E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afër marrëveshjes

Ndërhyrja e Ambasadorit të SHBA’ve Christopher Dell shpëtoi vendin nga zgjedhjet e jashtëzakonshme. Të martën, pas disa orë negociatash me Hashim Thaçin, Isa Mustafën dhe Behgjet Pacollin, është arritur një marrëveshje në parim për disa çështje. Ata u dakorduan për President konsensual, ndryshimet kushtetuese dhe që vendi të shkojë në zgjedhje jo më herët se pas dy vjetësh Nga Express më 06 prill 2011 në ora 08:04

Një ditë pasi përpjekjet e faktorëve vendorë kanë dështuar në arritjen e një marrëveshjeje për të zhbllokuar krizën politike, diplomatët perëndimorë janë angazhuar fuqishëm që t’i parandalojnë zgjedhjet e parakohshme, drejt të cilave vendi po shkonte paevitueshëm.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Dell, të martën ka mbledhur Hashim Thaçin, Isa Mustafën dhe Behgjet Pacollin në Dragodan, me të cilët ka arritur të sigurojë një pajtueshmëri në parim rreth rrugëdaljes nga qorrsokaku, në të cilën vendi është futur pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shpalli jokushtetuese zgjedhjen e Presidentit dhe çoi në largimin e Pacollit nga Zyra më e lartë në vend.

Sipas burimeve të Express, tre liderët pas negociatave disaorëshe në Ambasadën Amerikane janë dakorduar që për të parin e vendit të gjendet një njeri i pranueshëm ose President konsensual.

Siç mësohet, palëve u ka mbetur të negociojnë rreth mandatit të Presidentit që, sipas Kushtetutës së vendit, është pesëvjeçar.

“Janë përmendur tre emra të mundshëm për postin e Presidentit konsensual. Njëri prej tyre është avokati Iljaz Ramajli”, ka thënë një burim për gazetën.

Burimi i gazetës ka përmendur edhe dy emra të tjerë që janë përmendur gjatë negociatave të krerëve të partive politike, por ka kërkuar që ata të mos publikohen.
Palët, po ashtu, janë dakorduar që të fillojnë me ndryshimet kushtetuese, të cilat mund të nisin pas muajit qershor.

Kjo nënkupton ndryshimin e nenit për Presidentin, që mundëson zgjedhjen e të parit të vendit me votim të drejtpërdrejtë.

Po ashtu, në parim ka pasur dakordim edhe për ndryshimin e ligjit zgjedhor.
Gjatë negociatave mes krerëve të partive politike ka pasur ide për kontributin e këtyre subjekteve për zgjedhjen e Presidentit konsensual.

“Ideja është që secila parti të sigurojë nga 10 nënshkrime për të proceduar me kandidatin konsensual. Pikë së pari këtë duhet ta bëjnë PDK dhe LDK, e eventualisht edhe AKR”, ka thënë burimi i gazetës.

Një nga pikat më mospajtuese - afati i mbajtjes së zgjedhjeve të reja - po ashtu është trajtuar gjatë këtyre bisedimeve.

Edhe pse kjo çështje ka mbetur ende të negociohet, ka pasur dakordim që afati për mbajtjen e zgjedhjeve të mos jetë më herët se dy vjet prej fillimit të mandatit të deputetëve aktualë.

“Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herë se dy vjet, për shkak se deputetët mund të kërkojnë sqarime se a është shkelur Kushtetuta kur u është ndërprerë atyre mandati që e kanë marrë prej popullit. E nëse kalojnë dy vjet, mandati konsiderohet i plotë”, ka sqaruar burimi për Express.

Në tërë këtë situatë, siç merr vesh gazeta, paralajmërimet se Pacolli ka vendosur të tërhiqet nga kandidatura, në këtë takim pothuajse janë konfirmuar tërësisht. Ai do t’u hapë rrugë kandidatëve tjerë.

Mirëpo, AKR do të vazhdojë të mbetet edhe më tej në Qeveri, por duke marrë më shumë ministri.

Sido që të jetë, këto çështje ende të pambaruara mes krerëve të partive pritet të jenë objekt diskutimesh në kryesitë e dy partive më të mëdha, PDK’së dhe LDK’së, të mërkurën.

Qëndrimi i AKR’së

Gjatë ditës së martë, AKR ka lëshuar një deklaratë për media, me të cilën ka bërë të ditur se ky subjekt është i vendosur të respektojë marrëveshjen që ka nënshkruar me PDK’në.

“Imazhi i vendit nuk përfiton asgjë prej kësaj krize, por përkundrazi humb. Ndaj duhet të vlerësohet dhe të analizohet çdo iniciativë, ngado që vjen, qoftë nga miqtë e Kosovës, apo nga parti politike, për ta zgjidhur krizën dhe për të mos e thelluar atë”, thuhet në deklaratë.

“AKR-ja në këtë drejtim është e vendosur që të respektojë marrëveshjen e koalicionit dhe në këtë inkurajon të gjitha partitë politike në Kosovë që të arrijnë kompromis për proceset e ardhshme politike në Kosovë, por jo duke luajtur me emra presidentësh” thuhet tutje në deklaratën.

AKR ka njoftuar edhe për një iniciativë të Pacollit, të cilin akoma e quan President, për një takim ndërmjet tij, Thaçit dhe Mustafës.

“Iniciativa e djeshme për takimin midis zotit Hashim Thaçi dhe zotit Isa Mustafa, me ndërmjetësimin e Presidentit Pacolli duhet të jetë vetëm hapi i parë në drejtim të gjetjes së një marrëveshjeje politike që përfshin ligjin zgjedhor, ndryshimet e kushtetutës etj.

Ne besojmë se klasa politike e Kosovës do t’i gjejë forcat për të arritur një marrëveshje, duke adresuar siç duhet problemet reale të vendit dhe lartësuar imazhin ndërkombëtar të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›