Publike, e cila i përgatit listat e pagave, ka sqaruar se shtesat për muajt janar dhe shkurt do të paguhen së bashku me pagat e muajit prill. Kështu që, këtë muaj qytetarët do ta marrin me rritje vetëm pagën e marsit.
Ministri Hamza më herët ka thënë se kjo ministri i ka bërë të gjitha përgatitjet që të fillojë dhënien e pagave nga buxheti i Kosovës. Por, pagat me rritje thuhet se nuk kanë dalë me kohë për shkak të procedurave bankare.
Ndërkohë, përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Hose Sulejman, ka deklaruar se institucionet e vendit duhet të jenë më të vëmendshme për të gjitha zhvillimet ekonomike në vend. Sa i përket rrezikut nga deficiti buxhetor, që Kosova mund të hyjë në këtë vit, Sulejman ka vlerësuar se Kosova duhet të ketë kujdes që deficiti të mos jetë më i lartë se 5 për qind e bruto prodhimit vendor.
Vendimi për rritjen e pagave pati ardhur pas premtimeve dhe memorandumeve që Hashim Thaçi, në cilësinë e kryeministrit në dorëheqje, pati nënshkruar gjatë fushatës zgjedhore në dhjetor të vitit të kaluar.
Në bazë të këtij vendimi, mësimdhënësit parauniversitarë do të marrin pagë 50 për qind më të larta, ashtu si dhe familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës. Policia e Kosovës ka rritje 40 për qind, shërbyesit civilë 30 për qind, pasuar nga zyrtarët doganorë , punëtorët shëndetësorë dhe zjarrfikësit.