E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pukë; Dëbora bllokon 4 persona, shpëtimi realizohet me helikopterë



Katër persona janë izoluar nga dëbora në Pukë. Ministria e Brendshme ka nisur menjëherë një helikopter për t’u ardhur në ndihmë atyre. Drejtori i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, deklaroi se drejt personave të bllokuar u nis mjeti. Në fillim helikopteri qëndroi në Pukë, më pas u nis drejt pikës së Midës ku dhe ndodheshin të izoluar 4 personat. Por, për fat të keq, tentativa e parë për uljen e helikopterit dështoi, për shkak të motit të keq dhe erës mjaft të fortë, duke e detyruar atë të rikthehet sërish drejt kryeqytetit. Pas dështimit të kësaj tentative për uljen e helikopterit në këtë zonë, është dërguar një tjetër helikopter i ushtrisë me forcat e RENEA-s, të cilët hynë në zonë duke zbritur me litarë nga helikopteri, për të shpëtuar 4 të izoluarit. Zona ku u izoluan 4 personat ndodhet 35 km larg Pukës. Të katër personat u bllokuan 6 km larg pikës së Midës në Pukë. Të izoluarit janë 3 ushtarakë dhe një punonjës i “Telekomit”, i cili ishte nisur për shërbim drejt kullave të transmetimit në Krastë. Nazmi Hila, Pjerin Voci, Angjelin Gera dhe Arben Ndoci, si pasojë e dëborës së madhe nuk po arrinin që të shkonin për në stacionin ku ishin drejtuar. Alarmin ata e dhanë me telefon përmes medias vizive, duke u shprehur se ndodheshin të bllokuar në stacionin e pompave në rrethin e Pukës dhe se trashësia e borës atje arriti deri në 1.5 m, çka e bëri të pamundur lëvizjen e automjeteve. Drejt tyre u nis gjithashtu edhe një fadromë dhe një furgon policie për t’u ardhur në ndihmë. Gjithashtu, bëhet e ditur se për të mbërritur deri në Midë, ku dhe ndodhen të bllokuar 4 personat, duhet plot 2 orë rrugë, nëse kjo e fundit do të ishte e lirë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›