E Diel, 1 Nëntor 2026

Në borxh për bukë

Mulliri “Prapashtica”, në fshatin Kijevë të Malishevës, i ka mbyllur dyert për klientët e tij. Banorët atje thonë se kanë mbetur pa miell, edhe pse e kanë dorëzuar grurin. Si pasojë, kanë hyrë borxh për të siguruar bukën për familjarët e tyre. E punëtorët e mullirit thonë për Express se punën e kanë ndërprerë për shkak të mungesës së grurit. Nga Albulena Maloku më 06 prill 2011 në ora 08:42

E ka dorëzuar grurin për ta marrë miellin. Por, nuk ndodhi kështu. Familja e Ukës tani duhet të hyjë në borxh për të blerë bukën, të cilën deri më tani e merrte në mullirin afër katundit të tij, të cilit ia kishte dorëzuar grurin pasi i kishte përfunduar të korrurat. Kishte siguruar ushqimin për tërë vitin, por tani ndërprerja e punës së mullirit, ku ai e kishte deponuar grurin, e la familjen e dhe bashkëfshatarët e tij pa bukë.

Janë bërë një muaj që mulliri “Prapashtica”, në fshatin Kijevë të komunës së Malishevës, i ka mbyllur dyert për të gjitha klientët e vet, me arsyetimin se nuk ka rezerva të grurit. Madje rojtari i kësaj fabrike për përpunimin e grurit deri në rifillimin e punës e ka marrë edhe një detyre tjetër, atë për informimin e popullatës për situatën e krijuar. Janë me qindra banorë nga rajoni i Klinës, Istogut, Malishevës e Drenasit që me vite të tëra janë klientë të rregullt të këtij mulliri, por që tani duhet të gjejnë mundësi tjera për sigurimin e kafshatës së gojës.

Ukë Morina nga fshati Rigjevë, tregon për Express se tani familja e tij i ka punët shumë ngushtë për sigurimin e bukës. Ai e punon tokën çdo vit dhe e dorëzon grurin në këtë mulli, e kohë pas kohe e merr miellin. Por, tani ai është në hall të madh, sepse ka një muaj që ka ndërprerë punën “Prapashtica”, në të cilin çdo vit i dorëzonte nga 1600 kg grurë. “Edhe pse paret nuk i kam, unë prej sot duhet me hy borxh për me ble miellin, sepse veç edhe një tas miell, nuk më ka mbetur më, edhe pse kam punuar tokën me pas bukën e gojës”, thotë Morina.

Shumica e bashkëfshatarëve të tij kanë filluar të hyjnë në borxh, pasi që ata nuk kanë pasur mjaft rezerva në shtëpi, sepse këtë e kanë lënë për ta ruajtur në këtë fabrikë të grurit. Nuk i kanë paralajmëruar për mbylljen e mullirit dhe thotë se kjo ka qenë shumë e papritur për të gjithë banorët e këtij fshati. Ai tregon se të gjithë banorët e kësaj ane me përfundimin e të korrurave e dorëzojnë drithin me kohë me qëllim edhe të ruajtjes së tij. “Bashkëfshatarët e mi po flasin me telefon me pronarin e mullirit e po ju thotë se jo këtë javë e jo atë javë po e fillojnë punën, por kjo nuk besoj se do të ndodhë deri në muajin korrik, kur edhe përfundojnë të korrurat”, ka thënë Morina.
Madje, ky thotë se nuk presin që pronarët e kësaj fabrike t’ ua kthejnë borxhin, që sipas tij, kjo është shumë jonjerëzore.

Rojtari i mullirit “Prapashtica”, Safet Bacaliu, ka thënë për Express se presin që në fillim të muajit maj të rifillojnë punën. Kjo, sipas tij, ka ardhur si shkak i bllokadës së Serbisë, e tani derisa të dalin në tregun e Bullgarisë e të Hungarisë do të ballafaqohen me mungesën e rezervave të grurit. Për momentin ai thotë se rreth 90 për qind të klientëve të tyre kanë bërë zgjidhje.

“Kanë qenë vetëm 10 për qind të klientëve që kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për mbylljen e përkohshme të fabrikës, por 90 përqindëshi tjetër janë pajtuar me situatën e krijuar”, tha Bacaliu.

Kjo është hera e parë e ndërprerjes së punës në 30 vitet e funksionimit të këtij mulliri. E rojtari Bacaliu thotë se ata që kanë mungesë do të gjenden disi, pasi që nuk është faji i tyre që kanë mbetur pa bukë.

E mullirit tjetër në këtë rajon i është dyfishuar puna.

Ali Çupeva, pronar i mullirit “Jeta e re”, në fshatin Pogragjë të komunës së Klinës, ka treguar për gazetën se tani kërkesat për miell janë dyfishuar. Krejt kjo pas mbylljes së mullirit të Kijevës. Nëse vazhdon rritja e kërkesave, as “Jeta e re” nuk do të jetë në gjendje të furnizojë popullatën me miell as edhe një muaj më shumë. “Jam në hall sepse janë dyfishuar kërkesat, sepse të afërmit e klientëve të mi po vijnë e po marrin miell në emër të tyre. E nëse vazhdon kështu, do të harxhohen rezervat e mia për një muaj”, tha Çupeva.

Ai tregon se nuk po jep më shumë se 100 kg sepse thotë se ka edhe tre muaj deri në të korrat e këtij viti dhe nuk dëshiron që klientët e tij t’i lërë pa bukën e tyre.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›