OKB: Irani mund të krijojë bombën atomike
Agjencia Atomike Ndërkombëtare ka shprehur shqetësimin mbi aktivitetin e pasurimit të uraniumit, në një nivel më të lartë nga Irani. Sipas tyre, kjo rezulton si një përpjekje e Republikës Islamike për krijimin e bombës atomike. Kjo është përmbajtja e një raporti konfidencial që ka dalë nga Agjencia Atomike Ndërkombëtare me seli në Vjenë. Në raportin e saj, saktësohet se Irani ka nisur të prodhojë uranium të pasuruar në masën 20 për qind, pa informuar më parë ekspertët e kësaj agjencie. Në bazë të rregullave, AIEA duhej të ishte informuar para se të niste pasurimi i tij. Por ndërkohë Irani, sipas asaj që deklaroi Presidenti Ahmadinexhad në përvjetorin e 31 të Revolucionit Islamik e ka tashmë në dorë sasinë e parë të uraniumit të pasuruar 20 për qind. Po sipas fjalëve të tij, kjo përqindje mund të shkojë në 80. Ahmadinexhad theksoi gjithashtu se Irani është tashmë një shtet bërthamor. Komuniteti ndërkombëtar dyshon prej kohësh se Teherani, nën pretendimin se po e përdor pasurimin e uraniumit për qëllime civile, po punon për krijimin e bombës atomike. SHBA dhe vendet e tjera aleate janë duke menduar për sanksione të reja ndaj tij.
#