Wetland artificial, kundër ndotjeve në lumin e Tiranës
Deri në vitin 2012, bashkia e kryeqytetit synon që të reduktojë ndotjen në lumin e Tiranës, përmes ndërtimit të një impianti pastrimi, ose siç njihet ndryshe një wetlandi artificial.
“Ky do të jetë projekti i parë i reduktimit të ndotësve me këtë metodë trajtimi dhe do të jetë dhe shtysa për të realizuar impiante të tilla trajtimi të ujërave të ndotura urbane”, shprehen përfaqësues të Bashkisë së Tiranës. Sipas tyre, objektivi i këtij projekti është reduktimi i ndotësve organikë në rrjedhën e poshtme të lumit të Tiranës përmes ndërtimit të këtij mini impianti. Ata shtojnë se krijimi i një wetlandi që do të rrisë biodiversitetin në lumin e Tiranës do të shtojë edhe numrin e specieve që rriten në këto ujëra. Po kështu, theksohet se për herë të parë në Shqipëri do të implementohet një metodë trajnimi për ujërat e ndotura urbane, i cili do të shërbejë si projekt pilot për projekte të ngjashme në të ardhmen. Një ndër pikat ku do të fokusohen përgatitjet për realizimin e këtij projekti është edhe rritja e ndërgjegjësimit publik për reduktimin e ndotësve dhe për përfitimet që sjell ky trajtim. Grupet e targetuara do të jenë banorë të zonës, afër së cilës do të ndërtohet impianti, të cilët ndikojnë direkt në shkarkimin e ujërave të ndotura në lumë. Por, pjesë e këtij targetimi do të jenë edhe politikëbërësit dhe vendimmarrësit e zonës si përfaqësuesit e qeverisjes lokale, bashkia, apo OJF të ndryshme. Ata janë sërish grupe me ndikim në këtë projekt. Gjithashtu, të prekur indirekt do të jenë dhe njësitë e tjera qeverisëse, si dhe OJF-të.
Lumi i Tiranës paraqet një ndotje të një shkalle shumë të lartë gjë që e ka dëmtuar seriozisht ekosistemin e tij. Shumë specie që më parë gjallonin në këtë lumë tashmë janë zhdukur duke ia lënë vendin ndotjes organike dhe inorganike që derdhet mbi të, si në një depozitë mbetjesh urbane.
#