Përfundon vetëvlerësimi në Universitetin e Tiranës, nis akreditimi
Procesi i vetëvlerësimit që ka kryer Universiteti i Tiranës është në etapën e fundit, ndërkohë që tashmë pritet nisja e procesit të akreditimit, nga agjencia gjermane “Aquin” që është kontraktuar nga rektorati i institucionit. Procesi i vetëvlerësimit kryhet përpara akreditimit dhe burime nga universiteti bëjnë të ditur se rezultatet kanë qenë të kënaqshme, me përjashtim të mjediseve, problem që zgjidhet vitin e ardhshëm.
Vetëvlerësimi
Akreditimi i jashtëm i universitetit vjen pas vlerësimit të brendshëm, proces ky që është në etapën e fundit. “Vlerësimi i brendshëm ka treguar disa mangësi në universitet, – pohon drejtori i Komunikimit në Universitetin e Tiranës, z. Ervin Demo, - pikësëpari infrastrukturën, që është e pamjaftueshme për madhësinë që ka universiteti. Por ky problem ka gjetur një zgjidhje afatgjatë me përfundimin e projektit për kampusin në Qytetin Studenti”. Me nisjen e kampusit gjigant të Universitetit të Tiranës në fushën poshtë kinoklubit të Qytetit Studenti, duket se zgjidhet edhe problemi i vetëm i rëndësishëm që i ka mbetur universitetit më të madh në vend.
“Aquin”
Pas përfundimit të kësaj faze, nis procesi i akreditimit, që do të kryhet nga një agjenci e huaj. Universiteti i Tiranës ka përzgjedhur që të akreditohet nga një agjenci e Bashkimit Evropian dhe jo nga Agjencia Kombëtare e Akreditimit, në mënyrë që të ketë një certifikatë vlerësimi të vlefshme për rajonin. “Ne tashmë konkurrojmë me universitetet e rajonit, për të qenë universiteti lider, se në tregun shqiptar e kemi fituar prej vitesh këtë status”, – thotë z. Demo.
Lidhja e rektoratit të UT-së me agjencinë “Aquin” nisi vitin e kaluar, gjatë një takimi të organizuar me përfaqësues të "Aquin" në Gjermani, ku ishte i pranishëm edhe rektori Dhori Kule, i cili me autorizim të Kryeministrit Sali Berisha, fillimisht zhvilloi një takim me presidentin e agjencisë gjermane “Aquin”, ku bisedoi për zbatimin e procedurave të vlerësimit të jashtëm dhe të akreditimit. Me realizimin e akreditimit, UT-ja do të asistojë më vonë edhe në procesin e renditjes së institucioneve të arsimit të lartë në vend.
Akreditimi
Akreditimi është një proces në të cilin duhet të kalojë çdo universitet. Në vendin tonë ekziston Agjencia e Akreditimit të Arsimit të Lartë, që është nën varësinë e Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës dhe që jep miratimin përfundimtar për dhënien e licencave në një universitet, e më pas, për njohjen e diplomave të tyre në tregun e brendshëm. Deri tani, të akredituara janë të gjitha universitetet publike dhe tri prej universiteteve private.
Por, pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri të arsimit të lartë, të gjitha universitetet publike duhet të riakreditohen nga Agjencia Shtetërore e Akreditimit. Vetëm Universiteti i Tiranës ka kërkuar akreditim të huaj, në mënyrë që parametrat e përdorura gjatë këtij procesi të jenë të të njëjtit nivel me vendet e zhvilluara evropiane, ndërkohë që universitetet e tjera do të akreditohen nga agjencia shtetërore.