E Diel, 1 Nëntor 2026

Përgatitet bashkimi energjetik me Kosovën, Gjermania financon 91 milionë euro

Financimi Nënshkruhet marrëveshja për linjën me Kosovën dhe unazën e jugut

Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borchardt, dhe ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, nënshkruan dje disa marrëveshje financiare me vlerë të përgjithshme prej 91 milionë eurosh. Qeveria gjermane ka marrë përsipër të japë këtë kredi për llogari të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, kompanisë nën pronësi publike që menaxhon linjat e tensionit të lartë në Shqipëri. Kredia me interesa të ulëta do të shërbejë për ndërtimin e një linje energjetike në zonën e jugut të Shqipërisë, gjë që do të garantojë furnizim të rregullt me energji të resorteve turistike në bregdetin e Jonit, si dhe një linjë 400 kilovolt që do të lidhë Tiranën me Prishtinën.

"Projekti i linjës me Kosovën prej 42 milionë eurosh mundëson një linjë të re 400 kv teknikisht të fuqishme për të bërë shkëmbimin e energjisë, si dhe shumëfishuar kapacitetet eksportuese dhe importuese të vendit tonë në periudhat e nevojshme", deklaroi ministri Prifti.

Kjo linjë konsiderohet me rëndësi strategjike për Shqipërinë, e cila në këtë mënyrë do të mund të koordinojë prodhimin me termocentralet e Kosovës, gjë që do të sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike për të dyja vendet. Shqipëria ka aktualisht vetëm një linjë prej 400 kv me Greqinë, gjë që e ka bërë të vështirë dhe të kushtueshëm sigurimin e energjisë në kohë thatësire.

"Vetëm pak javë më parë kemi premtuar për Shqipërinë një ndihmë prej 130 milionë eurosh në një hark kohor prej 2 vitesh dhe sot nënshkruam një marrëveshje prej 91 milionë eurosh", deklaroi ambasadori gjerman Borchard.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›