Burg për heshtje
Dikush edhe mund ta ketë harruar planin e “pastrimit të tubave”. Ky është një projekt i Johannes van Vreeswijk. Në qershor të vitit të kaluar, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të EULEX’it, Van Vreeswijk kishte paralajmëruar në një konferencë për media në Çagllavicë arrestimin e shumë zyrtarëve të niveleve të ndryshme, si të dyshuar për korrupsion.
“Lista e atyre që janë të përfshirë në korrupsion është e madhe. Por, nuk ka nevojë që secili të paraburgoset. Është gjyqësori që i çon ata në Dubravë”, kishte sqaruar holandezi Van Vreeswijk (deklaratë e bërë më 29 qershor 2010). Por, dhjetë muaj pas këtyre deklaratave të forta, kosovarët kanë mundur të shohin gjithçka tjetër, përveç “pastrimit të tubave” që dyshohet se janë të mbushur me korrupsion. Madje për veri të vendit as që bëhet fjalë.
Arrestimi i Blerim Kuqit
Edhe arrestimi i së martës i Blerim Kuçit, kryetarit aktual të Suharekës dhe sekretarit organizativ të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nuk ka lidhje me korrupsion. Këtë nuk e thonë vetëm zyrtarët e lartë të AAK-së, por edhe vetë misioni i EULEX-it e madje edhe aktvendimi i gjyqtarit ndërkombëtar. Pa shumë zhurmë, të martën në mesditë, dy veturat e EULEX-it mbërritën para Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.
Nga njëra prej tyre zbriti Blerim Kuçi, dikur edhe ministër i Punëve të Brendshme i Kosovës. Duke dalë nga automjeti, me duar të palidhura, ai u kthye një herë nga blicet e shumta të aparateve që i shndritën fytyrën. Ai disa herë nuk u është përgjigjur thirrjeve të EULEX-it për të dëshmuar në lidhje me një periudhë të luftës në Kosovë. Pas disa orësh para gjyqtarit ndërkombëtar të procedurës paraprake, u vendos që Kuçit t’i shqiptohet masa prej tridhjetë ditësh paraburgim. Në fakt, para se të dërgohej në burg, për rreth dy orë Kuçi u është përgjigjur pyetjeve të hetuesve të EULEX-it. Meqë ai sërish ka refuzuar të bashkëpunojë, atëherë ndaj tij është caktuar kjo masë arresti, e cila është më e rënda.
Këtë e konfirmon edhe vetë Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në vend dhe aktvendimi i gjyqtarit të EULEX-it.
”Z. Kuçi do të paraqitet para një gjyqtari me kërkesë të prokurorit të EULEX-it, i cili thotë se zoti Kuçi ka refuzuar në mënyrë të përsëritur për të dhënë dëshmi gjatë një hetimi”, sqaron Zyra për Informim e EULEX-it. Sipas tyre, dënimi me gjobë ose me paraburgim për dëshmitarët që nuk bashkëpunojnë është një masë e parashikuar në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës. “Kjo është ajo që mund ta themi për momentin”, theksohet në komunikatën e EULEX-it, të lëshuar rreth mesditës të së martës.
Aktgjykimi
Por, në arsyetimin e aktvendimit për urdhër të burgimit prej tridhjetë ditësh ndaj Blerim Kuçit, të lëshuar nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë dhe nënshkruar nga gjyqtari Ferdinado Buatier de Mongeot, thuhet se kjo masë është shqiptuar për shkak të mosbashkëpunimit të dëshmitarit me organet e hetuesisë.
Pasi sqarohen nenet e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës mbi të cilat është mbështetur ky aktvendim, gjyqtari jep edhe kronologjinë e rastit si dhe kërkon që i arrestuari të mbahet gjithnjë i ndarë nga të pandehurit e tjerë, që janë të përfshirë në këtë procedurë. Pa u përmendur emrat e personave të tjerë, sipas këtij dokumenti, del se pas refuzimit dy herë të dhënies së dëshmisë, në tetor të vitit të kaluar, në dhjetor gjyqtari e ka gjobitur Kuçin me 250 euro.
Pas kësaj, më 14 dhjetor të vitit të kaluar, Kuçi është njoftuar edhe një herë për pasojat që duhet të bartë në rast se ai nuk bashkëpunon me drejtësinë. Për këtë arsye, sipas dokumentit, gjyqtari i procedurës paraprake ka mbajtur një seancë pasi dëshmitari është burgosur, edhe pse, sipas sqarimit zyrtar, një seancë e tillë nuk parashikohet specifikisht nga Kodi i Procedurës Penale. Kjo është bërë, sipas arsyetimit të gjyqtarit, që t’i mundësohet Kuçit për të shpjeguar pozicionin e tij. Në këtë rast, edhe në seancë i është kërkuar Kuçit të sqarojë nëse ka ndonjë justifikim ligjor për refuzimin e tij për të dhënë dëshmi.
Në të kundërtën, i janë rikujtuar pasojat e kësaj sjellje refuzuese. Por, në këtë rast, Kuçi citohet të ketë thënë se nuk dëshiron që me përgjigjet e tij të rrezikojë dhe përfshijë persona që ai i konsideron të pafajshëm në këtë procedurë penale që ka si objekt “historinë më të re të Kosovës”.“Qëndrimi i dëshmitarit të rezervuar, Kuçi, në të njëjtën kohë meriton të censurohet fuqishëm”, thuhet në aktvendimin e gjyqtarit ndërkombëtar.
Madje, sipas tij, ngurrimi i tij që të flasë buron nga frika (që dëshmitari nuk e ka thënë, përkundër asaj që është pyetur) apo nga ndjenja e gabuar e lojalitetit ndaj UÇK-së dhe veprimeve gjatë luftës. Kjo në asnjë mënyrë nuk e justifikon refuzimin që të bashkëpunojë me drejtësinë për ndriçim të krimeve të tmerrshme të kryera nga disa individë. “Për më tepër kjo nuk justifikohet nëse konsiderohet se ligji ofron të gjitha format e nevojshme të mbrojtjes (deri në urdhër për anonimitet) për dëshmitarin”, sqarohet në këtë aktvendim.
Krejt në fund, duket se Kuçi do të qëndrojë për një kohë të gjatë në burg. Kjo është e shkruar në aktvendim. “Burgimi do të zgjasë aq gjatë derisa dëshmitari refuzon të dëshmojë apo derisa dëshmia e tij apo e saj nuk do të bëhet e panevojshme, apo derisa procedurat përfundojnë, por nuk do të kalojë një muaj”, thuhet në këtë aktvendim të nënshkruar nga gjyqtari i EULEX-it.
Qëndrimi i AAK-së
I vetmi që ishte pranë Blerim Kuçit, madje edhe në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ishte Burim Ramadani, sekretar i përgjithshëm i AAK-së. Edhe ai sqaroi se Kuçi ka marrë një fletarrest nga ky mision, për shkak se nuk ka pranuar të dëshmojë për krime të luftës.
I pyetur nga Express nëse dyshimet kanë të bëjnë me “rastin Limaj”, Ramadani paraprakisht sqaroi se ka biseduar me Kuçin dhe, sipas tij, dyshimet“nuk përfshijnë saktësisht këtë rast, por periudhën përafërsisht të njëjtë”. Duke cituar fjalët e Blerim Kuqit, Burim Ramadani, i cili sqaroi se në këtë rast flet vetëm si bashkëpartiak i tij, tha se ai mendon se arrestimi është më shumë çështje politike dhe hodhi poshtë spekulimet se ndalimi i tij ka të bëjë me çështje korrupsioni.
Disa orë më vonë, në selinë e AAK-së, në konferencë për media, Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-sw, në emër të kësaj partie, shprehu shqetësimin për burgosjen e Kuçit, dhe ftoi EULEX-in t’u përmbahet prioriteteve të veta për sundimin e ligjit në Kosovë dhe të mos prekë në luftën e drejtë të shqiptarëve të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi. “EULEX-i ka për detyrë të ndihmojë institucionet e Kosovës në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative, që po vazhdojnë të rrezikojnë stabilitetin dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës”, rikujton Isufi në emër të AAK-së. Më tej sqarohet edhe njëherë se shqiptarët e Kosovës kanë qenë pre e politikave fashiste të Serbisë së Millosheviqit, ndërsa lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është bërë plotësisht në mbrojtje të jetës së qytetarëve të vendit. “AAK mbështet dhe respekton qëndrimin e z. Blerim Kuçi në mbrojtje të vlerës së luftës çlirimtare në Kosovë. AAK vlerëson lart rolin e z. Blerim Kuçi në të gjitha fazat e lëvizjes për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, si gjatë protestave studentore, lëvizjes paqësore, luftës çlirimtare dhe ndërtimit të institucioneve dhe demokracisë në vend”, thuhet në deklaratën e kësaj partie.
Avokati
Në një prononcim për media, Tomë Gashi, i cili është avokat i Fatmir Limajt, sqaron se me ligjin e procedurës penale dhe me ligj penal është përcaktuar se prokurori i një çështjeje gjithmonë vepron në emër të shtetit, por për interesa të të dëmtuarit. “Në rastin e z .Kuçi, nëse është e vërtetë se ai ka refuzuar të dëshmojë në një rast të krimeve të supozuara, të luftës dhe nëse nuk dëshmon e pastaj shkohet edhe në ekstrem sa që paraburgoset, atëherë mund të ketë edhe premisa të presionit të prokurorit në epilogun e hetimeve ose të krejt çështjes”, thotë avokati Gashi. Ai më tej sqaron se për të paraburgosur z. Kuçi, ndoshta prokurori dhe gjykata edhe kanë mundur të gjejnë bazë ligjore, por në asnjë mënyrë nuk mund të arsyetohet kjo dhe se diçka e tillë fare lehtë mund të jetë edhe keqpërdorim i drejtësisë në dëm të tij dhe krejt rastit që është duke u hetuar.
Ligji për Vetëqeverisje Lokale
Meqë Blerim Kuçi është kryetar i Komunës së Suharekës, atëherë paraburgimi i tij në afat prej tridhjetë ditësh pritet të ketë ndikim edhe në këtë drejtim. Sipas Ligjit të vetëqeverisjes lokale, neni 56, pika 56.3, mandati i kryetarit të komunës përfundon:
a)kur ta kryejë mandatin e tij
b)nëse vdes
c)nëse jep dorëheqje
d)nëse ndërron vendbanim në komunë tjetër
e)nëse nuk paraqitet në punë për më shumë se 1 muaj pa arsye
f)nëse shkarkohet nga detyra në pajtim me ligj
g)në rast të vendimit përfundimtar të gjyqit që privon kryetarin e komunës nga cilësia juridike
h)në rast të dënimit për vepër penale me një urdhër për burgim për gjashtë muaj ose më tepër